Urimi i Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Rama për shqiptarët
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka uruar të gjithë shqiptarët për Vitin e ri 2019.
Me një mesazh në faqen e tij në Facebook, Presidenti Meta ka uruar “shëndet, gëzim e hare, paqe, shpresë e mirëqenie, dashurie e mirësi për njëri-tjetrin!”
Mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta:
Të dashur motra e vëllezër shqiptarë!
Sot, në ditën e fundit të vitit 2018 uroj sinqerisht të lemë pas të gjitha vështirësitë, pamundësitë e ndasitë, konfliktet e vazhdueshme dhe rraskapitëse të vitit që po mbaron, për të ndërtuar një dialog të qëndrueshëm, të shëndetshëm e të gjithanshëm mes nesh, për të na sjellë të gjithëve, më shumë përkushtim dhe vëmendje ndaj gjërave të mira e të bukura, më shumë vullnet, forcë e përgjegjësi, më shumë energji, mençuri dhe besim për të qenë së bashku në sfidat tona dhe më shumë vizion e përpjekje për suksese të përbashkëta.
Uroj që Viti 2019 të realizojë dëshirën e madhe të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian dhe të na sjellë më pranë ëndrrën e bukur të të rinjve dhe të gjithë shqiptarëve, ‘ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa’, duke na ftuar, gjithë secilin prej nesh, të dhurojmë më shumë dashuri për njëri-tjetrin, fëmijët tanë, prindërit e të afërmit, fqinjët e miqtë tanë, për familjen shoqërinë e vendin tonë të mrekullueshëm!
Gëzuar Vitin e Ri 2019!
Ju uroj shëndet, gëzim e hare, paqe, shpresë e mirëqenie, dashurie e mirësi për njëri-tjetrin!
Le të na shoqërojnë këto urime e ndjenja pozitive për gjatë gjithë vitit që po troket!
Mesazhi i plotë i Edi Ramës
Gëzuar të gjithë në Shqipëri, Kosovë e kudo.
Me ardhjen e 2019 për çdo bebe të lindur, do të hyjë çeku i ri i bebes, mbështetje financiare për çdo prind të ri.
Mijëra sipërmarrës do të paguajnë 3 herë më pak taksa ndërsa për gjithë fermerët taksa 20% për inputet bujqësore do të shkojë më në fund 0.
Nga nesër studentët tanë do përfitojnë përgjysmim tarifash, ndërsa më të mirët dhe ata në nevojë do të marrin dhe bursë 10 mijë lekë në muaj. Punësimi i tyre në shtet do të jetë automatik, me parimin më i miri zgjidhet i pari.
Do të jetë fillimi i fluturimeve ndërkombëtare nga aeroporti i Kukësit. Do të nisë ndërtimi i hekurudhës së parë moderne Tiranë- Durrës
Këto janë 6 orët e fundit të kumarit në Shqipëri, asnjë familje s’do jetë më e kërcënuar. Qindra miliona euro që i ka marrë lumi do mbeten në familje.
Këto e të tjera janë frute e përpjekjeve që kemi bërë këto vite. Ky vit mbyllet me rritje ekonomike 4.5%.
Kushdo që nuk ka prekur ende asgjë na ndryshimet e bëra, kjo më motivon për të krijuar Shqipërinë që duam. E dimë që jemi ende larg drejtësisë që duam, por nëse shohim pas do kuptojmë që kemi përparuar shumë.
2019 do nisë me qeveri të re. Me besimin e madh se më e mira po vjen dhe falënderimin për reagimet tuaja, ju përcjell reagimet e mia më të përzemërta.