VIDEO/ Lamtumira për Berlusconin, Rama: Manifestoi një respekt të posaçëm për shqiptarët
Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në ceremoninë e funeralit shtetëror të zhvilluar për ish-kryeministrin italian Silvio Berlusconi në Katedralen e Milanos. Në një postim në Facebook, Rama shkruan se Berlusconi manifestoi në të gjitha rastet një afeksion e një respekt të posaçëm për shqiptarët.
Postimi i plotë
Sot në lamtumirën e një personazhi që e jetoi jetën si një rrotullim i plotë i tokës rreth diellit, me të tëra shkallët e dritës dhe errësirës, duke prekur majat në botën e biznesit, spektaklit e sportit dhe duke e kthyer edhe politikën në një spektakël me në qendër vetveten.
Një njeri që e deshi jetën me gjithsej, e jetoi me të gjitha ekzagjerimet e mundshme, e mishëroi me të gjitha dimensionet e qenies së tij të shumëfishtë, jetësim kulmor i shprehjes, “Edhe ëngjëlli edhe djalli rrinë bashkë tek i gjalli”…
Si kryeministri më jetëgjatë në detyrë në historinë e Italisë, Silvio Berluskoni manifestoi në të gjitha rastet një afeksion e një respekt të posaçëm për shqiptarët.