Vlora sot, tamam si në Venecia të Italisë. Ku është deputeti i Vlorës, Rama?!

Qyteti i Vlorës, sërish nën ujë. Reshjet e shiut që kanë rënë mëngjesin e sotëm me intensitet të lartë kanë sjellë probleme në disa rrugë dhe lagje të qytetit, duke e kthyer në një Venecia të dytë. Venecia është qytet në Itali i cili është i zhytur në pjesën dërmuese nën ujin e detit, por prej shekujsh e jo nga mosmirëmbajtja e rrugëve!

Vlora noton sot si përherë kur ka reshje të shumta. Lagjja “28 Nëntori”, Lagjja “Pavarësia”, “1 Maji”, zona e Skelës si dhe shumë rrugë ndodhen nën ujë. Ndërkohë situata vijon të jetë problematike për banorët e Vlorës, por edhe për bizneset që ndodhen nën ujë, të cilët kanë pësuar dëme të jashtëzakonshme.

Niveli i ujit në rrugë në disa zona shkon deri në 50 cm. Reshjet e shiut vijuan deri pas mesdite në të gjithë rajonin e Vlorës, duke vështirësuar më tej situatën.

Kjo situatë përsëritet në qytetin e Vlorës sa herë ka reshje shiu.

Sipas të dhënave të publikuara rikonstruktimi i bulevardit, që prapë përmbytet, ka kushtuar 8 milionë euro dhe është financuar nga qeveria shqiptare me mbështetjen e Bankës së Këshillit të Europës dhe projekti u zbatua nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në kuadër të programit “Punët në Komunitet IV.

Por siç shihet në videon e mëposhtme, sa herë që bie shi, Vlora shndërrohet në Venecia, ku duhet të lëvizësh me varka. Qytetarët pyesin ku shkuan 8 milionë eurot e rikonstruksionit të Bulevardit përderisa prapë përmbytemi? Pse hesht kryeministri dhe deputeti i Vlorës, Edi Rama?

 

SHKARKO APP