Zbardhet marrëveshja PS-PD. Zgjedhjet më 25 qershor. Ndryshojnë 6 ministri
Është publikuar teksti i plotë i marrëveshjes mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Zgjedhjet parlamentare do të zhvillohen më 25 qershor.
MARRËVESHJE POLITIKE 18 MAJ 2017
Palët në këtë marrëveshje shprehin mirënjohjen dhe falenderimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian për kontributin e tyre në forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri si dhe në mënyrë të veçantë, për zgjidhjen e situatës politike për zgjedhjet e vitit 2017.
Palët konfirmojnë vullnetin e tyre për dialog të drejtpërdrejtë si shprehje e domosdoshmërisë për një nivel të ri të dialogut politik në vend. Në këtë kuadër, palët angazhohen për institucionalizimin e dialogut mes kryetarit të mazhorancës dhe kryetarit të opozitës.
Angazhimi i palëve për zgjedhje me standarte demokratike do të jetë pjesë thelbësore e kontributit të përbashkët dhe të vazhdueshëm të palëve në kuadër të çeljes së negociatave dhe perparimit të vendit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
- ZGJEDHJET
- Presidenti i Republikës dekreton datën e re të zgjedhjeve më 25 qershor 2017.
- Regjistrimi i menjëhershem i partive politike të opozitës. Regjistrimi i listave shumemërore të partive politike të opozitës brenda datës 26 Maj 2017.
- Listat e zgjedhësve
- Përfshirja në listat e zgjedhësve e zgjedhësve të rinj që votojnë në datën e re të zgjedhjeve.
- Dhënia e aksesit opozitës në informacionin e mbledhur nga projekti i Adresave dhe çështjet të tjera të lidhura me zgjedhësit, nëpërmjet auditeve të KQZ-së.
- Mbështetje KQZ-së për përgatitjen e materialeve zgjedhore.
- Plotësimi i komisioneve zgjedhore dhe grupeve të numërimit.
- Zgjedhjet e pjesëshme për bashkinë e Kavajës, do të zhvillohen në të njëjtën ditë me zgjedhjet e përgjithëshme.
- Pezullimi i çdo iniciative për kontrata të përkohëshme në nivel qëndror dhe vendor.
- Mbështetje ndërkombëtare për forcimin e monitorimit te listës së zgjedhësve.
- Mbështetje ndërkombëtare për KQZ- për ngritjen e linjave telefonike të ndihmës për vezhgimin dhe shqyrtimin e ankesave mbi ligjin e shërbimit civil dhe blerjen e votës.
- QEVERIA
- Zv.Kryeministër, teknik
- Ministri i Brendshëm, teknik
- Ministri i Arsimit, teknik
- Ministri i Shëndetësisë, teknik
- Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, teknik
- Ministri i Financave, teknik
- Ministri i Drejtësisë, teknik
- Drejtori i OSHEE
- Drejtori i Përgjithshëm i Aluiznit
- Drejtori i Përgjithshëm i Hipotekave
- Drejtori i pergjithshem i Burgjeve
- Drejtori i pergjithshem i Agjensisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural
Kandidaturat e mësipërme do të jenë propozim i opozitës.
- PARLAMENTI
- Votimi i organeve të vettingut.
- Votimi i dekreteve për anëtarët e rinj të Këshillit të Ministrave.
- Ndryshim i Kodit Penal për forcimin e politikës penale nëpermjet ashpërsimit të sanksioneve, krijimit të veprave të reja penale, kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni.
- Forcimi i kuadrit ligjor të financimit të partive politike nëpërmjet rregullimit dhe kufizimit të shpenzimeve zgjedhore, përfshirë ato materiale, kostove dhe transparencës në lidhje me to.
- Permiresimi i standardeve te pasqyrimit te fushates elektorale ne media.
- Votimi i anëtareve të Këshillit të Ministrave, anëtareve të organeve të vettingut dhe i legjislacionit të parashikuar në këtë marrëveshje, do të kryhet në të njëjtën seancë të jashtëzakonshme të parlamentit.
- ORGANET E PAVARURA
- Kryetari i KQZ, propozim i opozitës.
- Avokati i Popullit, propozim i opozitës.
- REFORMAT
- Reforma Kushtetuese (me fillimin e legjislaturës së re).
- Reforma zgjedhore (me fillimin e legjislaturës së re).
- Futja e teknologjive elektronike në procesin e identifikimit votimit dhe numërimit për zgjedhjet pasuese.
- Reformim tërësor i sistemit të prokurimeve publike dhe auditimit të shpenzimeve publike.
- MASA TE TJERA
- Dekriminalizimi. Largimi dhe parandalimi i personave me rekorde kriminale nga mbajtja e posteve publike.
- Partitë politike angazhohen publikisht për ekzaminimin e fortë mbi listat partiake.
- KQZ ekzaminon kandidatët nëpërmjet personelit shtesë me mbështetje ndërkombëtare (të plotësuar në përputhje me ligjin nr 138/2015 për garantimin e integritetit të funksionarëve publik).
- Administrata Publike. Marrja e masave për ndalimin e përdorimit në favor të subjekteve zgjedhore të mjeteve, pronave dhe të burimeve njerëzore të administratës publike si dhe kundër çdo forme presioni ndaj punonjësve të administratës publike në çdo nivel.
- Narkotikët. Forcimi i luftës kundër narkotikëve, nëpërmjet pjesmarrjes së opozitës në Task forcën Kombëtare të luftës kundër narkotikeve.