Xhelal Mziu: Rama të reflektojë për Kamzën

Flet për “Koha Jonë”, kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu: S’ka humbje në zgjedhjet e 2019, PS e pret disfata e radhës

Intervistoi: Jonida Halili

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu në një intervistë për “Koha Jonë” ka deklaruar se bashkia që ai drejton nuk ka marrë financat përkatëse nga qeveria për situatën e krijuar nga përmbytjet pak ditë më parë. Ai thekson se bashkëpunimi me qeverinë ka qenë thuajse zero që në fillim. “Qeveri ka braktisur Bashkinë me mbi 150 mijë banorë, duke mos e konsideruar fare. Në Bashkinë Kamëz nuk ka vetëm votues demokratë, por edhe socialistë dhe të bindjeve të tjera. Por, ne jemi diskriminuar politikisht dhe jo vetëm”, është shprehur Mziu. I pyetur nëse do të jetë sërish kandidat për të katërtën herë në Bashkinë Kamëz, Mziu thotë se është ende herët për të folur, por shprehet i bindur se nëse kjo do ndodh ai do t’i fitojë zgjedhjet.

Z.Mziu, javët e fundit qytetarët e disa zonave të Kamzës u përballën me problemet e përmbytjeve. Çfarë po bëhet aktualisht për dëmshpërblimet e banorëve dhe cila ka qenë ndihma e qeverisë?

Që në fillim të kësaj interviste dua të theksoj se Kamza sivjet ka pasur përmbytje më pak se herët e tjera, pavarësisht prej reshjeve më të mëdha. Kjo ka ndodhur falë punës së bërë nga Bashkia në terren për pastrimin e kolektorëve. Jemi munduar që të bëjmë më të mirën, për faktin se qeveria, edhe pse na kaloi kompetencat, nuk i shoqëroi ato me financat përkatëse si dhe mjetet. Bashkisë Kamëz nuk iu dha asnjë mjet nga inventari i bordeve të kullimit, por për çudi edhe kur qeveria bleu 61 ekskavatorë dhe ua shpërndau bashkive, Kamzës nuk i akordoi asnjë. Numri i familjeve të përmbytura nga reshjet e fillimmuajit dhjetor ka shkuar në 697, prej të cilave 230 janë me dëme më të mëdha. Grupet e punës së shtabit të emergjencave të Bashkisë Kamëz kanë bërë evidentimin në terren, duke verifikuar çdo dëm. Sa u përket dëmshpërblimeve, ende nuk është bërë asgjë, madje qytetarët që janë përmbytur, nuk kanë marrë dëmshpërblimet as të viteve të tjera. Në terren po bëhet një punë e mirë nga Bashkia, ku po punohet me dy turne dhe situata është normalizuar. Në bashkëpunim me shoqata, por edhe prefekturën, kemi shpërndarë ndihma në ushqime tek familjet. Bashkia ndërkohë do të akordojë një ndihmë financiare për të përmbyturit.

Gjatë ditëve të përmbytjeve pati një takim mes jush dhe Kryeministrit Edi Rama që u komentua gjatë në media. Duke pasur parasysh akuzat e ashpra që keni shkëmbyer shpesh me Edi Ramën për çështje politike, cilat kanë qenë reagimet e demokratëve dhe drejtuesve të PD-së për këtë takim?

Sa i përket takimit më Kryeministrin, dua të theksoj se bashkëpunimi im nuk ka munguar asnjëherë. Bashkëpunim nuk quhet vetëm takimi fizik, e sidomos në atë rast emergjence, por edhe ai institucional. Unë, si kryetar i Bashkisë Kamëz, i kam dërguar me dhjetëra e dhjetëra shkresa Kryeministrit dhe qeverisë bashkëngjitur me projekte konkrete, duke kërkuar mbështetje financiare. Janë mbi 137 projekte që flenë në sirtarët e kabinetit “Rama” dhe asnjë përgjigje nuk kemi marrë. A nuk është kjo absurde, ku Bashkia e gjashtë më e madhe në vend nuk gjen mbështetjen e ekzekutivit?! E nëse unë kam akuzuar për mosbashkëpunim, kam thënë vetëm të vërtetën, duke mos prodhuar politikë dhe këtë e kam bërë në interes të qytetarëve të Kamzës që i kam primarë, të cilët më kanë besuar prej vitit 2007. Unë nuk kam ngrirë asnjëherë në marrëdhënie institucionale me qeverinë, por shpresoj të shkrijë qeveria. Fakti që unë i kam kërkuar qeverisë financim të projekteve në rrugë zyrtare, kam besuar se do të gjeja mbështetje. Deri tani nuk ka ndodhur, shpresoj që të reflektohet. Në atë takim të shkurtër me Ramën, veç kërkesës për dëmshpërblimin e familjeve të përmbytura, i parashtrova si kërkesa emergjente edhe financimin e kolektorëve: Valias i Ri, Valias i Vjetër, të kolektorit Zall-Herr – Bathore – Frutikulturë, pajisja me ekskavator, gjë që i ishte mohuar Bashkisë më parë nga ana e qeverisë si dhe pajisja e Kamzës me një stacion zjarrfikëseje, duke qenë se nuk e kemi, edhe pse ndodhet në Kodër-Kamëz. Takimi me Kryeministrin ka qenë në kuadër të bashkëpunimit institucional, duke qenë se jam kryetar i Bashkisë së gjashtë më të madhe në vend dhe jo si kreu i degës së PD Kamëz, si dhe në kushtet e emergjencës kur qindra shtëpi ishin nën ujë.

Kamzës, realisht, nuk i kanë munguar investimet nga qeverisja e PD-së. Kur tashmë e majta është në pushtet prej disa vitesh, çfarë investimesh kanë ardhur në Kamëz gjatë kësaj periudhe?

Qeveria “Berisha” e ka mbështetur Kamzën, duke financuar mjaft projekte në fusha të ndryshme, por e kundërta ka ndodhur me qeverinë “Rama”. Duke qenë se si kryetar Bashkie më është dashur të jem në detyrë në dy kohë, para dhe pas vitit 2013, me dy kryeministra, të PD-së dhe PS-së, dua të theksoj se Kryeministri Berisha ishte krejt ndryshe. Homologët e mi, përfaqësues të PS-së, gjenin bashkëpunim tek z. Berisha (këtë ma pohonin), i cili, pasi i dëgjonte, merrte projekte zhvilluese prej tyre në dobi të komunitetit, ua financonte. Kryeministri Berisha dhe qeveria e tij nuk i shihte bashkitë politikisht, por prioritarë kishin qytetarët. Më duhet të konstatoj që prej vitit 2013, me Kryeministër Edi Ramën, Kamzës i është rikonstruktuar vetëm një qendër shëndetësore, përkundër variantit që kishim ne si Bashki ta çonim në një tjetër ambient shumë më të madh, tek ish-shkolla profesionale. Pra, konstatohet qartë që kjo qeveri ka braktisur Bashkinë me mbi 150 mijë banorë, duke mos e konsideruar fare.

Lidhur me investimet në pushtetin vendor me ndihmën e qeverisë, Kryeministri ka deklaruar se bashkitë e djathta nuk kanë sjellë projekte dhe kjo është arsyeja pse nuk kanë përfituar. Mendoni se ka diskriminim politik për çështjen e fondeve?

Bashkëpunimi i qeverisë me Bashkinë Kamëz ka qenë zero dhe kjo jo për fajin tim si kryebashkiak. Kur më sipër theksova se mua nuk më ka munguar bashkëpunimi institucional, kam parasysh faktin se, përkundër pretendimit të Kryeministrit, ne si Bashki kemi çuar mbi 137 projekte, të cilat nuk kanë gjetur mbështetje dhe flenë në sirtarët e qeverisë. Qeveria e ka detyrim të mbështesë bashkitë dhe ato nuk duhen parë me syrin politik. Sikurse Kryeministri edhe ne kemi marrë votën qytetare. Në Bashkinë Kamëz nuk ka vetëm votues demokratë, por edhe socialistë dhe të bindjeve të tjera. Për t’u përgjigjur pyetjes suaj, dua të them që po, jemi diskriminuar politikisht dhe jo vetëm madje!

Na e përshkruani rolin tuaj brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë ose, më saktë, nëse ju do ta kishit humbur Bashkinë e Kamzës në 2007-ën, mendoni se kjo do të kishte efekt negativ brenda partisë?

Unë, përveç kryetar i Bashkisë Kamëz, jam edhe kreu i degës lokale të PD-së. Kam qenë në këtë pozicion prej vitit 2005 dhe vazhdoj të drejtoj degën e partisë pas besimit absolut të anëtarësisë dhe strukturave. Sigurisht që, nëse unë do të kisha humbur zgjedhjet lokale të vitit 2007 për kryetar Bashkie, do të kisha përgjegjësi, jo vetëm për faktin se isha kandidat dhe drejtues i partisë, por do të humbisja edhe në një zonë bastion. Kjo nuk ka ndodhur deri më tani dhe nuk ka për të ndodhur.

A mund të na bëni një bilanc të punës suaj në 3 mandate në krye të Bashkisë Kamëz?

Kamza ka pësuar ndryshime rrënjësore e ndoshta do të duhen faqe të tëra gazete për të numëruar arritjet ose projektet e realizuara. Krahasuar me vitin 2007, kur u ula në karrigen e kryebashkiakut, realiteti është krejt ndryshe. Jemi ndër qytetet e para që miratuam planit urbanistik, qyteti i vetëm me sistem të plotë adresash ku kemi emërtuar mbi 505 rrugë dhe Kamza është gati për implementimin e ZIP-KOD-it. Janë asfaltuar me qindra e qindra km rrugë, janë shtrirë me qindra rrjet të ujësjellës-kanalizimeve, duke përmirësuar ndjeshëm furnizimin me ujë të pijshëm. U mundësua mbyllja e fazës së parë të projektit të ujësjellës-kanalizimeve nga banka gjermane KfË dhe së shpejti fillon zbatimi i fazave te tjera. Mbi 70% e popullsisë kanë rrjet të ri ujësjellësi dhe furnizim me ujë. Kemi mundësuar edhe shtrirjen e rrjetit të furnizimit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike 20 kv mbi 70% të popullsisë.

Janë ndërtuar 18 objekte shkollore (shkolla dhe kopshte) me standarde evropiane. Bashkia ka ndërtuar Pallatin modern të Kulturës për të rinjtë dhe të gjithë qytetarët, një nga më të mirët në vend. U ndërtua stadiumi i qytetit si dhe palestra moderne e basketbollit në Bathore. Kemi ngritur qendrën e shërbimeve ndaj qytetarëve, One Stop Shop, më e mira në Shqipëri, e vlerësuar nga ndërkombëtarët si praktika më e mirë e qeverisjes vendore. Është 4-fishuar numri i bizneseve, falë taksave të ulëta dhe klimës së mirë që kemi krijuar, gjë që na ka mundësuar edhe punësimin e mijëra qytetarëve. Bashkia Kamëz ka pasur një paketë fiskale konkurruese dhe stimuluese për zhvillimin e biznesit, gjë që ka çuar në rritjen e numrit të të punësuarve me mbi 10 mijë veta, ku një ndihmë ka dhënë sektori fason.

Të ardhurat e Bashkisë janë mbi 10-fishuar krahasuar me vite më parë. Kamza sot është një qytet i pastër, me makineri pastrimi bashkëkohore dhe kontejnerë të standardeve evropiane. Mundësuam shtrirjen e linjës së telefonisë fikse dhe internetit në gjithë territorin e Kamzës, ndërtuam rrugën “Demokracia” 7 km të gjatë nga Ura e Institutit në Babrru deri tek Kafja e Rremës etj. Të tjera projekte janë në zbatim jo vetëm për ndërtimin e qindra km rrugë dhe KUN, por dhe qendra e qytetit të Kamzës bashkë me pedonalen, rehabilitimi i qendrës së Babrrusë etj.

Do të kopjoni Ramën për të kandiduar për të katërtën herë për Bashkinë apo do të sfidoni Erion Veliajn për Bashkinë e Tiranës?

Nuk kam lidhje me asnjërin. Sa i përket kandidimit, është herët ende për ta diskutuar, pasi jam në krye të detyrës, i votëbesuar në mënyrë plebishitare nga bashkëqytetarët prej vitit 2007. Në kohën e duhur, në konsultim me qytetarët, anëtarësinë, strukturat e degës dhe drejtuesit e PD-së, do të shprehem.

Nëse i humbisni zgjedhjet në 2019-ën, keni menduar të hiqni dorë nga politika?

Nuk ka shanse të humb zgjedhjet në vitin 2019. Partia Demokratike në Kamëz ka marrë rezultat plebishitar, duke fituar sa herë ka pasur zgjedhje. Kjo ndodhi edhe në zgjedhjet e vitit 2017, ku rezultati i PD-së vetëm sa u thellua. Partinë Socialiste sërish e pret humbja e radhës në Kamëz.

SHKARKO APP