Video editorial i “Koha Jonë”: Ndërkombëtarët folën, tani është radha e opozitës dhe shqiptarëve
Video editorial i “Koha Jonë”: Ndërkombëtarët folën, tani është radha e opozitës dhe shqiptarëve
Ndërkombëtarët folën, tani është radha e opozitës dhe shqiptarëve
Ndryshimi i Kushtetutës në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste po tentohet të trajtohet si ngjarje normale që do të harrohet pas 3 ditësh. Për të zbehur përmasat e puçit kushtetues, rilindja ka zgjedhur të manpulojë dhe neglizhojë qëndrimin e faktorit ndërkombëtarë. Dy janë mënyrat që po përdorën për të nxjerrë jashtë loje ndërkombëtarët. E para, sulmi frontal ndaj kujto nga diplomatët dhe eurdeputetët e huaj që kritikon prekjen e njënashme të Kushtetutës. Dje ishte vet Edi Rama në Kuvend që mori përsipër rolin e sovranistit dhe sulmonte njëherë ambasadoren e SHBA dhe njëherë ambasadorët e tjerë të BE. Sot ishte radha e Elisa Spiropalit që me urdhër të Edi Ramës, hapi frontin e luftës sovraniste me Partitë Popullore Europiane. Forumi i partive që drejtojnë sot qeveritë e shumicës së vendeve të BE i kujtoi Edi Ramës se ndryshimet Kushtetuese janë kërcënim për demokracinë dhe integrimin. Por për Edi Ramën dhe Elisa Spiropalin, kjo është ndërhyje e BE në vendimet e një vendi sovran dhe europianët që “s’marrin vesh nga demokracia” duhet të shohin punët e tyre. Këtë gjuhë dhe qëndrim prej sovranistësh të dështuar shqiptarët e kanë dëgjuar vetëm nga shokët e Byrosë së Partisë së Punës. Tashmë ka mbetur që Edi Rama të dalë të sulmojë dhe Departamentin Amerikan të Shtetit dhe të mos njoh asnjë marrëveshje me BE. Në pak ditë Edi Rama me shokët dhe shoqet e byrosë na kthyen 30 vjet pas. Nëse do të rrinë më gjatë në pushtet mund të kthemi në kohën e gjyqeve popullore me diversantë dhe dënimeve të armiqve që dëmtojnë unitetin parti-popull.
Veç sulmeve të turpshme për një qeveri kundër ndërkombëtarëve, strategjia e dytë është manipulimi i qëndrimeve që vijnë nga BE dhe Parlamenti Europian kundër ndryshimeve Kushtetuese. Disa deklarata të deputetëve gjermanë, emrat e të cilëve qytetarët shqiptarë i dëgjojnë për herë të parë dhe kanë njohje vetëm me lobistët dhe miqtë e Edi Ramës në Berlin, po serviren nga PS si mbështetje e për atentatin ndaj kushtetutës. Në fakt, para deputetëve gjermanë foli ambasadori i Angela Merkel në Tiranë dhe qëndrimi i tij ishte më i fortë dhe i hidhur edhe se ai i opozitës shqiptare. Po ashtu, nga qëndrimet e moderuara të ambasadës së SHBA dhe BE në Tiranë, kryeministri dhe mediat afër tij, u hedhin për konsum qytetarëve vetëm pjesën që thotë se “njohin vendimin e Parlamentit”. Ky është mashtrimi mediatik që po bëhet në mënyrë të qëllimshme me ndërkombëtarët duke kapur me grep vetëm fjalitë që i shkojnë për shtat puçit kushtetues të rilindjes. Edhe pse shumë shqiptarë nuk bien dakord, ndërkombëtarët e kanë njohur parlamentin që mban sot në pushtet Edi Ramën. Këtë gjë e bën që në momentin kur opozita dogji mandatet dhe ishte një qëndrim që synonte ruajtjen e stabilitetit të vendit, në kurriz të rënies së demokracisë. Por fakti që njohin parlamentin e Edi Ramës nuk do të thotë se çdo vendim që del prej asaj salle është në interes të stabilitetit dhe raporteve të Shqipërisë me partnerët. Ndryshimi i Kushtetutës nuk dëmtoi vetëm opozitën dhe qytetarët, por dha sinjalin në BE dhe SHBA se Shqipëria po del jashtë kontrollit. Dhe dalja jashtë kontrolli nuk nënkupton vetëm vjedhjen e votave dhe abuzimet e zakonshme me pushtetin, ndaj të cilave SHBA dhe BE realisht kanë heshtur këto vite. Me shumë se kaq, kjo do thotë se qeveria “Rama” po ndryshon në mënyrë të rrezikshme kursin e aleancave strategjike duke hapur në Ballkan një vatër të re të ndikimeve lindore anti BE dhe anti SHBA.
Sa do t’i zbusin me lajme të fabrikuara qëndrimet e SHBA dhe BE korridoret mediatike të rilindjes, sa do që krerët e rilindjes të bëjnë si të fortë dhe sovranistë, fakti është se ndërkombëtarët folën qartë kundër akteve të kësaj qeverisë. Ata u distancuan nga ndryshimet kushtetuese dhe paralajmëruan se çdo vendim i kësaj qeverie po e largon vendin nga BE. Në Shqipëri presim që çdo punë, reformë dhe zhvillim politik ta bëjnë ndërkombëtarët, por çfarë mund të bëjnë më shumë se kaq kundër një qeverie. Mos duhet që ambasadorët të dalin në protestë dhe të kërkojnë largimin e qeverisë? Diplomatët në Tiranë, si në pak vende të tjera, kanë denoncuar aktet e qeverisë dhe dukë dhënë mesazhet të qarta kundër qeverisë. Më shumë se kaq nuk bëjnë dot dhe nuk u lejohet. Pjesa tjetër është në dorë të opozitës dhe qytetarëve shqiptarë. Nëse presin që atë që e quajnë bandë rilindase ta largojnë ndërkombëtarët, i kanë bërë llogaritë gabim. Edi Rama nuk do ndalet vetëm te ndryshimet kushtetuese dhe nuk do heq dorë nga pushteti nëse presioni i bëhet vetëm nga jashtë dhe brenda në vend çdo gjë vazhdon si në një qeverisje normale.