VOA: Reforma në Drejtësi, largime dhe mungesa
Nga: Zëri i Amerikës
Drejtuesit e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë deklaruan sot në raportimet para ligjvënësve se për shkak të reformës dhe të Vetting-ut, sistemi i drejtësisë ka ende shumë vende pune bosh për gjyqtarë e prokurorë.
Një pjesë e gjyqtarëve u larguan me dorëheqje, një pjesë me shkarkime nga Vetting-u, ndërsa pjesa e mbetur po ngurron të aplikojë për të zënë vendet bosh. Megjithatë, Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami deklaroi se Gjykata e Lartë mund të vihet në funksionim me kapacitete të plota brenda muajit gusht. Llagami deklaroi se Gjykata e Lartë mund të vihet plotësisht në funksionim me kapacitete të plota brenda muajit gusht.
“Gjykata e Lartë aktualisht po punon me 7 anëtarë dhe 11 vende janë shpallur atje vakant për drejtësinë penale, civile dhe administrative dhe për këto vende janë paraqitur 23 aplikime gjyqtarësh”,-tha zonja Llagami. Gjykatat e Posacme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar po funksionojnë me gjysmën e numrit të gjyqtarëve; me 8 nga 16 në shkallën e parë dhe me 5 nga 11 në Apel. Sipas raportit nga KLGJ për parlamentin, sistemi gjyqësor shqiptar gjendet në situatë të vështirë prej shkarkimeve të shumta të gjyqtarëve nga Vetting-u.
Në 3 vitet e fundit janë shkarkuar 75 gjyqtarë, ndërkohë që pjesa e mbetur po hezitojnë të aplikojnë për të hyrë në vendet vakant, gjë që ka sjellë bllokime dhe vonesa në gjykime, sidomos në Gjykatën e Lartë dhe në gjykatat e apelit. Këto të fundit kanë 25 gjyqtarë aktualisht nga 78 që duhet të kenë, pra afro 3 herë më pak. Apeli administrativ po ashtu ka 9 gjyqtarë nga 13 që duhet të ketë. Zonja Llagami, dhe kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, paraqitën sot në komisionin parlamentar të ligjeve gjendjen e sistemit të drejtësisë gjatë reformimit, vettingut dhe pandemisë. Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka po ashtu një numër jo të vogël vendesh vakant për prokurorë dhe vecanërisht ka nevojë për drejtues prokurorish në të gjithë nivelet.
“Në dhjetor 2020 nisëm procedurat e verifikimit të pasurisë dhe integritetit të kandidatëve për 28 zyra prokurorie. Sot që flasim kemi arritur të arrijmë përfundimisht vetëm 4 prej tyresh. Sot ende kemi 10 zyra prokurorish, për të cilat nuk kemi kandidatë për pozicionin e drejtuesit të prokurorisë” – thotë Gent Ibrahimi, kryetar i KLP-së.
Sistemi i drejtësisë është në pritje të miratimit të një harte të re gjyqësore në Shqipëri, ku zbritjet janë të ndjeshme; nga 22 gjykata rrethesh pritet të mblidhen në 12 gjykata, nga 6 gjykata administrative do të mbeten vetëm 2 të tilla dhe nga 6 gjykata apeli do të mbetet vetëm një gjykatë apeli.
Megjithë pandeminë dhe vetingun, vëllimi i real i punës në sistemin gjyqësor ka rënë vetëm 5 për qind, ndërsa po trajtohen edhe një mori cështjesh gjyqësore të mbartura ndër vite. Për ta përballuar ngarkesën e punës, strukturat e reja të reformuara kanë nevojë edhe për të paktën 100 punonjës, ndonëse vlerësimet fillestare ishin për 300 punonjës. Disa nga gjykatat kryesore të Shqipërisë u mbyllën për më shumë se dy vjet apo reduktuan punën për shkak të dorëheqjeve, reformës dhe përjashtimeve të gjyqtarëve prej vetingut.