Adritatik Lapaj ankohet në KAS për mandatin e Tiranës: Më takon mua, lista e mbyllur u dorëhoq
“Shqipëria Bëhet” ka ankimuar në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili i dha mandatin e vetëm të fituar në qarkun e Tiranës, kandidates Kleana Xhuveli.
Sipas përfaqësuesve të “Shqipëria Bëhet”, vendimi i KQZ-së është i pavlefshëm pasi kandidatët në listën e mbyllur për këtë qark, përfshirë edhe Xhuvelin, kanë dorëzuar paraprakisht dorëheqje nga kandidimi, para nisjes së procesit të numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Në ankimimin drejtuar KAS-it, “Shqipëria Bëhet” kërkon anulimin e vendimit të KQZ-së dhe njohjen zyrtare të dorëheqjeve nga kandidimi.
Sipas argumentimit ligjor të paraqitur nga SHB, në këto kushte KQZ duhej të kishte proceduar me shpërndarjen e mandatit, duke iu referuar radhës së listës dhe duke respektuar parimin e ligjshmërisë dhe vullnetit të shprehur nga kandidatët për të mos qenë pjesë e garës.
“Çështja që ngre KQZ-ja nuk ka lidhje me situatën në të cilën ndodhemi. Jemi përpara situatës që 12 kandidatët kanë shprehur vullnetin me shkrim në datën 11 maj për t’u dorëhequr nga kandidimi, dhe nëse KQZ do të kishte përmbushur detyrimin ligjor për të dalë me një akt administrativ (të miratimit, refuzimit apo të çfarëdo forme dhe përmbajtje), do të ndodheshim përpara faktit që KQZ nuk do t’i hynte fare këtij diskutimi, por do të kishte proceduar me djegien e listës së mbyllur dhe do të kishte proceduar me kalimin e mandatit tek më i votuari i listës së hapur.
Në kushtet kur KQZ nuk ka vepruar në përputhje me ligjin, e ka vendosur subjektin zgjedhor në një pasiguri juridike në raport me gjithë subjektet e tjera zgjedhore, duke krijuar një precedent te rrezikshëm për sistemin zgjedhor dhe fuqinë institucionale, duke e nëpërkëmbur marrëdhënien mes institucionit dhe individit. Kjo për faktin se heshtja e KQZ ka krijuar kushtet për të besuar vullnetin e kandidatëve të tërhequr.
Pjesë e këtij procesi ankimimi duhet të jetë edhe interpretimi dhe unifikimi i praktikave të ndryshme që ka ndjekur KQZ duke zbatuar rastin e precendetit të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 ku kandidati Tom Doshi u tërhoq nga kandidimi ditën e zgjedhjeve dhe KQZ u shpreh me vendim, një ditë pas këtij akti. A i ndryshoi KQZ në këtë rast listat shumemërore?! A përbënte ky fakt për KQZ arsye për ta quajtur këtë veprim si ndryshim i listave shumemërore në kundërshtim me Nenin 73/4 të Kodit Zgjedhor?!”, thuhet në kërkesën e Lapajt.
KOHA JONË SONDAZH

