Vizita e Ramës në Serbi, një shans për shkrirje akujsh mes Tiranës dhe Beogradit
Vizita e ndërmjetësuar më së shumti nga qeveria gjermane, e shtyrë për në 10 Nëntor pas tensionit të lartë që shkaktuan incidentet e ndeshjes Serbi-Shqipëri, mbart ende pikëpyetje për mesazhet e saj dhe rezultatet që do të prodhojë.
Dy vendet ndajnë mes tyre një histori të vjetër konfliktesh. Ndaj edhe vizita e parë e një lideri shqiptar në Beograd, pas asaj të Enver Hoxhës në vitin 1946, shihet nga Brukseli si mundësi e artë për ndërtimin e një historie të re paqeje në rajon.
Por a është kompromentuar ky shans pas ngjarjeve të dhunshme të 14 Tetorit?
Ish-kryeministri shqiptar, Pandeli Majko mendon se vizita e Edi Ramës në Beograd do të prodhojë disa rezultate të rëndësishme, edhe pse reflektimi i plotë rreth saj do t’i takojë një kohe të mëvonshme.
“Kjo vizitë heq barrierat që ekzistojnë prej dekadash mes Tiranës dhe Beogradit dhe materializon dëshirën e kryeministrit shqiptar dhe të Shqipërisë për marrëdhënie të relaksuara dhe të qëndrueshme me Serbinë,” tha Majko për BIRN.
Ai shton se kjo vizitë ka gjithashtu lidhje të drejtpëdrejtw me statusin e shqiptarëve që jetojnë në luginën e Preshevës, duke e cilësuar takimin e Ramës me ta si momentin më simbolik të vajtjes në Serbi.
Edhe kryetarja e Komitetit serb të Helsinkit, Sonja Biserko e sheh vizitën e Ramës në Beograd si një hap që i ka munguar prej kohësh rajonit.
“Shpresoj që pala serbe ta përqafojë mundësinë dhe të ngrihet mbi gjithë atë emocion që shpërtheu pas ndeshjes së futbollit,” thotë Biserko.
Ajo mendon gjithashtu se takimi mes kryeministrit shqiptar dhe atij serb, Aleksandar Vuçiç, do të shërbejë për ftohjen e gjakrave pas makthit të shkaktuar në Serbi nga harta e “Shqipërisë së Madhe” mbi stadiumin e Partizan të Beogradit.
“Takimi do të jetë një mesazh i fortë për Kosovën dhe një sinjal se çështja e kufijve është përfundimisht e mbyllur në Ballkan,” shton Biserko.
Standardet e dyfishta në marrëdhëniet Serbi-Shqipëri
Edhe pse ndajnë mes tyre një marrëdhënie të ngrirë në dekada, Serbia dhe Shqipëria ngjasojnë tepër në jetën e dyfishtë mes sjelljes në shtëpi dhe asaj përballë Perëndimit.
Ngjarjet e fundit i treguan edhe njëherë elitës politike të dy vendeve se nacionalizmi ende shet, ndërkohë që afrimi me BE-në dikton rregulla të tjera loje.
Por ish-kryeministri Pandeli Majko flet për një jetë të dyfishtë, edhe brenda marrëdhënieve serbo-shqiptare.
Sipas tij, Serbisë i ka interesuar gjithnjë të mbajë marrëdhënie të fshehta me Tiranën zyrtare dhe ka ardhur koha që kjo gjë të marrë fund.
“Serbia duhet të zhvishet nga këto raporte të fshehta, të cilat kanë ekzistuar për hir të së vërtetës edhe në kohën kur armiqësia mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë trumbetohej në nivelet më të larta”-thotë ai.
Majko mendon se vizita e Ramës në Beograd do të ndikojë që marrëdhënia Serbi-Shqipëri të bëhet transparente në një kontekst sa më të plotë.
“Për herë të parë, liderët duhet të ballafaqojnë hapur problemet që ekzistojnë mes nesh dhe t’i shtrojnë ato për zgjidhje, në shinat e integrimit europian”,-thotë ai.
Nga Beogradi, kryetarja e Komitetit serb të Helsinkit pranon se ky takim po mbahet më së shumti prej presionit të Bashkimit Europian dhe veçanërisht Gjermanisë.
“Po kështu ka ndodhur fundja me të gjithë vendet e rajonit; kjo është mënyra e BE-së për ta futur Ballkanin në rrugën e integrimit, me shpresën se brezat e ardhshëm do të jenë më të gatshëm për të bashkëpunuar,”shton ajo.
Qëndrime të kundërta, e ardhme e përbashkët
Takimi Rama-Vuçiç është veçse një hap i vogël në përpjekjet për pajtim mes dy vendeve. E në këtë kontekst, arritja e ndonjë marrëveshjeje konkrete në vizitën e së hënës duket e vështirë.
Dy kryeministrat ndajnë qëndrime krejt të kundërta për Kosovën, incidentin e Beogradit apo vetë historinë, tema këto që pritet të thithin edhe interesin më të madh.
“Është e qartë që nuk do të tejkalohen të gjitha ndasitë që kemi pasur në shkuarën, nuk do të ketë një rezultat të thjeshtë, për çfarëdo që ata do të mundohen të bien dakord”,-thotë Sonja Biserko për BIRN, e cila ngulmon megjithatë ta quajë këtë një hap përpara.
Pandeli Majko bie dakord me vështirësitë, por nënvizon që në një rajon të dominuar nga konflikte dhe ndasitë midis etnive, kjo vizitë është një mesazh i qartë për të ardhmen e përbashkët në BE.
“Një dorë e shtrirë e Shqipërisë drejt armikut të vet historik, për të ndërtuar një histori paqeje mbi historinë e vjetër të luftërave dhe konflikteve, është shumë e domosdoshme në kontekstin e sotëm rajonal dhe atë të Bashkimit Europian,” thotë ai.
BIRN