Ylli Manjani: Bllofi ligjor i Policisë së Shtetit me shoqërimin e Kastriot Islamit

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani shprehet se argumentet e dhëna nga Policia e Shtetit për shoqërimin e Kastriot Islami në komisariat është bërë pa bazë ligjore.

Postimi i plotë në Facebook i Ylli Manjanit:

Lexova reagimin e drejtorit të Policisë së Tiranës për shoqërimin e Kastriot Islamit.

Drejtori thotë se “… e shoqëruam për shkak të fjalorit”.

Lexojeni, ju lutem nenin 109 të ligjit për Policinë e Shtetit! Ky ligj është “Kushtetuta e Policisë”.

Në asnjë rast, në asnjë kuptim apo nënkuptim, shtetasi shoqërohet në polici për punë “fjalori”!!!

As për mungesën e kartës së identitetit nuk shoqërohet njeri në polici. Identifikimi në polici, sipas pikës dh, bëhet vetëm në kuadër të një hetimi penal.

Lexojeni!

Është e thjeshtë për t’u kuptuar. Ska nevojë të jesh jurist për të kuptuar se si ky nen e nxjerr bllof Policinë me shoqërimet pa shkaqe ligjore. Nuk është thjesht rasti i Kastriot Islamit, por i shtetasve të Republikës, që policia i trajton në shkelje të ligjit!

Lexojeni edhe dallimin që shoqërimi nuk është as ndalim e as arrestim, aq më pak hakmarrje!
=========================

“Neni 109
Shoqërimi në polici
1. Punonjësi i policisë bën shoqërimin e personave në ambientet e Policisë ose institucionin urdhërdhënës në kushtet dhe rastet e mëposhtme:
a) kur është dënuar me burgim nga gjykata kompetente;
b) për moszbatim të urdhrave të ligjshëm të gjykatës ose ndonjë detyrimi të përcaktuar me ligj;
c) kur ka dyshime të arsyeshme se ka kryer vepër penale;
ç) për të parandaluar kryerjen e një vepre penale;
d) kur është larguar pas kryerjes së një vepre penale;
dh) për identifikimin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime, sipas kushteve të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale;
e) për mbikëqyrjen e të miturit për qëllime edukimi ose shoqërimin e tij në organin kompetent;
ë) kur personi është përhapës i një sëmundjeje ngjitëse, i paaftë mendërisht dhe i rrezikshëm për shoqërinë;
f) për hyrje të paligjshme në kufirin shtetëror, si dhe në rastet e dëbimit ose ekstradimit.
2. Personi i shoqëruar nuk trajtohet në të njëjtat kushte me personin e ndaluar ose të arrestuar dhe, në çdo rast, shoqërimi duhet të zgjasë deri në sqarimin e çështjes, por jo më shumë se 10 orë.
3. Personi i shoqëruar ka të drejtë të njoftohet menjëherë në gjuhën që ai kupton, për shkaqet e shoqërimit. Ai/ajo duhet të njoftohet se nuk ka asnjë detyrim të bëjë ndonjë deklaratë
dhe ka të drejtë të komunikojë menjëherë me një person të besuar dhe avokatin.
4. Efektivi i policisë njofton menjëherë qendrën operative për gjenealitetet e personit të shoqëruar, kur ato njihen, orën e saktë të shoqërimit dhe shkaqet e tij. Të dhënat e komunikuara nga efektivi i policisë hidhen menjëherë në sistemin elektronik të mbajtjes dhe përpunimit të të dhënave. Mosrespektimi nga efektivi i policisë i detyrimeve të përcaktuara në
këtë pikë përbën shkelje të rëndë të disiplinës në punë.
5. Punonjësi i policisë, dokumenton në proces-verbal veprimet e kryera me personin e shoqëruar. Procesverbali nënshkruhet në fund të çdo flete nga punonjësi i policisë që ka kryer
veprimet dhe personi i shoqëruar. Një kopje e procesverbalit i vihet në dispozicion personit të
shoqëruar.
6. Punonjësi i policisë ka detyrimin të njoftojë menjëherë eprorin e vet ose institucionin e interesuar për sqarimin e çështjes. Të dhënat e veprimeve të kryera me personat e shoqëruar
dokumentohen gjithashtu në regjistrat/librat që mbahen për këtë qëllim në ambientet e policisë ku është bërë shoqërimi i personit.
7. Për rastet e shoqërimit për hyrje të paligjshme në kufirin shtetëror, për dëbimin ose ekstradimin, procedurat dhe afatet e mbajtjes përcaktohen sipas legjislacionit në fuqi.
8. Rregullat teknike të shoqërimit, evidentimit, mbajtjes dhe trajtimit të personave të shoqëruar në ambientet e policisë përcaktohen nga Drejtori i Policisë së Shtetit.”
===============

Edhe një gjë të fundit.
Prokuroria ka në dorë ta ndalë këtë praktikë të shëmtuar të Policisë, e trashëguar që nga policia komuniste.
Ky nen shkelet rregullisht nga policia e cila shoqërimin e konsideron praktikisht si ndëshkim, pa prova e pa ligj.

Prokuroria mund të bëjë një shembull model që ta ndalojë këtë praktikë antikushtetutë.

SHKARKO APP