Vlahutin: Disa gjyqtarë janë ndër njerëzit më të pasur në vend
Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin deklaroi për radion gjermane, Deutschlandfunk se reforma në drejtësi do të hetojë lidhjet e gjyqtarëve me krimin e organizuar.
“Tingëllon e çuditshme, por në fillim të viteve 1990, të gjithë gjyqtarët ishin të kohës së komunizmit. Më pas nisi një kurs gjashtëmujor për të formuar gjyqtarët e rinj. E gjitha kjo bëri që korrupsioni të jetë një problem i madh i drejtësisë. Me reformën në drejtësi, gjyqtarët do kalojnë në të ardhmen në një proces hetimi, për të zbuluar lidhjet e tyre me krimin e organizuar dhe për të mësuar për të ardhurat e tyre. Nuk është sekret, që disa gjyqtarë këtu janë ndër njerëzit më të pasur në vend- edhe pse marrin 800 euro në muaj”, tha Vlahutin.
Vetë ajo është vendosur në qendër të debatit në Shqipëri për shkak të një raportimi se ajo është hetuar për fshehje pasurie në vendin e saj, në Kroaci.
“Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Romana Vlahutin, është proceduar në vendin e saj, Kroaci, për mosdeklarim të të dhënave të sakta mbi pasurinë, duke shkelur ligjin për parandalimin e konfliktit e interesit, një instrument i rëndësishëm për parandalimin e korrupsionit,” thuhej në kronikën e transmetuar nga TV Klan.
Akuzat ndaj Vlahutin kanë tërhequr dhe vëmendjen e kreut të opozitës Lulzim Basha, i cili në një konferencë për shtyp të hënën sugjeroi që kjo ishte një çështje që duhet të sqarohej nga Bashkimi Europian.
Ndërkohë që delegacioni i BE-së në Tiranë nëpërmjet një njoftimi për shtyp sqaroi se ambasadorja i kishte bërë të gjithë deklarimet e duhura sipas ligjit.
KOHA JONË SONDAZH

