Vokshi: Të fillojë hetimi për kryetarin e bashkisë së Vaut të Dejës

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi deklaroi sot se, duhet të nisë hetimi i menjëhershëm për kryetarin e bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani dhe administratorin e Ndërkomunales Bushat, Agron Ceka.

Në një deklaratë për mediat, Vokshi u shpreh se, “Partia Demokratike e Shqipërisë, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Flamur Noka, u është drejtuar me një kërkesë zyrtare ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi, për fillimin e hetimit për shkeljet e kryera nga kryetari bashkisë së Vaut të Dejës, Mark Babani dhe administratori i Ndërkomunales Bushat, Agron Ceka”.

“Kërkesa vjen pas një denoncimi të bërë nga kjo foltore, nga Sekretari i Çështjeve Ligjore dhe Zgjedhore, Ivi Kaso, të dokumentuar gjerësisht, për një vjedhje në shumën e 685 milion lekëve. Sipas dokumenteve, që disponojmë dhe ua kemi vënë në dispozicion medies dhe zotërinjve ministra, më 17 qershor 2022, koncesionari privat që administron landfillin e Bushatit, i është drejtuar Gjykatës së Shkodrës, me një kërkesë për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për 12 fatura të periudhës Gusht 2017–Gusht 2018, me vlerë detyrimi 500 milionë dhe kamata ligjore 185 milionë lekë. Gjyqtari, pa verifikuar vërtetësinë e faturave dhe ekzistencën reale të detyrimeve, në shkelje flagrante të ligjit, më 13 shtator 2022, e pranoi kërkesën, duke njohur detyrimin e shoqërisë koncesionare në shumën 685 milionë lekë”, tha ajo.

“Komisioni i Rithemelimit u kërkon Ministrisë së Drejtësisë dhe të Brendshme, në cilësinë e organeve të ngarkuara nga Kushtetuta dhe ligji, për hetimin e veprimtarive të paligjshme, me pasoja të rënda ekonomike për qytetarët, fillimin e menjëhershëm të hetimit të shkeljeve të kryera nga administratori i Ndërkomunales Bushat sh.a., shtetasi Agron Ceka dhe kryetari i bashkisë Vau i Dejës, shtetasi Mark Babani”, u shpreh Vokshi.

SHKARKO APP