VIDEO/ ”Ryanair” i shtohet flotës ajrore në Rinas, Rama: Kemi marrë një vulë të rëndësishme

Kompania “Ryanair” do të operojë tashmë dhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, me fluturimet që do të jenë të mundura që nga vjeshta e këtij viti dhe me destinacione të reja. Kryeministri Edi Rama, pjesë e ceremonisë, e konsideron ardhjen e Ryanair si një vulë të rëndësishme për Shqipërinë. Rama u shpreh edhe se projeksioni i qeverisë është që numri i pasagjerëve në Rinas këtë vit të jetë 6.5 milionë.

“Për këtë arsye jam sot këtu sepse ardhja e Ryanair me 18 destinacione nga Tirana nëpër Europë tregon që ne kemi marrë një vulë të rëndësishme e cila vjen pas një përpjekje të gjatë për të ndryshuar katërcipërisht jo vetëm imazhin e Shqipërisë, e cila sot është në të gjitha mediat ndërkombëtare si vendi që duhet vizituar, por për të ndryshuar shumë gjëra që lidhen pikërisht pastaj me krijimin e këtij imazhi. Se Shqipëria e ka pasur detin po kaq të bukur edhe 10 vite më parë. Ka pasur diellin po kaq me shkëlqim edhe 10 vite më parë. Por për fat të keq nuk ka pasur asgjë tjetër për të mundësuar që të gjithë nga të katër anët e botës të mund të vijnë në Shqipëri”, tha Rama.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, tha në fjalën e saj se Shqipëria ka ecur me hapa të mëdhenj në këtë sektor. Ajo theksoi se këtë vit vendi ynë do të presë më shumë se 6.5 milionë pasagjerë. Drejtuesi ekzekutiv i Ryanair, Eddie Wilson, tha se në një periudhë afat shkurtër, kjo kompani do të ketë 17 itinerare të reja, 200 fluturime në javë dhe do të transportojnë të paktën 2 milionë pasagjerë vetëm gjatë vitit të parë.

Ardhja e Ryanair përkon edhe me inaugurimin e ambienteve të reja të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit, shtuar kështu mjediset dhe kapacitetet.

SHKARKO APP