VIDEO/ ”Porto Palermo nga kamp në përkujtim”, kryeparlamentarja Elisa Spiropali: Homazh për miliona jetë të këputura në mes
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përshëndeti në veprimtarinë ”Porto Palermo tjetër-nga kamp, në përkujtim”, organizuar me rastin e Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, ku tha se 23 gushti është një ditë homazhi e kujtese për ato dhjetëra miliona jetë njerëzore të këputura në mes. ”Ato drama e tragjedi personale të të gjithë shoqërisë njerëzore të shkaktuara nga këto dy skaje ekstreme të regjimeve dhe ideologjive. Dy skaje të së njëjtës humnerë. Dy anë të së njëjtës monedhë kriminale siç ishin nazi-fashizmi dhe komunizmi”,-tha Spiropali.
“Ka vetëm 3 dekada e pak që Shqipëria u nda nga diktatura komuniste. Foshnjet e lindura në atë kufi thyerje të historisë tashmë janë prindër e prindërit e tyre janë gjyshër nipash e mbesash. Është shumë e vështirë t’i shpjegohet fëmijës së sotëm se çfarë ishte burgu i ndërgjegjes. Se çfarë peshe kishte dera e qelisë. Sa e errët ishte humbella e galerisë ku punohej skllavërisht. Se çfarë makthi ishin telat me gjemba, apo sa vriste plumbi që qëllonte në emër të ideologjisë që ndanë shqiptarin nga shqiptari, nënën nga biri, motrën nga vëllai, fqinjin nga fqinji. Që i ndante me barriera frike e urrejtjeje, refuzimi e mohimi”, u shpreh Spiropali.
Kryeparlamentarja tha se 3 dekada janë një kohë shumë e gjatë për individin, por janë pak në jetën historike të një kombi. ”Edhe atëherë kur jeta e sjell që të prekësh pak histori para syve si këtu që bëhet edhe më dramatike ndoshta pikërisht për shkak të kontrasteve të hatashme. Porto Palermo, kjo perlë e bregut tonë, dukej si zgjedhja më djallëzore për të detyruar bashkëjetesën e mrekullisë me diell, det dhe mal dhe makthin me të cilin pushtuesit dhe sunduesit e këtij vendi mbyllnin, izolonin e rrekeshin të shtypnin e shuanin kundërshtarët e tyre”, u shpreh ndër të tjera Spiropali.