VIDEO/ Torta ”Belinda”, kampione në shitje. Zv/kryeministrja Balluku surprizohet në Fier nga deputetja
E gjendur në jug të vendit për inspektime të vazhdueshme, zv/kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku sot ishte në qytetin e Fierit, ku pas një ftese nga deputetja e PS, Antoneta Dhima u ndal në pastiçerinë më të vjetër e më të famshme të qytetit, Pastiçeri “Rustemi”.
”Një kafe me Antoneta Dhima në qendër të Fierit, në pastiçerinë më të vjetër e më të famshme të qytetit, Pastiçeri ”Rustemi”. Kafja ishte thjesht arsyeja për një surprizë fantastike, një tortë me emrin tim, që është kthyer në tortën më të preferuar të fierakëve që nga viti 2023”, u shpreh Balluku. Pronari i pastiçerisë, Neritan Rustemi, u shpreh se torta ka emrin Belinda dhe është një nga produktet më të shitura. ”Torta ka një kombinim shijesh, torta porositet më shumë në dasma”.
Deputetja e PS-së falënderoi zv/kryeministren që gjeti kohën të vijë për këtë surprizë. ”Ju falënderoj që gjetët kohën, sepse keni qenë në inspektime në jug të vendit dhe gjetët kohën të vini. Torta ”Belinda” është kampione në pastiçeri ”Rustemi”. Në fakt pastiçeria është në çdo familje në festa, në gëzime, por pse jo edhe në festat e grupit tonë parlamentar dhe në fitoret tona”, tha Dhima.