Votime me grushta, akuza dhe probleme në zonat e thella nga bora

Që prej orës 07:00 nisi procesi i votimit në 6 bashkitë e vendit, përkatësisht në Dibër, Shkodër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe në Lushnje, për të zgjedhur kryetarët e rinj në zgjedhjet e pjesshme lokale.

Që në orët e para nisën problemet, kjo me mungesën e disa komisionerëve të PD-së në disa qendra votimi. Probleme ka edhe në zonat e thella malore të Shkodrës, ku kutitë e votimit kanë mbetur në borë.

Edhe grushtat nuk kanë munguar. Procesi i votimit në Durrës, do të ketë probleme. Është shënuar kështu edhe incidenti i parë në zgjedhjet e pjesshme vendore. Incidenti ka ndodhur mes përfaqësuesve të koalicionit “Shtëpia e Lirisë” dhe komisionerit të PD-së Fatri Mezini, ku janë përplasur fizikisht me grushta. Mezini pohon se është provokuar nga “personat e jashtëm të PD-së”. Gara mes Bashës dhe Berishës, ka zbritur tashmë edhe në radhët e përfaqësuesve në këto votime të pjesshme lokale.

654,538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote do t’i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj mes kandidatëve të PS, PD dhe të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”. Të zgjedhurit në këto votime do të kenë një mandat 1-vjeçar.

Votime me probleme që në nisje, përplasje mes demokratëve në Lushnje

Procesi nuk ka nisur mbarë as në bashkinë e Lushnjes, ku duket se situata është tensionuar brenda demokratëve, që në këtë garë janë të ndarë. Procesi i shpërndarjes në materialeve zgjedhore po ecën me ritme të ngadalta. Materialet po shpërndahen me vonesë në 157 qendrat e votimit të bashkisë Lushnjë, pas tensioneve që ka pasur mes mes vetë demokratëve. Komisioneri që përfaqëson koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, thotë se vonesën e shkaktuan komisionerët e Partisë Demokratike. “Komisionerët e Partisë Demokratike erdhën me vonesë, kjo bëri që të vonohej dhe shpërndarja e materialeve zgjedhore. Komisionerët e PD-së kishin probleme me listat, nuk gjenin dot kandidatët”.

PD akuza për procesin e votimeve/ Celibashi: Respektoni Kodin, shmangni pretekstet

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka bërë thirrje subjekteve zgjedhore që të zgjidhin situatën në bashkinë e Vorës, lidhur me anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit me të drejtë propozimi nga Partia Demokratike.

Celibashi thotë edhe se respektimi i Kodit Zgjedhor është e vetmja mënyrë që garanton integritetin e zgjedhjeve dhe ftoi të gjitha subjektet që të shmangin pretekstet dhe ta respektojnë atë.

“Nxisim subjektet zgjedhore që kanë të drejtën e caktimit të anëtarëve të KQV-ve të Bashkisë Vorë të zgjidhin situatën e ngërçit lidhur me anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit me të drejtë propozimi nga Partia Demokratike. Respektimi i dispozitave të Kodit Zgjedhor plotësisht dhe qartësisht është e vetmja mënyrë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe shmangien e çdo preteksti”.

Durrës/ Voton kandidati i PD-së, Luan Hoti: Ti japim fund pengmarrjes

Kandidati i PD-së për bashkinë e Durrësit, Luan Hoti hodhi votën për zgjedhjet vendore. Apeli i tij është që qytetarët të votojnë masivisht për ti dhënë fund pengmarrjes së qytetit. “I ftoj të dalin të votojnë si njerëz të lirë, të votojnë për familjet e tyre, fëmijëve të tyre, të ardhmen së këtij qyteti. Të votojnë për ti dhënë fund marrjes peng të Durrësit dhe bashkinë t’ua rikthejmë qytetarëve”. Kandidati Hoti ka votuar në një nga QV që ndodhet në godinën e universitetit ”A.Moisiu” në Currila dhe pjesëmarrja deri në këto momente është e pakët.

Rama: Në lindje të Europës po masakrohen për të mos e humbur demokracinë. Votoni

Kryeministri Edi Rama në kuadër të votimeve në 6 bashkitë e vendit, u ka bërë thirrje 654,538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote, që të ushtrojnë të drejtën themelore demokratike për të zgjedhur. “MIRËMËNGJES, dhe me ftesën për qytetarët e 6 bashkive në Shqipëri ku sot votohet, që ta ushtrojnë të drejtën themelore demokratike për të zgjedhur edhe në respekt të atyre që në lindje të Europës, po masakrohen për të mos e humbur atë të drejtë bashkë me demokracinë, ju uroj një të dielë të qetë”.

SHKARKO APP