VIDEO/ Loti 4 i Unazës së Madhe të Tiranës, zv/kryeministrja Balluku: Gati në verën e vitit 2024
Në lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, po vijon puna për ndërtimin e urës, vepra më e rëndësishme në këtë lot. Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet në këtë lot, nga ku bëri të ditur se ai do të hapet për qarkullim në verën e vitit që vjen.
“Është një lot shumë kompleks, pasi këtu kemi ndërtimin e një ure rreth 420 metra për të ardhur në të njëjtin nivel me lotin 3. Ky ka qenë një nga segmentet më të vështira të Unazës së Madhe të Tiranës. Jemi në një zonë shumë të banuar, një zonë ku kemi pasur ndërtime ilegale të cilat na është dashur të bashkëpunojmë me qytetarët, që pavarësisht se këto prona janë të palegalizuara, t’u japim zgjidhje”, bëri të ditur Balluku.
Zv/kryeministrja vuri në dukje se punimet kanë hasur në vështirësi edhe për shkak të gjeologjisë. Po ashtu Balluku bëri të ditur se të gjitha kantieret e hapura po shkojnë sipas parashikimeve kontraktuale.
”Duhen patur parasysh që të gjitha kontratat që janë lidhur vitet e fundit janë të gjitha në afatet e tyre, madje ne kemi arritur t’i mbyllim disa muaj më parë, ashtu siç shpresojmë me Llogoranë që ta dorëzojmë deri në 30 qershor dhe jo në shtator siç është kontrata. Ashtu siç shpresojmë edhe për këto lote të cilat pavarësisht kompleksitetit gjeologjik dhe pavarësisht problematikës që kemi pasur në zonat e banuara mund të themi që është bërë një punë e mirë, një punë konstante, që do të na japë mundësi që t’i dorëzojmë sipas afateve kontraktuale”, tha ajo.
Përfundimi i plotë i Unazës së Madhe të Tiranës, një segment prej 27 kilometrash të gjatë, do të lidhë kryeqytetin me gjithë rrugët dalëse kombëtare.