Votimet si në diktaturë të 30 qershorit, kryetarët e PS po kapen nga SPAK

Nga Redjon Shtylla

Votimet e fundit një partiake për drejtuesit e bashkive në vend, po dalin me probleme të rënda. Më 30 qershor të vitit 2019, në ”garë” për kryetar morën pjesë vetëm kandidatët e PS-së, pasi opozita refuzoi që të ishte pjesë e procesit. Edhe pse ishin të vetëm në votime, që në fillim kandidatët e PS-së dolën të kishin probleme me drejtësinë. 4 bashki në vend, Vora, Durrësi, Rrogozhina dhe Dibra, janë pa kryetar, ndërsa Shkodra është me kryetare të cilës mandati i ka përfunduar dy vite më parë. Në 3 bashki të tjera, fati i kryebashkiakëve është në diskutim.

SPAK arrestoi sot kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe, që është një ngjarje e madhe për vendin. Ky është mandati i katër si kryebashkiak, por pavarësisht se ra në rrjetën e SPAK-ut, Tushe do të vijojë të gëzojë postin. Nëse nuk zgjedh të largohet me vullnetin e tij duke dhënë dorëheqjen, për të ndërprerë mandatin e tij nevojitet një vendim i formës së prerë nga Gjykata ose shkarkimi nga Këshilli i Ministrave.

Për kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i cili rezulton i dënuar me 3 vite burg në Greqi, vepër që e ka fshehur në formularin e dekriminalizmit, kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi nuk e mori parasysh, pasi nuk i’a hoqi mandatin.

Në pikëpyetje është edhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, i cili i ka hapur ”luftë” kryeministrit Edi Rama dhe PS-së. Pak ditë më parë Edi Rama mblodhi asamblenë e PS në Vlorë, ku shigjetoi Lelin, i cili sipas tij duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Rama paralajmëroi që beteja me të do të vazhdojë, pasi sipas tij, për Dritan Lelin nuk ka më vend.

Gjykata Kushtetuese preferoi të mos i përgjigjej pyetjes nëse 30 qershori ishte legjitim apo jo, pasi topin i’a kaloi Komisionit të Venecias. Vendimi duket deri diku si një përpjekje e anëtarëve të Gjykatës për t’a mbajtur veten larg këtë çështje që është me ndjeshmëri të lartë politike.

Nga ana tjetër, Venecia e ka trajtuar këtë temë në opinionin e saj të tetorit të vitit 2019, duke vlerësuar ndër të tjera se ”anulllimi i zgjedhjeve vendore mund të bëhet vetëm në kushtet e një situate emergjente, e madje dhe në një situatë të tillë nevojitet një bazë specifike ligjore”.

A do të ndiqet rasti i Rumanisë që po heton liderët më të lartë të shtetit? Kreu i SPAK, Arben Kraja, paralajmëroi rezultate edhe sa i takon zyrtarëve të lartë. Jemi në pritje. I nxehti politik do të ndizet më shumë nga arrestimet vip.

SHKARKO APP