Yuri Kim: Gjykata Kushtetuese duhet të jetë funksionale deri në fund të vitit
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim ka mbështetur deklaratën e kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi, i cili tha se gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese në 1 janar duhet të kenë filluar punë.
Teksa ka shpërndarë fjalën e Ruçit në një postim në Twitter, diplomatja amerikane ka shkruar krahas saj: “Ne jemi dakord. Gjykata Kushtetuese duhet të jetë funksionale deri në fund të vitit”.
Ndërsa kryeparlamentari Gramoz Ruçi nga foltorja e Kuvendit tha:
“Edhe pse Kuvendi ka hapësira të kufizuara për të nxituar organet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre, nuk do të falim asnjë vonesë. Brenda këtij sesioni, me hir ose me pahir, Gjykata Kushtetuese do të bëhet funksionale. Më 1 janar 2021 gjyqtarët e rinj kushtetues do të kenë filluar nga puna. Çdo institucion i shtetit, i përfshirë në këtë proces, ta lexoj qartë këtë apel të Kuvendit!”.
Procesi i vetingut rrëzoi 8 nga 9 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nga viti 2015, duke e nxjerrë jashtë funksionit gjykatën më të rëndësishme në vend. Kështu, nga 9 anëtarë që kishte me fillimin e kësaj reforme, ajo tashmë ka 4 anëtarë dhe, madje, njërit prej tyre i ka mbaruar mandati.
KOHA JONË SONDAZH

