Zbardhet vendimi i Kushtetueses për rrëzimin e ankimimit për reformën terrotoriale
Gjykata Kushtetuese zbardh arsyet sepse ka rrëzur një prej ankimimeve që janë depozituar në këtë institucion për reformën territoriale.
Gjykatës Kushtetuese ka rrëzuar ankimin e subkjektit Partisë Popullore Kristiandemokrate të Shqipërisë, e cila kërkoi nga Gjykata shfuqizimin e ligjit për reformën territoriale si antikushtetues.
PPKD në kërkesën e saj jepte të njëjtat argumente sikundër Partia Demokratike ka kërkuar nga Gjykata rrëzimin e ligjit për reformën territoriale, që parashikon ndarjen e vendit në 61 bashki.
Me vendimin nr 190, datë 20 nëntor 2014 në pikën 9 gjykata shpjegon se “në këndvështrimin e mësipërm, Kolegji vëren se kërkuesi ka detyrimin të provojë interesin e tij në lidhje me çështjen, lidhjen e domosdoshme që ekziston ndërmjet misionit që ka dhe marrëdhënies juridike të cenuar nga dispozitat përkatëse të ligjit nr. 101/2014, datë 31.7.2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Po ashtu argumenton gjykata kërkuesi “përveç referimit në nenet 13 dhe 108/2 të Kushtetutës, nuk ka arritur të argumentojë në nivel kushtetues se në ç’mënyrë ligji objekt kërkese ndikon ne pozicionin e tij si subjekt politik në raport me zgjedhjet dhe cilat janë pasojat negative të ardhura për të".
E për këto arsye shprehet kushtetuesja në vendimin e saj, është rrëzuar kërkesa dhe nuk është kaluar për shqyrtim në seancë.
Kushtetuesja rrëzoi pak ditë më parë kërkesën e PD për pezullimin e ligjit, por u shqyrtua kërkesa e dytë, për ta shpallur këtë ligj antikushtetues. Pritet që Gjykata të zbardhë vendimin në lidhje me këtë kërkesë të demokratëve, por fakti se argumentet e përdorur nga PPKD janë të njëjta me ato të PD, pritet që Kushtetuesja të rrëzojë edhe kërkesën e Partisë më të madhe opozitare. /gj.k/
Vendim nr. 190 datë 20.11.2014
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë (Kolegji), i përbërë nga:
Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese
Fatmir Hoxha, Anëtar i “ “
Fatos Lulo, Anëtar i “ “
në datën 20.11.2014, mori në shqyrtim paraprak kërkesën me nr. 190 Akti, që i përket:
KËRKUES: PARTIA POPULLORE KRISTIANDEMOKRATE E SHQIPËRISË
SUBJEKTE TË INTERESUARA:
PRESIDENTI i REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
KUVENDI i REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
KËSHILLI i MINISTRAVE
KOMISIONI QËNDROR i ZGJEDHJEVE
MINISTRI i SHTETIT PËR ÇËSHTJET VENDORE
OBJEKTI: Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i ligjit nr. 115/2014, datë 31.07.2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 115/2014, datë 31.07.2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
BAZA LIGJORE: Nenet 4, 13, 75/2, 83/3, 108, 116, 124, 131/a dhe 134/1/f të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Kolegji, pasi shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N:
I
- Kuvendi i Republikës së Shqipërisë (Kuvendi), në datën 31.07.2014 miratoi ligjin nr. 101/2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”. Ligji është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 137, datë 01.09.2014 dhe sipas nenit 15 të tij (ku parashikohet hyrja në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare), ka hyrë në fuqi në datën 16.09.2014.
- 2. Ky ligj ka për objekt përcaktimin e njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, si dhe emërtimin, shtrirjen territoriale, kufijtë, njësitë administrative përbërëse të çdo njësie të qeverisjes vendore dhe nënndarjet e tyre. Ndër të tjera, në këtë ligj sanksionohet edhe çështja e organizimit të zgjedhjeve vendore të vitit 2015 mbi bazën e ndarjes administrativo territoriale të përcaktuar në këtë ligj.
II
- 3. Kërkuesi, Partia Popullore Kristiandemokrate e Shqipërisë, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) me kërkesë për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit objekt kërkese, duke argumentuar se:
3.1 Ligji për reformën administrativo-territoriale është hartuar në mënyrë të përshpejtuar dhe të njëanshme nga mazhoranca, si dhe pa konsensusin e opozitës;
3.2 Harta e re territoriale, e miratuar me ligjin objekt kërkese, çon në krijimin e grupimeve të mëdha që ndikojnë në: a) qeverisje joeficiente të pushtetit vendor; b) dëmtimin e mekanizmave të demokracisë përfaqësuese dhe dobësimin e instrumenteve të demokracisë direkte. Gjithashtu, ndarja e re territoriale çon në pengimin e politikave afatgjata të zhvillimit të infrastrukturës dhe lë pas dore zonat rurale.
3.3 Është cenuar parimi i decentralizimit dhe autonomisë vendore, pasi hartimi i reformës duhet të ishte paraprirë edhe nga ndryshimet në ligjin që rregullon funksionimin e njësive të qeverisjes vendore dhe reforma elektorale;
3.4 Në miratimin e ligjit nuk janë respektuar kriteret e parashikuara në nenin 108 të Kushtetutës. Në kuptim të paragrafit 2 të këtij neni, ligjvënësi duhet të kishte konsultuar ndarjen e re territoriale me popullsinë që banon në to, si një kusht paraprak, mungesa e të cilit ka sjell si pasojë antikushtetueshmërinë e ligjit objekt kërkese.
III
- Kolegji vlerëson se kërkuesi legjitimohet ratione personae në kuptim të nenit 134, pika 1, shkronja “f” të Kushtetutës. Ai është një person juridik i regjistruar sipas ligjit nr. 8580, datë 17.02.2000 “Për partitë politike”, me vendimin nr. 1169, datë 18.05.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Tiranës. Sipas nenit 134/f të Kushtetutës, “partitë politike” janë subjekte që mund të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për çështje që lidhen me interesat e tyre
- Kërkuesi legjitimohet ratione temporis, pasi kërkesa është paraqitur brenda afatit 3 vjeçar të parashikuar nga neni 50 i ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
- Në lidhje me legjitimimin ratione materiae, Kolegji vlerëson se është rasti të ritheksojë qëndrimin e Gjykatës se në gjykime të kontrollit të kushtetueshmërisë së normës, subjektet që parashikohen në nenin 134, pika 2, të Kushtetutës kanë detyrimin për të provuar lidhjen e domosdoshme që duhet të ekzistojë ndërmjet funksionit e veprimtarisë ligjore që ato kryejnë dhe çështjes kushtetuese të ngritur. Partitë politike janë të specifikuara në nenin 134, pika 1, shkronja “f“, të Kushtetutës si një ndër subjektet që e ushtrojë në mënyrë të kushtëzuar të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Ato kanë legjitimitet kushtetues vetëm për ato çështje që lidhen me interesat e tyre. (shihvendimin nr. 1, datë 07.01.2005 të Gjykatës Kushtetuese).
- Gjykata ka tashmë një praktikë të konsoliduar lidhur me çështjen e justifikimit të interesit të subjekteve që përfshihen në nenin 134/2 të Kushtetutës. Interesi i një subjekti në një çështje në kuptim të shkronjave “dh”, “e” dhe “f” të nenit 134/1 të Kushtetutës quhet i justifikuar nëse arrin të provohet nga vetë kërkuesi se pasoja negative është e drejtpërdrejtë, pra rrjedh direkt nga akti objekt shqyrtimi, është reale dhe, sipas rastit, është e lidhur ngushtë me funksionet e organizatës respektive. Partia politike legjitimohet në kërkimet e saj, nëse bëhet fjalë për respektimin nga ana e një organi kushtetues të statusit të saj që rrjedh nga Kushtetuta, gjatë procesit zgjedhor, si, për shembull, financimi i partive politike nga shteti, dhënia e shansit të barabartë të gjitha partive për të marrë pushtetin, etj. (shih vendimin nr. nr. 15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese)
- Në një interpretim më të zgjeruar për legjitimimin e partive politike, Gjykata ka evidentuar se interesi në çështjen në gjykim, nuk mbështetet vetëm në dokumentet e themelimit dhe statutin e partive politike, por edhe në shtrirjen e anëtarësisë, veprimtarinë dhe shkallën e përfaqësimit politik të tyre në organet e zgjedhura. Në këtë vështrim, si kriter referues, merret dhe e drejta që i është njohur nga kushtetutëbërësi jo më pak se një të pestës së deputetëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese të pakondicionuar me një interes të veçantë. Pikërisht ky fakt, shprehet Gjykata, e bën Partinë Socialiste të Shqipërisë “një subjekt të posaçëm midis partive të tjera politike” që ka një interes legjitim në kuptim kushtetues “për të kërkuar kontrollin e kushtetueshmërisë së kësaj marrëveshje”. (shih vendimin nr. 15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese)
- Në këndvështrimin e mësipërm, Kolegji vëren se kërkuesi ka detyrimin të provojë interesin e tij në lidhje me çështjen, lidhjen e domosdoshme që ekziston ndërmjet misionit që ka dhe marrëdhënies juridike të cenuar nga dispozitat përkatëse të ligjit nr. 101/2014, datë 31.7.2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
- Referuar përmbajtjes së kërkesës, Kolegji vëren se kërkuesi, përveç referimit në nenet 13 dhe 108/2 të Kushtetutës, nuk ka arritur të argumentojë në nivel kushtetues se në ç’ mënyrë ligji objekt kërkese ndikon ne pozicionin e tij si subjekt politik në raport me zgjedhjet dhe cilat janë pasojat negative të ardhura për të.
- Për sa më sipër, Kolegji vlerëson se kërkuesi nuk legjitimohet ratione materiae në kërkimet e tij drejtuar Gjykatës, si rrjedhim, çështja nuk mund të kalojë në seancë plenare.
PËR KËTO ARSYE,
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në bazë të nenit 31 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”,
V E N D O S I:
Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.