Vrasjet nuk po ndalen, tjetër ekzekutim në Durrës: Pse ma zë rrugën
Pa kaluar 24 orë nga vrasja në Durrës, ku 39-vjeçari Armando Baboci mbeti i vrarë, ndërsa i biri u plagos, një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin bregdetar. Këtë herë bëhet fjalë për një vrasje me thikë. Viktima është identifikuar si Idajet Dulla, 34-vjeç. Ai është gjetur i vrarë pranë shinave të trenit në zonën e Plepave në Durrës. Policia e Durrësit ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe karrethuar zonën.
Konflikti mes autorit të dyshuar A.K dhe Idajet Dullës, ka nisur për një “copë rrugë”. Mësohet se mesditën e sotme, Dulla dhe shtetasi A.K janë konfliktuar verbalisht me njëri-tjetrin, pasi autori i ngjarjes i ka zënë rrugën viktimës, vend për të cilin dy familjet ishin në konflikt prej kohësh.
“Pse më zë vendin”,- mësohet se ka qenë fjalia që ka nisur gjithçka. Për pasojë, viktima dhe baba i dy fëmijëve ka qëlluar me grusht A.K. Ky i fundit ka nxjerrë thikën dhe e ka masakruar Dullën, duke e lënë të vdekur pranë shinave të trenit tek Plepat në Durrës.
Njoftimi i policisë
Më datë 19.09.2020, rreth orës 15:55, në Urgjencën e Spitalit Durrës ka mbërritur i dëmtuar me mjet prerës (thikë,), shtetasi I.D., 34 vjeç, banues në Durrës, i cili si pasojë i plagëve të marra, ka ndërruar jetë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes.