Vizita në Itali, Meta takon Boldrinin: Forcim i mëtejshëm i marrëdhënieve me Italinë
Në vijim të vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u takua me Kryetaren e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, zonjën Laura Boldrini, me të cilën zhvilloi një bisedë të ngrohtë e miqësore.
Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera e të partneritetit strategjik midis dy vendeve, si dhe shprehu vendosmërinë për promovimin dhe forcimin e mëtejshëm të tyre në të gjitha fushat.
Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për mbështetjen më të fundit që zonja Boldrini dha personalisht në zgjidhjen e çështjes së eleminimit të taksës për mjetet shqiptare të transportit që tranzitojnë territorin italian.
Nga Presidenti Meta u vlerësua kontributi i jashtëzakonshëm i zonjës Boldrini si përfaqësuese e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR-së) në zonat verilindore të Shqipërisë, në përballimin e pasojave humanitare të konfliktit të vitit 1999 në Kosovë.
Intensifikimi i bashkëpunimit ndërparlamentar, në mënyrë të veçantë ai mes grupeve parlamentare të miqësisë, u konsiderua jashtëzakonisht i rëndësishëm për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për mbështetjen e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Të dy bashkëbiseduesit u dakordësuan për nevojën e nxitjes të iniciativave ligjore, që u hapin rrugën projekteve konkrete për njohjen e kontributit të shqiptarëve që jetojnë në Itali me qëllim garantimin e një gjithëpërfshirjeje të drejtë për ta dhe familjet e tyre.
Një vëmendje të veçantë Presidenti Meta dhe zonja Boldrini ia kushtuan edhe bashkëpunimit rajonal dhe progresit të deritanishëm të këtij bashkëpunimi. Presidenti Meta vlerësoi rolin dhe kontributin real të Italisë për paqen, stabilitetin dhe integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimimn Evropian dhe theksoi se angazhimi dhe prezenca më e madhe politike, institucionale dhe ekonomike e Italisë në rajonin e Ballkanit do të ishte shumë e mirëpritur.