Vizita e Kryeministrit Rama në Beograd nën presionin ndërkombëtar

Vizita nuk dëshmon një raport normal mes dy vendeve

Mero Baze

Për drejtorin e të përditshmes TEMA, Mero Baze, kjo vizitë është e minuar praktikisht nga nacionalizmi serb dhe nuk po bëhet si pjesë e një procesi të brendshëm, por si pjesë e aktorllëkut para perëndimit. Pra, serbët po e presin Edi Ramën, pasi nuk duan që shqiptarët të dalin para Evropës më evropianë se ata, thotë Baze për Deutsche Wellen. “Mendoj se nuk është një vizitë që dëshmon një raport normal mes dy vendeve dhe një evolim të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Është një ‘qokë’, siç thuhet në gjuhën popullore që i bëhet Evropës”.

Analisti Blendi Fevziu, drejtues i emisionit “Opinion” në Televizionin kombëtar KLAN bën një paralelizëm mes vizitës së të hënës të kryeministrit Edi Rama me atë të 68 viteve më parë të Enver Hoxhës, kur ky i fundit, sipas tij, u soll dukshëm si një vasal politik i Titos. Për Fevziun, sot jemi në një kontekst tjetër, pasi Rama do të udhëtojë në Beograd, si kryeministër i një vendi anëtar i NATO –s, si kryeministër i një shteti që në procesin e integrimit është po aq i avancuar sa Serbia, që e ka GDP për frymë thuajse të ngjashme me atë të Serbisë, që ka një marrëdhënie impresionuese me SHBA, fuqinë më të madhe të globit dhe i një vendi që s’ka asnjë dilemë për përkatësinë euro – atlantike të tij.

 Blendi Fevziu

“Në rrafshin rajonal, Rama shkon si kryeministër i një vend, bashkëkombasit e të cilit janë përcaktues në stabilitetin e katër shteteve në Ballkan. Kosova është shtet i pavarur; shqiptarët e Maqedonisë janë element i rëndësishëm shtetformues atje dhe ata të Malit të Zi, garant të pavarësisë së këtij vendi në ballancat e vështira etnike. Kryeministri i Shqipërisë reflekton në Ballkan një fuqi që Shqipëria nuk e ka pasur asnjëherë në 75 vitet e para të ekzistencës së saj si shtet dhe këtu qëndron edhe diferenca e tij me Hoxhën. Rama duhet të jetë koshient për atë që përfaqëson dhe duhet të çlirohet nga ‘sindroma e Hoxhës’; ajo e të ndjerit i vogël dhe inferior në raport me fqinjët. Shqipëria ka shansin të imponojë një imazh tjetër në Ballkan, një imazh që ka nisur të strukturohet dukshëm që pas mbarimit të izolimit dhe rrëzimit të regjimit komunist”- thotë Fevziu për Deutsche Wellen.

Komentatori politik Mentor Nazarko i shikon nga një këndvështrim tjetër pritmëritë e vajtjes së kryeministrit shqiptar në Serbi. Të paktën relaksim të raporteve mes dy vendeve pas.klimës së krijuar nga ndeshja e Beogradit, thotë Nazarko për Deutsche Wellen. “Ndikimi perëndimor, kryesisht ai gjerman, i biznesit serb që po kërkon hapësira të reja, por dhe qasja moderuese e politikës zyrtare shqiptare, do e përcaktojnë këtë relaksim. Shqipëria dhe kombi shqiptar ka fituar mbi Serbinë, falë aleancës me Perëndimin në fundshekullin e 20-të ndaj duhet ta trajtojë me.njëfarë zemërgjerësie vigjilente fqinjin ende të traumatizuar serb, siç u duk dhe me ngjarjet e Beogradit.”

Shqipëria të “eksportojë” në Preshevë shembullin e mirë të asaj

Për pjesën më të përfolur të agjendës, takimet me shqiptarët në Luginën e Preshevës, Mentor Nazarko, mendon se derisa Serbia të njohë Kosovën, Shqiperia duhet të perkujdeset për këtë minoritet shqiptar, që sipas tij, i përket shtetit të ri të Kosovës. “Duhet të sigurohet vazhdimësia e asaj popullsie në një territor me rëndësi strategjike. Duhet të behet presion tek Serbia që s’ka alibi pse popullsia shqiptare ka standardet më të ulta të jetesës, krahasuar me pjesën tjetër të Serbisë”.

Mero Baze nga TEMA shikon disa aspekte se si mund të mbështesë Tirana zyrtare shqiptarët në Luginën e Preshevës. Së pari, sipas analizës së tij, duhet që të “eksportojë” në Preshevë shembullin e mirë të asaj që në fakt në Shqipëri ende nuk egziston.

Mentor Nazarko

“Sado larg, shqiptarët jashtë Shqipërisë imitojnë Tiranën politike dhe kuptohet që çdo zhvillim negativ këtu ndikon atje për keq. Pra, në fillim s’duhet t’u bëjmë keq. Më tej duhet të nxisë tek ata dialogun politik mes palëve, fuqizimin e tyre institucional në institucionet e Serbisë, pra, një përfaqësim më të fortë politik dhe jo defaktorizim për shkak të përçarjeve politike. Së fundmi, duhet të bëjë kujdes që disa elementë shqiptarë të mos bëhen ushqim për instrumentalizimin e serbëve kundër shqiptarëve, sa i përket ekstremizimit mysliman dhe përfshirjes së tyre në grupe terroriste ndërkombëtare. Kjo është një lojë që Serbia e ushqen përditë për të pasur argumente kundër shqiptarëve”.

Reflektimi në rajon pas iniciativës së kancelares Merkel

Mero Baze e shikon vizitën e kryeministrit të Shqipërisë në kuadër të angazhimit të shtuar të kancelares Merkel dhe interesit evropian që rajoni të jetë në paqe. “E përsëris nuk është ende një vizitë që është fyrt i zhvillimeve të brendshme. Është e imponuar nga jashtë.” Në të njëjtën linjë është dhe komentatori politik Mentor Nazarko, kur përmend për Deutsche Wellen reflektimin që ka në rajon pas iniciativës së kancelares gjermane. “Më duket se ka lëvizje pozitive veçanërisht në planin e iniciativave infrastrukturore. Kombi shqiptar veçse fiton nga integrimi i rajonit, sepse kështu fiton përmasën e vet territoriale, numerike, gjuhësore, etj. Por na duhet një strategji kombëtare përbashkuese nën udhëheqjen e Tiranës zyrtare.”

Mundësi për thellimin e shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve

Luan Bregasi, president i BiznesAlbania, vlerëson se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, nuk është se kanë ndonjë shkëlqim, por konsiderohen, sipas tij, në kufijtë e normales. Shqipëria dhe Serbia janë të fokusuara më shumë në sektorët e ushqimeve, pijeve, prodhimeve bujqesore etj, një strukturë tregtare që ecën si inerci e tregtisë që Tirana zyrtare zhvillonte dikur me vendet e ish-Republikës Federative të Jugosllavisë. Produktet që zënë peshën më të madhe në shkëmbimet tregtare me Serbinë janë gruri e mielli, si lëndë e parë për prodhimin e bukës dhe të ëmbëlsiraave, tregon Bregasi për Deutsche Wellen.

“Sipermarrësit serbë, ndryshe nga klasa politike atje, njihen si njerëz korrektë dhe seriozë, që respektojnë kontratat. Janë tregtarë shumë të mirë, të cilët, sipas mendimit tim, nuk ndikohen aspak, nga sjelljet jo shumë mbështetëse që ju bëjnë këtyre marrëdhenieve klasa e tyre politike. Nga vizita e kryeministrit Rama në Beograd, shikohen mundësi për ti thelluar më tej shkëmbimet tregtare mes dy shteteve. Kemi disa avantazhe të përbashkëta, jemi shumë afër dhe me mundësi transporti tokësor dhe hekurudhor, që ndikon në uljen e kostove të dyanëshme. Po kështu dhe tradita e shkëmbimeve tregtare është avantazh. Rritja e prodhimeve tona bujqësore dhe shumë cilësore, të kërkuara në tregun serb, do të përbënin një objektiv shumë të rëndësishëm për të rritur nivelin e shkëmbimeve tregtare Shqipëri- Serbi.”

SHKARKO APP