VIDEO/ Zhvillimi i agroturizmit, zv/kryeministrja Balluku: Lehtësime nga qeveria për nxitjen e sipërmarrësve
Qeveria ”Rama 3” synon të nxisë edhe më tej zhvillimin e agroturizimit, si një sipërmarrje e rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit. Zv/kryeministrja, Belinda Balluku, së bashku me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj dhe ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ishin në Klos në një takim me sipërmarrës të cilët kanë investuar për ngritjen e bujtinave.
Balluku theksoi se qeveria shqiptare kërkon që të kthejë në njësi ekonomike çdo fermë edhe çdo bujtinë, pasi secila prej tyre kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe të zonës ku ajo është ngritur. Referuar shifrave, tha Balluku, numri i vizitorëve në qarkun Dibër për vitin 2023 ishin 73 mijë, çka tregon sa tashmë edhe kjo zonë po kthehet në një destinacion.
“Na lind një nevojë e menjëhershme që ti përgjigjemi me struktura kësaj kërkese të vizitorëve. Të kemi më shumë bujtina, të kemi më shumë shtretër, të kemi më shumë produkte vendase, pasi dikush që vjen të vizitojë një agroturizëm vjen për të provuar produktet vendase dhe jo ato të importuara.
E gjitha kjo e thënë thjesht me fjalë kërkon një punë kolosale nga të gjitha ministritë sektoriale, nga pushteti vendor këtu dhe sigurisht nga secili prej jush të cilin e kanë traditë blegtorinë, bujqësinë. I ka traditë i gjithë populli jonë mikpritjen që është turizmi praktikisht sot”, tha Balluku.
Zëvendëskryeministrja shtoi më tej se janë ndërmarrë një sërë politikash lehtësuese për nxitjen e këtij sektori, duke synuar që deri në vitin 2030 numri i bujtinave në Shqipëri të jetë 1 mijë.