VIDEO/ Ministri Balla ngre dronët nga Kuçova, tashmë i gjithë territori në dorën e Policisë

Policia e Shtetit dhe IKMT do të kenë në prej sot në dispozicion avionët pa pilot për kontrollin e territorit. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ishte sot në Bazën Ajrore në Kuçovë ku pa nga afër avionët pa pilot të Forcës Ajrore. Ai tha se Policia e Shtetit dhe IKMT do të kenë prej sot mundësinë e kontrollit në kohë reale të gjithë territorit dhe kufirit nga ajri.

“Kapaciteti i ri i Forcave Ajrore, sikurse është rënë dakord, do të përdoret edhe nga agjencitë e tjera ligjzbatuese, qoftë Policia e Shtetit, qoftë IKMT, që kanë depozituar pranë Shtabit të Përgjithshëm të FA, kërkesat specifike për përdorimin e tyre. Synimi është një kontroll më i mirë i territorit dhe nga ajri. Policia e Shtetit nevojën e ka kryesisht për monitorimin nga ajri të territorit lidhur me aktivitete apo fenomene sikurse është p.sh. kultivimi i kanabisit. Na nevojitet një koordinim mes tokës dhe ajrit për të kontrolluar sa më mirë territorin”,-tha Balla.

Më tej, ai u ndal në reagimin shumë më të shpejtë në kohë, përmes avionëve pa pilot, lidhur me nevojat e policisë. Duke folur rreth mundësive të tjera të përdorimit për qëllime civile, Balla nënvizoi se “aktualisht qëllimi ynë është sezoni turistik. Na duhet të kontrollojmë përgjatë gjithë bregdetit të gjitha fenomenet, depozitimet e mbetjeve dhe çdo problematikë tjetër, se nuk janë vetëm ndërtimet pa leje, por edhe krimet mjedisore, dëmtimi i pyjeve etj..”

Dronët do të përdoren kundër kultivimit të bimëve narkotike, krimeve mjedisore në pyje, lumenj, ndërtime pa leje, për luftën kundër kalimit të paligjshëm të kufirit, evidentimin e mjeteve lundruese në det, kontrollin dhe monitorimin e trafikut apo incidenteve rrugore edhe nga ajri, si dhe ndjekjen e mjeteve personave në rast të ngjarje kriminale.

SHKARKO APP