Vokshi: Basha po mundohet të krijojë skenarë dhe intriga, por fundi do jetë i keq
Deputetja Albana Vokshi pjesë e Komisionit të Rithemelimit të PD, e konsideron një turp nga ana e Lulzim Bashës, faktin që zhvilloi mbledhje për të diskutuar fatin e tij politik, kur në vend qytetarët protestonin në rrugë.
“Basha dhe deputetët e tij ishin mbledhur në seline ende të blinduar të PD, për të diskutuar fatin e Bashës. Kjo jo vetëm është papërgjegjshmëri por edhe turp. Në protestë kishte qytetarë që e kishin mendjen se çfarë po ndodhte në selinë e PD. Në atë moment duhet të diskutoheshin masat urgjente për uljen e çmimeve, paketat e bonusit, ato të vërtetat dhe jo falset që Rama propozoi dje.
E konsideroj papërgjegjshmëri të deputetit Basha. Ai është shkarkuar në Kuvendin e 11 dhjetorit. Nuk e di çfarë i kërkojnë më deputetët, që thjesht duhet të larë selinë dhe të iki. Ai thjesht mban logon, nuk ka nga çfarë të japi dorëheqjen. Komisioni i Rithemelimit i ka dyert të hapura për deputetët e PD që pranojnë votën e lirë. Pas 6 marsin u vërtetua kush e ka mazhorancën absolute brenda PD dhe opozitës”,-tha në “MCN TV”.
Duke folur mbi mundësinë e bashkimit të së djathtës, deputetja pohoi se gara është e hapur dhe nuk do të shihet se kush i është bashkuar foltores i pari apo i fundit. Ajo foli edhe për skenarë dhe intriga që po përpiqet të krijojë Lulzim Basha dhe i konsideroi si pjesë të skemës deklaratat për të bërë një hap pas.
“Lulzim Basha po mundohet të krijojë skenarë. Një pjesë e tyre kanë thënë “bëni një hap pas”. Një hap pas është skema për ta mbajtur peng edhe disa ditë. Sa më shumë e vonon largimin e tij nga karrigia e uzurpuar e kryetarit të PD, është më i keq është fundi i tij. Ai është njeri i vetmuar, i braktisur edhe nga ata që i ka pasur afër deri më 6 mars. Nëse i ka mbetur një fije dinjiteti duhet të lirojë selinë për t’i hapur rrugën bashkimit. Mesazhet që të tërhiqet Basha me kushtin që të tërhiqet Berisha do të thotë që mos respektosh rregullat e lojës”.