Vokshi rrëfen debatin me Bashën: Ftoj deputetët e tjerë të bashkohen me ”Foltoren”
Mesa duket e ”përjashtuara” tjetër e Lulzim Bashës është Albana Vokshi. Në hapjen e procesit për zgjedhjet e drejtueseve të reja në Forumin Demokrat të Gruas, Vokshi pati përplasje me kryetarin e Partisë Demokratike.
Vokshi tregoi debatin që ajo pati me Bashën, duke bërë të ditur se gjithçka ka nisur pas deklaratës së të dielës, kur Basha tha se koha e Berishës ka mbaruar.
Po ashtu deputetja u bëri thirrje edhe deputetëve të tjerë të PD që të bashkohen me Foltoren nëse nuk i pëlqen mendimi i Bashës.
“Ishte një mbledhje shumë e shkurtër, e filluar nga Basha, i cili foli për rendin e ditës, marrjen e mungesave të komisioneve nëpër komisione. Në momentin që unë mora fjalën, si kryetare, unë refuzova të marr mungesat e deputetëve, pasi ata janë të zgjedhur me votë. Çështja tjetër që doja të flisja dhe e ngrita si shqetësim, ishte deklarata e djeshme e Bashës para selisë së PD.
Një deklaratë që jo vetëm mua, i ka shokuar dhe zhgënjyer. Unë thash se distancohesha nga deklarata e tij se koha e Berishës ka përfunduar. Këto deklarata nuk më përfaqësojnë mua dhe u distancova.
Unë i vura në dukje se ai nuk mund të flasë në emrin tim dhe në emrin e shumë demokratëve. Në momentin që unë iu referova deklaratës së Bashës, ai mbylli mbledhjen. Tha që nuk është çështje e rendit të ditës dhe iku”, tha në A2 CNN.