Ylli Manjani: Magazina e veprave penale duhet zbrazur

Nga Ylli Manjani

Qasja e disave, përfshi edhe mediat, për t’u marrë me nene konkrete të projekt-kodit është interesante për të bërë lajm. Mirëpo rreziku është që del dikush nga shkruesit e projektit dhe thotë që “dakord e heqim atë nen”. Pyetja që mbetet është: A u rregullua projekti nëse neni x u hoq?
Duhen nxitur analiza më të plota, më përgjithësuese. Si fillim duhet të biem dakord me një bosht llogjik, të drejtë e proporcional mbi bazën e të cilit ndërtohet një Kod Penal.
Ideja ime, fjala vjen, është që vrasja dhe vjedhja të jenë majat e veprave penale.
Nuk mund të fillojë magazina e veprave penale me “Krime kundër Ligjit Ndërkombëtar”! Ç’do me thënë kjo mo? Do i bëjmë gjykatat tona gjykatë Hage?!
Jalla!
Nejse, ndoshta dikush tjetër ka një ide tjetër. Por thelbi është t’i marrim gjërat si koncepte dhe jo thjesht të tërheqim vemendjen publike me disa episode, që në fakt janë absurde, pra të palogjikshme e të padrejta.
Debati, fjala vjen, mbi ruajtjen e sekretit mund të ngrohej në nivel parimor. Thelbi është kush mban përgjegjësi për mosruajtjen e sekretit, ai/ajo që ka për detyrë ta ruajë apo gazetari që ka për detyrë të informojë, pra ta nxjerrë sekretin?!
Nëse biem dakord se cila përgjigje është më e pranueshme arëherë e formulojmë edhe nenin ashtu siç duhet.
Meqë ra fjala, unë jam që përgjegjësinë penale e mban strikt ai/ajo që e ka detyrë ta ruajë. Askush tjetër. Ideja që “përhapja e sekretit” të përbëjë vepër penale është e panatyrshme, abuzive e padrejtë dhe jo proporcionale.
Kujdes, vjedhja e sekretit është tjetër gjë!
Ashtu siç duhet të mendojmë nëse do kemi vepra penale pa pasojë penale apo jo? Që do të thotë, a mund të kriminalizohet mendimi, fjala apo qoftë edhe disa veprime që nuk sjellin pasojë?!
A duhet të kemi vepra penale ku pretendohet paligjshmëri ndërkohë që janë krijuar pasoja të ligjshme?!
A mund të kemi dënueshmëri pa pasojë penale?
Për shembull a ka korrupsion pa plaçkën e korrupsionit të kapur? A mund të kriminalizohet dhënësi i plaçkës së korrupsionit, si “aktivi”?!
A ka armëmbajtje pa leje pa armë?!
Droga që futet në territor është kontrabandë apo trafik? Ç’do me thënë “trafik”? Ne sikur jemi gjykatë ndërkombëtare dhe jo një vend modest me sipërfaqe e popullsi të vogël.
A duhet t’i kërkojë hesapë penale shqiptari shqiptarit për llogari të një vendi tjetër?!
Kontrabanda a mund të jetë evazion fiskal, apo thjesht ndalim i futjes në territor i sendeve të ndaluara?!
Pse eksportet quhen kontrabandë?!
A mund të quhesh anëtar grupi kur ti je thjesht punonjës me rrogë në një kompani, pronari i të cilës kryen krim?
A ka grup kriminal pa patur një qëllim, dhe pasojë kriminale?
A mund të kriminalizohet çdo shkelje disiplinore dhe administrative?! Nëse po pse na duhet administrada dhe policia?!
Etj, etj, etj…
Mendoj se duhet të fokusohemi te kjo lloj qasje që ta bëjmë më të plotë debatin mbi Kodin Penal.
Në disa gjëra duhet të përmbysim disa koncepte dhe t’i çojmë tek origjina e tyre.
Shpikjet e racionalizimet nuk na çojnë askund, veç na kthejnë pas.
Projekti ngjan sot me një magazinë që duhet zbarzur nga disa koncepte dhe vepra.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?