Vjedhja e energjisë, Rama vlerëson vendimet e gjykatave: Po lëvizin në drejtimin e duhur
“Të dhënat e operacionit kundër vjedhjes së energjisë janë mjaft inkurajuese. Më në fund edhe në gjykata diçka po lëviz në drejtimin e duhur në këtë fushë”, shkruan Kryeministri Rama.
Kreu i Ekzekutivit shton se, “jo pak vjedhës të energjisë po mbeten në burg! Por ka ende shumë për të bërë që ky krim i toleruar për njëzet vjet rresht, me pasoja shkatërruese në arkën e shtetit, por edhe në buxhetin e familjeve që paguajnë rregullisht, të zhduket njëherë e mirë si fenomen i turpshëm për vendin e për shoqërinë tonë”.
“Pensionistët kryefamiljarë si edhe personat me aftësi të kufizuar, pjesët më të dobëta të zinxhirit shoqëror, hyjnë tek paguesit më të rregullt të energjisë elektrike në vite.
Ky fakt kuptimplotë u heq çdo justifikim atyre që mundohen më kot të justifikojnë vjedhjen e energjisë me varfërinë. Nuk janë të varfërit shkaku i shkatërrimit që ka sjellë vjedhja e energjisë për vendin e për shoqërinë tonë, nënvizoi Rama. Por, sipas tij, janë ata që e vjedhin energjinë edhe pse i kanë lekët për të paguar – në radhë të parë, ata që kanë biznese të mëdha e njësi tregtare dhe janë mesuar të paguajnë sa një konsumator familjar”, theksoi Kryeministri i vendit.
Kreu i ekzekutivit vuri në dukje faktin se operacioni kundër vjedhjes së energjisë është fokusuar në këtë fazë të parë pikërisht tek vjedhësit e mëdhenj e të kamur.
“Së bashku me bashkepunëtorët e tyre brenda kompanisë, ata po arrestohen dhe çohen përditë përpara drejtësisë”, shtoi Rama.
“Ky operacion nuk ka ndalim as mbarim, deri ditën kur ky fenomen skandaloz dhe shkatërrues i vjedhjes së energjisë nga të katër anët, të jetë zhdukur në çdo cep të Shqipërisë”, theksoi ai.
Rama në postimin e tij bënë të ditur se rreth 200 mijë familje në nevojë do të marrin shtesë pensioni, shtesë ndihme ekonomike apo shtesë në pagën e aftësisë së kufizuar, për të mos e ndjerë asnjë grimë heqjen e fashës 300kw.
Të gjithë të tjerët do të paguajnë detyrimin ose do të përballen me forcën e vullnetit tonë të palëkundur për ta vendosur shtetin në anën e ligjit, të interesave kombëtare, të interesave të shoqërisë e të çdo individi, që respekton ligjin dhe paguan rregullisht energjinë që konsumon”, përfundon Rama postimin e tij.