Vjedhja e të dhënave nga PS, Matlija: Dëmi i shqiptarëve më i madh se përfitimi i partisë

Avokati Dorian Matlija, ka folur në lidhje me vjedhjen e të dhënave personale, çështje e cila ka mbërritur deri Gjykatën Evropiane të Strasburgut.

I ftuar në edicionin e lajmve të Ora News, me gazetaren Matilda Mcini, Matlija, i cili ishte në mbrojtje të gazetarëve Andi Bushati dhe Armand Shkullaku pasi këto të fundit publikuan për herë të parë skandalin e vjedhjes së të dhënave, tha se Prokuroria nuk merrej me fenomenin por donte të zbulonte burimin.

Më tej ai tha se organet e hetimit nuk kanë asnjë lloj të drejte të marrin celularin apo mjetet e punës të dikujt, e sidomos të një gazetari, si pjesë të hetimeve.

“Media ka nxjerrë vetë skandalin e databazës. Organet e hetimit mund të marrin celularin apo material të tjera vetëm nëse e kanë të domosdoshme, sa nuk bëjnë dot pa këtë lloj prove, jo kur kanë mundësi të tjera hetimi. SPAK kontaktoi më njërin prej tyre, Andi Bushatin e mori në pyetje, kishte interes për të kuptuar se kush e kishte nxjerrë, por Bushati nuk e tregoi se nga e kishte marrë. Në Gjykatën e Posaçme të Apelit, Prokuroria tha se nuk donin të dinin burimin por donin të merrnin databazën, ndërkohë që nuk ka mbetur shqiptar pa e pasur databazën.”

Më tej ai shprehet se në Shqipëri, institucionet nuk merren me të kallëzuarin por me kallëzuesin.

“Mënyrën se si e ka kritikuar Komisioni i Venecias kuptojmë se se kemi të bëjmë me një mekanizëm represiv ndaj gazetarit dhe jo me një mekanizëm për të shpëtuar një të drejtë tjetër. Në Shqipëri ka problem se hetohet kallëzuesi dhe jo I kallëzuesi, jemi në një situatë ku janë prishur balancat, dhe prandaj në një situatë ekstreme ndërhynë edhe Gjykata Evropiane.

Ky po bën një shtet sipas tij, siç do ai. Shpresoj që vendimi i Gjykatës Evropiane të jetë një pikë kthese të paktën sa i përket gazetarëve, sidomos për këta gazetarë që mundohen t’i shkojnë çështjes deri në fund.  Gazetarët duhet të bëjnë rezistencë. “

Matlija, tha se vjedhja e të dhënave është një problem shqetësuese, duke shtuar së dëmi që i është bërë Shqipërisë nga një parti politike për hir të zgjedhjeve është më i madh se përfitimi që ka pasur vetë ajo parti.

“Numri i kartave të identitetit nuk ndryshon asnjëherë, kam përshtypjen se do vijë momenti duhet të ndryshohen të gjithë kartat e identitetit. Me këtë databazën ne mund t’i mbyllim kartën e bankës kujtdo. Është bërë një rrëmujë e madhe vetëm se rrodhi ky informacion. Dëmi që i ka ardhur këtij shteti për hir të përfitimeve për fushatë elektorale është shumë herë më i madh sesa përfitimi që ka marrë ajo që partia. Dëmi është aq i madh sa do na duhet shumë kohë që ta riparojmë. Jemi të vëzhguar nga të gjitha anët nga një parti.”

Më tej thekson se Komisioni duhet të vendoste gjoba në lidhje me çështjen në fjalë, teksa thotë se duhen ndryshuar të gjithë numrat e ID.

“Komisioni duhet të vendoste gjoba për vjedhjen e të dhënave , janë 910 mijë shkelje. Çdo shqiptar ka të drejtë të kërkojnë ndryshimin e të dhënave të personale. Patronazhistët dhe vjedhja e të dhënave personale janë dy gjëra të ndryshme. Vjedhja e të dhënave të personale është shumë e rrezikshme sesa ajo e patronazhistëve.  Ka 1 mijë mënyra se si mund të përdoren të dhënat personale. Ne duhet ta ngremë zërin që shteti të ndryshojë të gjithë kartat e identitetit, të bëjë pasaportat biometrike të reja. “

SHKARKO APP