Ylli Manjani: Më vjen mirë që Ambasada Amerikane nuk e reklamon më këtë reformë si “histori suksesi”

Nga Ylli Manjani –

E megjithatë deputeti Adnor Shameti ka të drejtë. Reforma në drejtësi ka ngecur prej vitesh tashmë. Vendi është me gjyqësor të paralizuar, të trembur e në shërbim të pushtetit. Opinioni publik sa here matet tregon ZHGËNJIM. Besimi tek drejtësia, qëllimi kryesor i reformës, është thuajse 0.
Gjykata Kushtetuese mungon. Gjykata e Lartë gjithashtu. Gjykatat e apelit kërcënohen të mbyllen. Prokuroritë në kaos burimesh njerëzore. Kjo i ka hapur rrugë qeverisë dhe policisë të bëjë çtë dojë…
Institucionet e reja që kanë arritur të krijohen, performojnë keq ose njësoj si të mëparshmet. Të zgjedhurit e rinj në to (jo të gjithë) nuk plotësojnë kriteret. Disa kanë fshehur të shkuarën e tyre të paligjshmërisë. Disa të tjerë janë haptaz në konflikt interesi. Cilësia profesionale e vendimeve, veçanërisht në vetting, është e ulët. Ka fakte publike për këto gjëra.
Vetting nuk është i drejtë dhe i barabartë për të gjithë. Shërbëtorët e pushtetit kalojnë vetting, pavarësisht se kapen në shkelje të ligjit. Gjykatës e prokurorë të devotshëm në punë u larguan pa argumente e prova bindëse.
KPA ka thyer çdo rekord botëror statistikor. Ka pranuar 100% ankesat e komisionerit dhe ka rrëzuar 100% ankesat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pra gjykim ska fare!
Parimet e proçesit të rregullt tashmë janë të përdhunuara.
Të gjitha këto kanë ndodhur e ndodhin jo pas krahëve, por para syve tanë. Para syve të leshta të ONM. Para syve e syzeve të ekspertizës së “paanëshme” të EURALIUS e OPDAT. Edhe para syve të trupit diplomatik.
Ligjet e detajuara dhe të ngurta të reformës janë origjina e problemeve. Ato ligje nuk u pasuan kurrë me një kalendar realist veprimesh. Ndaj erdhi kaosi. Megjithatë ato ligje janë ndryshuar në mungesë të plotë transparence. Veç kur i kemi parë në fletoren zyrtare të ndryshuara.
Janë ndryshuar ligjet për ti zgjatur detyrën Dvoranit, pa asnjë mandat!!! Janë ndryshuar për të zgjatur agoninë e institucioneve të drejtësisë. Për ti bërë ato “të leshta”, siç do thoshte Edi Rama…
Ligjet kur ka nevojë, pa dyshim që ndryshohen. Kur u ndryshuan për Dvoranin përse nuk u ndryshokan për drejtësinë?! Kush do të shohë, ky është realiteti! Ndaj nuk ka hiç nevojë për marrëveveshje pas krahësh, sepse çdo gjë është para syve. Adnor Shameti, jo vetëm ai, thjesht i lexoi me zë ato që i shohin sytë si jurist që është. Ai nuk propozoi asnjë marrëveshje, aq më pak të fshehtë, por kërkoi të bëhej një vlerësim se çfarë po shkon keq.
Nëse vendos ti kthesh kurrizin problemeve ato nuk zgjidhen, por rriten deri sa të dalin përsëri para syve, sado ti kthesh kurrizin.

Më në fund, më vjen mirë që Ambasada Amerikane nuk e reklamon më këtë reformë si “histori suksesi”. Jam dakort me faktin se “është e nevojshme”. Por Shqipërisë i duhen gjykatat sa më parë në punë se qeveria po bën kërdinë me të drejtat e njerëzve!
Ndado që të rrotullohesh sytë janë në ballë.

SHKARKO APP