Voltana Ademi për masakrën në Velipojë: Policia duhet të ishte në terren, do ishte evituar

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, thotë se ngjarja me katër viktima mund të ishte parandaluar, nëse për të Ministria e Turizmit do të kishte vepruar sipas afateve ligjore për stacionet e plazhit dhe nëse policia do të ishte e pranishme në territor.

“Ngjarja shumë e rëndë e mesnatës së shkuar në Velipojë, duhet të jetë një alarm i fortë për strukturat e shtetit. Humbja e 4 jetëve njerëzore mund dhe do ishte evituar nëse Ministria e Turizmit, Agjensia Kombëtare e Bregdetit që administron edhe hapësirën e plazhit në Velipojë, do të kishte vepruar sipas afateve dhe përcaktimeve ligjore për stacionet e plazhit. Konflikti i armatosur në mes të Velipojës, një zonë turistike dhe në mes të sezonit, mund dhe duhej të ishte parandaluar, nëse policia dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese do të ishin të pranishme në territor, në zbatim të Akteve Normative për orën policore për pandeminë, nëse do të kishin vepruar përpara sapo janë njoftuar gjatë ditëve të fundit për konflikt të mundshëm”, shkruan Voltana Ademi në rrjetet sociale.

Sipas saj kjo është një ditë e trishtë për të gjithë shkodranët, ndërsa apelon për funksionim të strukturave të shtetit. Ademi kujton se në Velipojë këto konflikte kanë ndodhur si pasojë e mungesës së shtetit.

“Dita e sotme është një ditë dhimbje dhe ankthi, jo vetëm për familjet e përfshira në ngjarjen tragjike, por për të gjithë shkodranët e shqiptarët, brenda e jashtë vendit. Kërkoj me forcë, edhe në emër të shkodranëve, që strukturat e shtetit të funksionojnë, duke kryer detyrat e tyre në zbatim të Kushtetutës e ligjeve, në mbrojtje të jetës, sigurisë dhe pronës. Në Velipojë ngjarje të tilla janë shumë të rënda, konflikte të shkaktuara për sjellje dhe vendimmarrje të vonuara apo të munguara të shtetit”.

SHKARKO APP