Viti nis te PD-ja, ja çfarë pritet me datë 5. Basha po ndryshon edhe dyert
Jeta politike nis menjëherë që më datë 5, në selinë e PD-së. Kjo pasi Komisioni i Rithemelimit të PD, i ka lënë afat Lulzim Bashës, këtë datë për të liruar zyrën e kryetarit.
Ky paralajmërim vjen pas mbajtjes së Referendumit në dhjetor të 2021, ku anëtarësia e PD-së votoi pro shkarkimit. Ajo që është në pikëpyetje të madhe, është se çfarë do të ndodh? Përplasje? Nuk dihet sesi do të veprojë Komisioni, pasi Basha nuk hap rrugë.
“Asgjë s’do të ndodhë. PD e përgatitur për çdo situatë e nuk do të lejojmë trekëndëshin e Bermudës, që në një vit që premton të jetë vendimtar për ndarjen nga tranzicioni ta zhvendosë fushën e betejës nga shumica e shqiptarëve nga regjimi i Ramës dhe patericave të tij te përplasja mes demokratëve për interesat e një personi të vetëm”, tha Basha më herët.
Nga ana tjetër, mësohet se Basha ka urdhëruar izolimin e godinës me veshje të dyerve. Brenda godinës po kryen punime për forcimin e sigurisë, e mbulimi i fasadës ka si qëllim kryerjen e punimeve brenda deri tek ndryshimi i dyerve ekzistuese me dyer të blinduara.