“Vuçiç politikan më profesionist se Rama”, Mustafa Nano: Po t’i shkëmbejmë…

Në një intervistë për të përditshmen serbe “Danas”, Nano ka folur për marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, çështjen e Kosovës dhe krimet e kryera nga pala serbe, dëmin që elitat e të dy vendeve i kanë bërë shoqërive respektive, projektet për Serbinë dhe Shqipërinë e Madhe. I pyetur nëse beson se Beogradi zyrtar do të kërkojë falje, analisti shqiptar ka thënë se nuk pret që kjo ndjesë të kërkohet sot. Sa i përket të dy liderëve që duket se po shënojnë një epokë të re në marrëdhëniet mes dy shteteve, Nano ka quajtur Vuçiçin politikan më profesionist se Rama 

Pikëpamjet si të zyrtarëve serbë ashtu edhe atyre shqiptarë janë qartësisht të kundërta kur bëhet fjalë për çështjen e Pavarësisë së Kosovës. A jeni gjithashtu ju dhe Zoran Panovic në anë të kundërta sa i përket kësaj çështjeje?

Unë do kisha dashur të flisnim edhe për këtë gjë, madje të flisnim hapur, me zemër në dorë (siç themi në gjuhën shqipe). Edhe Zoranin, në takimin që kam pasur me të në Tiranë, e kam parë të hapur ndaj diskutimit mbi Kosovën. Por në fund, edhe pse nuk ka pasur ndonjë ujdi mes nesh për t’i qëndruar larg kësaj çështjeje, kjo e fundit ka mbetur the elephant on the room.

Kur flisni me kolegun tuaj, Panovic, a e dalloni qëndrimin zyrtar serb në pikëpamjet e tij, që do të thotë a gjeni deklarata të mbështetura nga zyrtarët shqiptarë në tuajin?

Jo, nuk e kam parë Zoranin të bërë njësh me qëndrimin zyrtar të Beogradit. Përkundrazi. Për sa i takon Kosovës, midis rreshtave kam pikasur një qëndrim disi kritik të Zoranit ndaj zërave që përpiqen të mbajnë gjallë iluzionin se asgjë nuk ka ndryshuar, se Kosova do të mbetet e Serbisë. Ndërsa unë nuk jam ndalur te kjo çështje.

Meqë ra fjala, po ju them tani se ç’mendoj për të ardhmen e Kosovës. Që të jem i drejtpërdrejtë, serbët që besojnë tek ideja e rikthimit të Kosovës në gjendjen e mëparshme, nën juridiksionin e Beogradit, më duken delusionalë (jashtë realitetit). Për mua, dy janë opsionet: 1. Kosova të mbetet kështu si është sot de facto, shtet e shoqëri më vete, me shumicën shqiptare dhe me garanci të plota për respektimin e pakicës serbe; dhe 2. Kosova të ndahet. Opsioni i parë mund të funksionojë veç me një kusht: shqiptarët e Kosovës duhet të kuptojnë se prej të qenit shumicë nuk buron ndonjë e drejtë për të sunduar mbi pakicat, por buron një detyrë e përgjegjësi për t’i bërë këto pakica ta shohin Kosovën si shtetin e si vendin e tyre. Një Kosovë (në kufijtë e sotëm) vetëm për shqiptarët nuk mund të ekzistojë. Kosova është edhe e serbëve të saj. Dhe Kosova mund të mbetet edhe e serbëve vetëm në këtë opsion. Sepse me opsionin e dytë, atë të ndarjes, serbët marrin veriun, dhe më tej shkëpusin çdo lidhje me Kosovën. Janë të gatshëm serbët për këtë zgjidhje?

Në një prej artikujve që shkruat brenda programit të letërkëmbimit me kolegun tuaj serb, se elitat tona kulturore dhe intelektuale, si e tërë, në kulturat tona kombëtare, kanë helmuar shoqëritë tona me krenari boshe, gënjeshtra, fanatizëm, urrejtje. A është e mundur të advokoni një paralele të tillë, duke pasur parasysh përvojën që kemi në lidhje me sjelljen represive të Serbisë kundrejt Kosovës në dekadat e fundit?

Sipas meje, elitat shqiptare kanë bërë dëm më pak në Ballkan, por kjo ka ardhur prej pafuqisë, e jo prej ndonjë disponimi më të fisëm. Sepse në thelb elitat tona kanë qenë të njëjta: u ka interesuar propaganda, dhe jo e vërteta, kanë pasur frymë të pazhvilluar autokritike, kanë qenë të lidhura me qendrat e pushtetit etj.

Kur them sa më sipër, unë nuk harroj, sidoqoftë, që serbët u zgjuan kulturalisht më herët (kur ju nxirrnit një intelektual të klasit të parë si Vuk Karaxhiq, ne shqiptarët ishim ende në gjumin osman), që elita serbe ka qenë më e sofistikuar në terma akademikë (ju nxorët një intelektual antikonformist si Ilarion Ruvarac në një kohë që ethja e nacionalizmit serb ishte në kulmin e vet), dhe që pionierët e kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XIX e merrnin frymëzimin edhe prej vibrimit intelektual serb të asaj periudhe.

Opinioni i shumicës në Serbi është ai që, gjatë luftës, serbët kanë qenë viktima dhe shqiptarët agresorë. Në Kosovë, Shqipëri dhe gjithashtu në pjesën më të madhe të komunitetit ndërkombëtar perëndimor, e kundërta është e vërtetë- serbët janë agresorët, shqiptarët viktimat, që ishte edhe arsyeja që NATO bombardoi Serbinë. E vërteta, duket se duhet të jetë vetëm një në fund?

Shikoni! Unë kam përkthyer një libër (raport) të organizatës Human Rights Watch, me titull “Under Orders: War Crimes in Kosovo”, të shkruar në vitin 2001. Raporti në fjalë na jep një fotografi të plotë e të detajuar të krimeve të kryera në Kosovë. Në këtë raport flitet edhe për krime të kryera nga UÇK-ja (rrëmbime e vrasje të serbëve e të shqiptarëve) apo edhe për dhunën e ushtruar nga shqiptarët në dëm të serbëve pas qershorit të vitit 1999, por në mbi 90% të faqeve të tij flitet për krime të ushtrisë serbe. Dhe me këtë krijohet një ide e qartë mbi agresorët e viktimat në atë kohë. Tani, mund të ketë plot arsye për të hedhur dyshime mbi punën e organizatës Human Rights Watch, por në çdo rast ajo mbetet më objektive se opinionet zyrtare në Serbi, Shqipëri apo Kosovë.

A besoni se bombardimi i Serbisë, dhe në parim, ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar ishte i justifikuar?

Ky diskutim mund të bëhet në terma legalë e në terma moralë. Nuk di nëse ka qenë e justifikuar në terma legalë. Nuk jam ekspert në këtë fushë. Por në terma moralë mund të bëhet një diskutim. Kosova nuk ka pasuri natyrore. E prandaj, asnjë prej fuqive të mëdha nuk pati interesa ekonomikë aty. Përveç kësaj, në atë konflikt Perëndimi sulmoi një vend të krishterë (Serbinë) dhe u rreshtua në favor të shqiptarëve të Kosovës, që në shumicë janë myslimanë. Dhe kështu, vetëm një motivim moral e bën situatën të kuptueshme. Masakra e Raçakut dhe pamjet televizive të shqiptarëve që po shpërnguleshin prej shtëpive të tyre ishin shumë të forta për t’u shoqëruar me indiferentizëm. Kjo ishte arsyeja që Ok-in për ndërhyrje e dhanë edhe qeveria e majtë italiane e kryesuar nga D’Alema, apo Franca e Jean Jacques Chirak-ut, të cilat veç për anti-serbizëm nuk mund të akuzoheshin në atë kohë.

A besoni, në vijim të përgjigjes së pyetjes më lart, se Serbia duhet të kërkojë falje për krimet e kryera në Kosovë?

Ndjesa publike është një akt politik dhe aktet politike kanë një efekt elektoral. Kështu që nuk më duket e lehtë për t’u bërë nga ana e autoriteteve serbe. U desh të kalonin shekuj derisa doli një Papë, Gjon Pali II, “për të kërkuar ndjesë përunjësisht” për krimet e kryera në emër të kishës e nga njerëzit e kishës. Prandaj, personalisht nuk pres që kjo ndjesë të kërkohet sot.

Si i shihni marrëdhëniet mes Vuçiçit dhe Ramës? A është raporti i tyre vërtet fillimi i një epoke të re mes dy shteteve apo jo? Cilin nga të dy, në këtë marrëdhënie, e shihni si individ më pozitiv?

Këta të dy duket se kanë një kimi në marrëdhënien mes tyre. Por për të sjellë një erë të re në marrëdhëniet mes dy kombeve tona nuk mjaftojnë dy persona, të cilët pas ca vitesh nuk do të jenë më kryeministra e presidentë. Duhet një komunikim në stil e front të gjerë mes dy kulturave tona.

Lidhur me fundin e pyetjes suaj, nuk di ç’të them. Unë njoh mirë Ramën, i cili më duket ca si shumë over the top, dhe i dhënë më shumë pas formës e stilit sesa pas përmbajtjes, gjë që, sipas meje, nuk është cilësi e mirë për një politikan. Ndërsa Vuçiçi më duket një politikan më profesionist sesa Rama, më i vetëkontrolluar, më skrupuloz. Për ta mbyllur me një shaka, po them se, sikur t’i ndërronim, unë mendoj se ne shqiptarët do dilnim më të fituar.

Si i shihni projektet e Serbisë së Madhe dhe Shqipërisë së Madhe? Cili prej të dyve është më i zbatueshëm dhe rezistent?

Nuk e di se çfarë thuhet, mendohet e besohet në Serbi lidhur me Serbinë e Madhe. Më mungon informacioni. Ndërsa në Shqipëri, projekti i Shqipërisë së Madhe nuk është më një temë e debatit publik. Elita intelektuale e politike në Shqipëri, me pak përjashtime, nuk i kushton vëmendje një projekti të tillë. Por nuk di të them nëse kjo ndodh ngaqë ky projekt e ka humbur momentum-in e vet, apo ngaqë thjesht e konsiderojnë si një projekt të pamundur për t’u realizuar në praktikë./Mapo/

SHKARKO APP