Zbardhet mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ja çfarë u diskutua
Sot nën drejtimin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare për të diskutuar, analizuar dhe koordinuar më mirë politikat mbi luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të bimës kanabis sativa në vend.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare nënvizoi shqetësimin se ky fenomen i përhapur përbën një aktivitet të rëndë kriminal me tendencë kriminalizimin e shoqërisë, me ndikim negativ në ekonominë e vendit, korrupton shoqërinë, dëmton shëndetin e qytetarëve dhe cënon imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare.
Duke e konsideruar si një kërcënim ndaj çështjeve të sigurisë këtë fenomen, u theksua domosdoshmëria për forcimin e bashkëpunimit ndër-institucional, si dhe rritja e bashkëpunimit efikas me agjencitë dhe institucionet partnere ndërkombëtare që operojnë në këtë fushë.
Gjithashtu u evidentua rëndësia që ka trajtimi i kësaj çështjeje në frymën e angazhimit konsensual dhe me realizëm, duke përfshirë edhe masa të rrepta për goditjen e elementëve të inkriminuar që kanë arritur të penetrojnë në organet ligjzbatuese.
Në mbyllje Presidenti Nishani mirëpriti kontributet konstruktive të përcjella në këtë takim, duke vlerësuar se task-forca e ngritur nga ekzekutivi me qëllim arritjen e një bashkëpunimi ndër-institucional më të suksesshëm operacional vërteton përmasën e këtij fenomeni në vend, ashtu si edhe nevojën për ta luftuar atë më me vendosmëri dhe efikasitet.
KOHA JONË SONDAZH

