VIDEO/ Rama: Berati një pikëtakim fantastik të përvojave të sporteve të aventurës, përpos pjesë muzeale
Berati, qyteti muzeal dhe pjesë e UNESCO-s është shndërruar edhe në një pikëtakim fantastik të përvojave të sporteve të aventurës. Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga xhirot me kayak në liqenin e Qafë Dardhës, tek hiking me mushka në Kalanë e Tomorit.
”BERATI, përtej shijimit të pjesës muzeale është shndërruar edhe në një pikëtakim fantastik të përvojave të sporteve të aventurës. Nga xhirot me kayak në liqenin e Qafë Dardhës, tek hiking me mushka në Kalanë e Tomorit, aksesimi i këtyre destinacioneve falë investimeve në infrastrukturë dhe ideve të bukura të guximtarëve në industrinë e turizmit, e kanë disafishuar hartën turistike të Beratit brenda pak vitesh”,-shkruan Rama.
Berati vijon të jetë ndër destinacionet kryesore që vizitohet nga mijëra turistë në të gjitha stinët e vitit. Në periudhën janar-qershor 2024 qytetin e Beratit e kanë vizituar mbi 400 mijë vizitorë vendas e të huaj, shifër që pritet të dyfishohet deri në fund të këtij viti.
Përveç vizitave në kalanë historike dhe lagjet muzeale Mangalem e Goricë, turistët këtë vit janë orientuar edhe ndaj sportit të aventurës dhe degustimit në kantina. Turizmi i aventurës shkon paralel me atë historik dhe turizmin eksplorues të kulturës mijëravjeçare, një pikë kjo mjaft e fortë e këtij sezoni.