VIDEO/ Ujësjellësi i ri i Laçit, Balluku: Reforma që ndërmorëm në sektor po jep rezultate pozitive
Në qytetin e Laçit punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri kanë hyrë në fazën finale. 32 mijë banorë përfitojnë nga ky investim, i cili i jep zgjidhje një problematike shumëvjeçare për këtë zonë. Punimet për ndërtimin e ujësjellësit të Laçit janë ndarë në katër faza. Në tri fazat e para u bë e mundur hapja e pus-shpimeve, rehabilitimi i stacionit të pompimit, shtrimi i linjës kryesore, ndërtimi i depove ujëmbledhëse si dhe linjës shpërndarëse. Aktualisht po punohet për fazën e katërt dhe të fundit.
Zv/kryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga kreu i AKUK, Klevis Jahaj, kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara dhe deputetja Shpresa Marnoj ndoqën nga afër punimet e realizuara, ndërsa i gjithë projekti parashikohet të përfundojë në muajin prill të këtij viti.
“Kemi nisur këtë reformë që në vitin 2021 me agregimin e ndërmarrjeve nga 58 për ti bërë 16. Ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer me kryetarët e bashkive, me këshillat bashkiak. Kemi pasur mirëkuptim të plotë. Është kuptuar që duhet Qeveria ta udhëheq këtë proces, përkohësisht patjetër. Nuk është synimi jonë që të mbajmë këto ndërmarrje, por çështja qëndron që edhe situata financiare, edhe situata teknike e 58 ndërmarrjeve të fragmentuara dhe të copëzuara nuk mund të lihej më të vazhdonte ashtu.
Qeveria duke pasur një ekspertizë tjetër, duke pasur një mbështetje dhe fuqi tjetër qoftë edhe nga donatorët tanë, të cilët duhet të gjejmë rastin që ti falenderojmë pasi kanë qenë gjithmonë aktiv, Banka Botërore, KfW, SECO zvicerane patjetër, të gjitha këto së bashku na kanë bërë që të marrim këtë vendim, i cili nga të gjithë treguesit që kemi mbledhur gjatë vitit 2023, padyshim duket një vendim i saktë dhe i suksesshëm, por gjithmonë duke mos dashur që të cenojmë autonominë vendore. Ky është një bashkëpunim midis palëve”, tha Balluku.