Video-editoriali i “Koha Jonë”: Na zhyti në koronavirus dhe po prek Kushtetutën
Video-editoriali i “Koha Jonë”: Na zhyti në koronavirus dhe po prek Kushtetutën
Edi Rama kur filloi paniku i parë për koronavirusin në mars, na mbylli brenda, nxori autoblindat, vuri mitralozat mbi to, nxori ushtrinë, udhëroi policinë për raprezalje, mbylli ekonominë, vodhi më pas pothuaj krejt buxhetin e shtetit të akorduar kundër falimentimit, miratoi Ligje dhe ndryshoi Kodin Penal. Si përfundim, pas tre muajve të mbyllur brenda, ekonomia falimentoi, përveç disa oligarkëve që dyfishuan fitimet, dhe prapë gjendemi si në fillim pandemie.
Asgjë nuk ka ndryshuar, përkundrazi, më keq po shkon situata ekonomike dhe ajo shëndetësore. Rritja e frikshme e numrit të qytetarëve me koronavirus ka sjellë që edhe Mali i Zi të mos na pranojë të kalojmë kufirin! Kemi përfunduar si mos më keq, pasi rreziku i përhapjes së koronavirusit është më keq se në mars, numri i vdekjeve po vjen frikshëm, duke shtuar numrat, ekonomia po bie në humnerë, e ku sipas specialistëve të ekonomisë, nga fundi i vitit do futemi në një krizë të rrezikshme financiare, ku papunësia do trefishohet në krahasim me marsin e këtij viti.
Nga ana tjetër, si të mos ketë ndodhur asgjë me ekonominë dhe shëndetin e njerëzve, kryeministri po shpenzon të gjitha energjitë e qeverisjes dhe mazhorancës me synimin për të ndryshuar Kushtetutën në mënyrë të njëanshme, pra pa referendum popullor dhe aq më pak, as me mirëkuptimin e opozitës reale.
Në vend që shteti dhe qeverisja të jetë e fokusuar te lufta ndaj koronavirusit, si dhe për përgatitjen për zgjedhjet parlamentare, po i harxhon energjitë te loja se si mund të vjedhë zgjedhjet, bile duke ndryshuar Kushtetuëen vetëm me votat e PS-së.
Shtetet e tjera fqinje dhe të BE-së të gjitha energjitë i kanë drejtuar në mposhtjen e koronavirusit si dhe rimëkëmbjen e ekonomisë. Në Tiranë, Edi Rama gjithë ditën e natën vetëm mendon se si t’i marrë në tavolinë zgjedhjet.
Ndaj populli duhet të ndërgjegjësohet se duhet ndryshim për të shpëtuar jetën dhe pas jetës për të rregulluar ekonominë familjare. Nëse hesht populli, atëherë oligarkia do ta shkelë siç e ka vjedhur këto vite. Nëse hesht qytetari, mos u ankoni nesër se pse nuk e kemi jetën të garantuar!