Zbardhet vendimi i Kushtetueses: Shkeljet e Shukri Xhelilit të rënda

Zbardhet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi kërkesën e ish-kryebashiakut të Dibrës, Shukri Xhelili, për të shpallur të pavlefshëm vendimin e Qeverise për shkarkimin e tij dhe rikthimin në detyrë.

Gjykata Kushtetuese vlerëson se veprimet e kryera nga Shukri Xhelili kanë cenuar rëndë figurën e zyrtarit publik, misionin e qeverisjes vendore, kompetencat e kryetarit të Bashkisë, si dhe vijnë në kundërshtim me nenin 32 të Kodit të Punës, në të cilin parashikohet se punëdhënësi respekton dhe mbron në raportet e punës personalitetin e punëmarrësit.

Sipas gjykatës, punëdhënësi  duhet të parandalojë çdo qëndrim që cënon dinjitetin e punëmarrësit. Punëdhënësi ndalohet të kryejë çdo veprim që përbën shqetësim seksual karshi punëmarrësit dhe nuk lejon kryerjen e veprimeve të tilla nga punëmarrësit e tjerë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Si përfundim, Gjykata vlerëson se shkeljet që i janë ngarkuar Shukri Xhelili janë të rënda, në kuptim të nenit 115/1 të Kushtetutës, për pasojë kërkesa për shfuqizimin e vendimit nr.361, datë 13.05.2016 të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Dibër është e pabazuar.

Swiss Digital Mobile Reklama

Video-skandali i bërë publik në televizion pak kohë më parë çoi në pranga ish-kryetarin e Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili. 56-vjeçari, i cili u denoncua nga 20-vjeçarja A.A. për ngacmim seksual, u arrestua në Tiranë. Ai akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë”, në formën e kërkimit të favoreve seksuale prej 20-vjeçares me iniciale A.A., në këmbim të emërimit në një vend pune, në strukturat e varësisë së Bashkisë Dibër.

Pas publikimit të videos, 56-vjeçari pati deklaruar se kishte rënë pre e një kurthi të ngritur nga kundërshtarët e tij.

 

Vendim nr. 67 datë 11.11.2016

(V-67/16)

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Bashkim Dedja, Kryetar, Vladimir Kristo, Sokol Berberi, Vitore Tusha, Altina Xhoxhaj, Gani Dizdari, Besnik Imeraj, Fatos Lulo, Fatmir Hoxha, anëtarë, me sekretare Edmira Babaj, në datat 12.07.2016 dhe 19.07.2016 mori në shqyrtim në seancë plenare, me dyer të hapura, çështjen me nr. 41 Akti, që u përket palëve:

 

KËRKUES:                           SHUKRI XHELILI, përfaqësuar nga avokat Ferdinand Doja.

 

SUBJEKT I INTERESUAR:         

KËSHILLI I MINISTRAVE, përfaqësuar me autorizim në gjykim nga Artur Metani.

Objekti:                             Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 361, datë 13.05.2016 të Këshillit të Ministrave.

 

BAZA LIGJORE:                Neni 115/2 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 27 i ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

 

GJYKATA KUSHTETUESE,

pasi dëgjoi relatorin e çështjes Fatmir Hoxha, shqyrtoi pretendimet e kërkuesit, që kërkoi pranimin e kërkesës, parashtrimet e subjektit të interesuar, Këshillit të Ministrave, që kërkoi rrëzimin e kërkesës, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,

 

V Ë R E N:

I

  1. Kërkuesi Shukri Xhelili është zgjedhur kryetar i Bashkisë Dibër në zgjedhjet lokale të zhvilluara në vitin 2015.
  2. Me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave, me vendimin nr. 361, datë 13.05.2016, e ka shkarkuar kërkuesin nga detyra e kryetarit të bashkisë për shkak të shkeljeve të rënda. Ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është botuar në Fletoren Zyrtare në datën 17.05.2016[1].
  3. Kërkuesi në datën 25.05.2016 ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar shfuqizimin e vendimit nr. 361, datë 13.05.2016 të Këshillit të Ministrave si të papajtueshëm me Kushtetutën.

 

II

  1. Kërkuesi Shukri Xhelili i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar shfuqizimin e vendimit objekt shqyrtimi si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me argumentet si vijojnë:

4.1. Vendimi i shkarkimit nga detyra ka cenuar të drejtën për një proces të rregullt ligjor, pasi nuk i është dhënë mundësia të njihet me shkeljet e ngarkuara dhe arsyet e shkarkimit, si dhe të realizojë të drejtën e mbrojtjes.

4.2. Kërkuesi nuk është njohur zyrtarisht me relacionin për shkeljet e ngarkuara, si dhe arsyet e shkarkimit.

4.3. Kërkuesi nuk është njohur me procedimin disiplinor dhe nuk ka pasur mundësi të paraqesë prapësimet e mundshme, duke u cenuar e drejta për t’u mbrojtur dhe parimi i kontradiktoritetit. Si për çdo akt administrativ dhe për marrjen e vendimit të shkarkimit duhet të respektoheshin procedurat administrative.

4.4. Në vendim citohet se shkaku i shkarkimit është për shkelje të rënda, pa specifikuar nëse janë shkelur dispozitat konkrete të Kushtetutës apo të ligjeve.

 

  1. Subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave, ka paraqitur prapësime me shkrim, duke argumentuar si vijon:

5.1.  Me vendimin nr.361, datë 13.05.2016 Këshilli i Ministrave e ka shkarkuar nga detyra kryetarin e Bashkisë Dibër për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve. Vendimi është marrë pas shqyrtimit të pamjeve filmike të publikuara në një prej emisioneve televizive, ku kërkuesi shfaqet duke kryer veprime joetike, të cilat cenojnë rëndë figurën e zyrtarit dhe ulin besimin e publikut në institucionin e drejtuar prej tij.

5.2.  Pretendimi i kërkuesit se shkarkimi është rezultat i një procesi jo të rregullt ligjor, pasi i është mohuar e drejta të njihet me shkeljet e ngarkuara dhe arsyet e shkarkimit si dhe e drejta të mbrohet, është i pabazuar.

5.3.  Kërkuesi ka shkelur nenin 4/2 të ligjit 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, duke dëmtuar rëndë figurën e zyrtarit publik me veprime që nuk janë në përputhje me misionin e vetëqeverisjes vendore dhe në shkelje të ushtrimit të rregullt të funksionit të zyrtarit. Kërkuesi ka shkelur ligjin e mësipërm, pasi nuk ka respektuar parimet themelore për punësimin e punonjësve, si dhe ka shkelur Kodin e Punës duke cenuar personalitetin dhe dinjitetin e punëmarrësit.

5.4.  Pretendimi se akti i shkarkimit ka të meta është i pabazuar. Ai është marrë në përputhje me nenet 100 dhe 115 të Kushtetutës dhe nenin 62/a të ligjit nr.139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, është votuar nga Këshilli i Ministrave dhe është nënshkruar nga Kryeministri, pas shqyrtimit të relacionit përkatës.

5.5.  Pretendimi për mosnjoftimin e aktit të shkarkimit është i pabazuar pasi vendimi së bashku me relacionin, me shkresën nr.3134 prot., datë 16.05.2016, i janë dërguar kërkuesit në adresën e tij.

 

III

Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese

  1. Lidhur me legjitimimin e kërkuesit
  2. Gjykata në jurisprudencën e saj ka theksuar se vendimi për shkarkimin nga detyra të organit të qeverisjes vendore është një akt individual i natyrës administrative. Në rastin e shkarkimit nga detyra të organit të qeverisjes vendore, kushtetutëbërësi, në mënyrë që t’u japë garanci më të mëdha në ushtrimin e detyrës këtyre organeve, në nenin 115/2 të Kushtetutës ka parashikuar të drejtën e tyre për t’u ankuar drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese, si një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, sipas të cilit Gjykata shqyrton drejtpërdrejt vetëm kushtetutshmërinë e akteve me karakter normativ (shih vendimet nr.32, datë 10.07.2013, nr. 23, datë 25.07.2013; nr.15, datë 08.06.2009; nr.22, datë 07.10.2008; nr.39, datë 29.12.2005 të Gjykatës Kushtetuese). Për sa më sipër, Gjykata vlerëson se bazuar në nenin 115 të Kushtetutës kërkuesi legjitimohet ratione materiae dhe ratione personae.
  3. Lidhur me legjitimimin ratione temporis, Gjykata vëren se bazuar në nenin 115/2 të Kushtetutës organi i shkarkuar mund të ankohet brenda 15 ditëve në Gjykatën Kushtetuese.
  4. Gjykata është shprehur se si datë e fillimit të afatit të ankimit ndaj aktit individual, që cenon të drejtat e personit, do të konsiderohet data e marrjes dijeni nga personi për ekzistencën e aktit, pavarësisht formave të tjera të publikimit (vendimi nr.37, datë 25.07.2013 i Gjykatës Kushtetuese).
  5. Në çështjen në shqyrtim kërkuesi pretendon se nuk ka marrë dijeni më parë për vendimin e shkarkimit, si rrjedhim, si datë e marrjes dijeni do të llogaritet data 17.05.2016 e botimit të vendimit të shkarkimit në Fletoren Zyrtare. Kërkesa në Gjykatën Kushtetuese është paraqitur në datën 25.05.2016. Duke iu referuar kësaj date rezulton se kërkuesi ka respektuar afatin 15-ditor të ankimit para kësaj Gjykate dhe për këtë arsye legjitimohet ratione temporis.

 

  1. Për pretendimin e cenimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor
  2. Kërkuesi Shukri Xhelili ka pretenduar se vendimi i shkarkimit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Dibër është rrjedhojë e një procesi jo të rregullt ligjor, pasi nuk është vënë në dijeni për shkaqet e shkarkimit, si dhe nuk i është krijuar mundësia për t’u mbrojtur para organit administrativ. Gjithashtu, kërkuesi ka pretenduar se vendimi i shkarkimit nuk plotëson standardet e parimit të arsyetimit të vendimit.
  3. Në jurisprudencën e saj Gjykata ka theksuar se e drejta e individit për një proces të rregullt ligjor, e parashikuar në nenin 42 të Kushtetutës, nuk është e kufizuar vetëm në procesin gjyqësor, por përfshin edhe atë me karakter disiplinor administrativ. Në këtë kuptim, ajo ka theksuar se çdo organ i pushtetit publik, gjatë ushtrimit të funksionit të tij kushtetues e ligjor, është i detyruar të respektojë standardet demokratike, të cilat kanë gjetur pasqyrimin e tyre në Kushtetutë. Njohja paraprake e personit, ndaj të cilit kërkohet të merret masa e shkarkimit, me materialet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi, respektimi i së drejtës për t’u dëgjuar dhe mbrojtur, nëpërmjet dhënies së sqarimeve paraprake ashtu dhe gjatë shqyrtimit të çështjes, janë disa nga elementet bazë që garantojnë të drejtën kushtetuese të cilitdo për një proces të rregullt si një e drejtë themelore (shih vendimet nr.23, datë 25.07.2013; nr.32, datë 10.07.2013; nr.15, datë 03.05.2011 të Gjykatës Kushtetuese).
  4. Kjo e drejtë realizohet nëpërmjet pjesëmarrjes së vetë individit në proces dhe parashtrimit të argumenteve prej tij, ose avokatit të zgjedhur. Në nenin 44 të Kodit të Procedurave Administrative (KPA) parashikohet se çdokush që ka interes të ligjshëm, ka të drejtë të marrë pjesë në procedimin administrativ[2]. Palët pjesëmarrëse në një procedim administrativ janë autoriteti kompetent, nga njëra anë dhe pala e interesuar nga ana tjetër. Gjykata gjatë këtij gjykimi vlerëson kushtetutshmërinë, procedurën dhe ligjshmërinë e shkarkimit të ndjekur nga organi administrativ. Në këtë gjykim secila nga palët ka detyrimet e veta procedurale. Pala kërkuese ka detyrimin të argumentojë karakterin antikushtetues të vendimit, ndërsa pala e interesuar të përcaktojë veprimet ose mosveprimet që përbëjnë shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve (shih vendimet nr.30, datë 28.12.2006 të Gjykatës Kushtetuese; nr.22, datë 07.10.2008 të Gjykatës Kushtetuese).
  5. Nisur nga rrethanat e çështjes në shqyrtim, Gjykata vlerëson se për shkarkimin e kërkuesit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Dibër organi administrativ nuk ka respektuar elementet procedurale të procesit të rregullt ligjor si njohja paraprake e personit, ndaj të cilit kërkohet të merret masa e shkarkimit, me materialet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi dhe respektimi i së drejtës për t’u dëgjuar dhe mbrojtur, nëpërmjet dhënies së sqarimeve paraprake ashtu dhe gjatë shqyrtimit të çështjes nga organi administrativ.
  6. Gjykata çmon se pretendimi i subjektit të interesuar, Këshillit të Ministrave, se shkarkimi i kërkuesit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Dibër ka ndodhur në kushtet e urgjencës, nuk është i bazuar.
  7. Gjykata gjatë shqyrtimit të çështjes, në respektim të standardit për një proces të rregullt ligjor, i krijoi mundësi kërkuesit, nëpërmjet përfaqësuesit të tij, për t’u njohur me shkeljen e ngarkuar. Kërkuesi nëpërmjet përfaqësuesit të tij, edhe gjatë zhvillimit të dy seancave plenare iu krijua mundësia për të realizuar mbrojtjen në respektim të parimit të kontradiktoritetit nëpërmjet parashtrimit të argumenteve dhe paraqitjes së provave, duke rivendosur të drejtat dhe interesat e cenuara prej organit administrativ.
  8. Gjithashtu, kërkuesi ka pretenduar se vendimi nr. 361, datë 13.05.2016 i Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra nuk është i arsyetuar, pasi nuk është argumentuar nëse kërkuesi ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës apo ligjeve.
  9. Gjykata konstaton se vendimi nr.361, datë 13.05.2016 është bazuar në relacionin dhe propozimin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë. Në pikën 4 të VKM-së nr. 584, datë 28.08.2003 “Për miratimin e rregullores Këshillit të Ministrave” parashikohet se ministrat të drejtën e nismës për projektakt e ushtrojnë në përputhje me fushat e veprimtarisë shtetërore që kanë në kompetencë, si dhe me përgjegjësitë që burojnë nga strategjitë dhe dokumentet e tjera të miratuara për drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore. Kryeministri e ushtron këtë të drejtë në çdo rast, kryesisht ose kur kjo e drejtë nuk është ushtruar nga ministri përkatës, sikurse është vepruar në rastin konkret.
  10. Në relacionin e Kryeministrit, i cili, bazuar në nenin 25 të ligjit nr. 9000, datë 30.01.2003 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, është pjesë e pandarë e përmbajtjes së vendimit të shkarkimit, rezulton i pasqyruar i gjithë informacioni mbi faktet që janë bërë shkak për marrjen e vendimit dhe që kanë përligjur shkarkimin e kërkuesit nga detyra. Për këto arsye, vendimi objekt kundërshtimi është i arsyetuar në përputhje me nenin 109 të KPA-së, në të cilin parashikohet se arsyetimi i aktit administrativ duhet të jetë i qartë dhe të përfshijë shpjegimin e bazës ligjore dhe faktike të aktit. Si rrjedhim, Gjykata vlerëson se pretendimi i kërkuesit për cenimin e parimit të arsyetimit të vendimit të shkarkimit nuk është i bazuar.
  11. Nisur nga rrethanat e çështjes konkrete, Gjykata e sheh me vend të ritheksojë se në çdo rast të fillimit të procedurave administrative për shkarkimin e organeve të zgjedhura nga Këshilli i Ministrave duhet të respektohen elementët e së drejtës për një proces të rregullt.
  12. Për sa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se pretendimi i kërkuesit për cenimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor është i pabazuar.[3]

 

  1. Për pretendimin e shfuqizimit të vendimit nr. 361, datë 13.05.2016 të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra
  2. Kërkuesi ka pretenduar se është shkarkuar nga detyra e kryetarit të Bashkisë Dibër në mungesë të shkaqeve të parashikuara nga neni 115/1 i Kushtetutës, pasi ai nuk ka kryer sjellje dhe akte që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjin.
  3. Gjykata vëren se në nenin 115 të Kushtetutës, në nenet 41/1/ç, 42 të ligjit nr.8652, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, të ndryshuar[4], si dhe në nenin 62/a të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore” përcaktohet se mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastin e shkarkimit me vendim të Këshillit të Ministrave kur kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.
  4. Gjykata është shprehur se gjykimi, i cili ka për objekt shkarkimin nga detyra të organeve të qeverisjes vendore, është gjykim në themel i kërkesës dhe ajo, si organ kontrolli, për të çmuar shkeljen e rëndë të Kushtetutës apo ligjit, heton dhe gjykon në themel çështjen, ashtu siç do të vepronte një gjykatë e sistemit gjyqësor të zakonshëm (shih vendimet nr.15, datë 08.06.2009; nr.22, datë 07.10.2008; nr.39, datë 29.12.2005 të Gjykatës Kushtetuese).
  5. Duke qenë se shkarkimi/shpërndarja e organeve të zgjedhura të qeverisjes vendore është një masë ekstreme e procedurave të kontrollit, ajo duhet të merret pas një vlerësimi të kujdesshëm të disa elementeve të zhvilluara në jurisprudencën e kësaj Gjykate, sipas së cilës kuptimi i saktë dhe i drejtë i konceptit shkelje e rëndë e ligjit vlerësohet në tërësinë e tij nga disa faktorë, të cilët kanë të bëjnë me rëndësinë e ligjit të shkelur, pasojat e ardhura nga shkelja e tij, kohëzgjatjen e këtyre pasojave si dhe vetë qëndrimin subjektiv që mban personi konkret ndaj shkeljes së kryer (shih vendimet nr.15, datë 03.05.2011; nr.15, datë 08.06.2009; nr.22, datë 07.10.2008 të Gjykatës Kushtetuese).
  6. Gjykata konstaton se shkarkimi i kërkuesit nga detyra e kryetarit të Bashkisë Dibër ka ardhur pas shfaqjes së pamjeve filmike në një prej emisioneve televizive, ku ai shfaqej në veprime joetike duke i kërkuar favore seksuale njërës prej punonjëseve të institucionit që ai drejtonte. Nga subjekti i interesuar, Këshilli i Ministrave, u paraqitën si provë materiale: urdhri i kryetarit të Bashkisë Dibër nr.118, datë 01.10.2015 “Për miratimin e strukturës organizative të qendrës kulturore të Bashkisë Dibër; kopja e vendimit nr.25 datë 26.02.2016 “Për emërimin në detyrë të shtetases A.A.”; kopja e kontratës së punësimit; lista e pagesave për muajt shkurt, mars, prill, maj dhe qershor të viti 2016 të shtetases A.A.; vendimi nr.584, datë 28.08.2003 i Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullores së Këshillit të Ministrave”.
  7. Për t’i dhënë mundësi kërkuesit për të paraqitur argumente dhe prova për të mbështetur pretendimin e tij, Gjykata e ka shtyrë seancën për një datë tjetër. Në seancën gjyqësore të datës 19.07.2016 përfaqësuesi i kërkuesit paraqiti në cilësinë e provës procesverbalin e marrjes së të dhënave nga personi që tregon rrethana të dobishme për qëllimet e hetimit, konkretisht të shtetases A.A., e cila ka sqaruar rrethanat e njohjes, komunikimet dhe takimet me kërkuesin. Në parashtrimet shtesë të paraqitura, përfaqësuesi i kërkuesit ka argumentuar se aparati me të cilin është realizuar filmimi është asgjësuar, gjë e cila pohohet dhe gjatë marrjes në pyetje të shtetases së dëmtuar (faqja 4, paragrafi 6 i procesverbalit). Sipas tij, veprimet që i atribuohen kërkuesit janë objekt procedimi penal dhe si rrjedhojë është gjykata e zakonshme që do të vendosë mbi fajësinë apa pafajësinë e tij.
  8. Detyra e kësaj Gjykate është të vlerësojë nëse shkaku që ka shërbyer për shkarkimin nga detyra të organit të zgjedhur të qeverisjes vendore përbën ose jo shkelje të rëndë të Kushtetutës ose të ligjeve dhe jo oportunitetin e masës së marrë. Të drejtën për të vlerësuar marrjen ose jo të masës së shkarkimit nga detyra, kur janë të pranishme kushtet e përcaktuara në nenin 115 të Kushtetutës, kushtetutëbërësi e ka lënë në çmimin e Këshillit të Ministrave kur shprehet se ky i fundit mund të shpërndajë ose të shkarkojë organin e zgjedhur drejtpërdrejt të qeverisjes vendore për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve (shih vendimet nr.32, datë 10.07.2013, nr. 23, datë 25.07.2013; nr.15, datë 08.06.2009; nr.22, datë 07.10.2008; nr.39, datë 29.12.2005 të Gjykatës Kushtetuese).
  9. Lidhur me pretendimin e kërkuesit se çështja është në hetim dhe është gjykata penale që do të përcaktojë fajësinë e tij, Gjykata në jurisprudencën e saj është shprehur se si rregull përgjegjësia penale konkurron me përgjegjësinë administrative apo disiplinore. Veç kësaj, pavarësisht nga procedimi penal, organi administrativ, Këshilli i Ministrave, mund të nisë njëherazi një procedurë administrative për shkelje për të cilat konstatohet përgjegjësi administrative (shih vendimet nr. 32, datë 10.07.2013; nr.22, datë 07.10.2008 të Gjykatës Kushtetuese). Si rrjedhim, Gjykata vlerëson se ky pretendim i kërkuesi është i pabazuar.
  10. Gjykata vlerëson se veprimet e kryera nga kërkuesi kanë cenuar rëndë figurën e zyrtarit publik, misionin e qeverisjes vendore, kompetencat e kryetarit të bashkisë, si dhe vijnë në kundërshtim me nenin 32 të Kodit të Punës, në të cilin parashikohet se punëdhënësi respekton dhe mbron në raportet e punës personalitetin e punëmarrësit. Ai duhet të parandalojë çdo qëndrim që cenon dinjitetin e punëmarrësit. Punëdhënësi ndalohet të kryejë çdo veprim që përbën shqetësim seksual karshi punëmarrësit dhe nuk lejon kryerjen e veprimeve të tilla nga punëmarrësit e tjerë.
  11. Kjo gjykatë edhe në jurisprudencën e saj ka theksuar se sjelljet që dëmtojnë rëndë figurën e zyrtarit publik sipas ligjit për qeverisjen vendore i ka cilësuar si shkelje të rënda të ligjit (shih vendimin nr.15, datë 03.05.2011 të Gjykatës Kushtetuese).
  12. Si pjesë e kontrollit kushtetues të aktit të shkarkimit nga detyra të kërkuesit, gjykata shqyrton edhe qëndrimin subjektiv të kërkuesit ndaj shkeljes së ngarkuar. Gjatë seancës gjyqësore nga përfaqësuesi i kërkuesit u pranua vërtetësia e njërit prej filmimeve të zhvilluara në automjetin e kërkuesit, ku ai shfaqej duke kërkuar favore seksuale ndaj shtetases A.A., me premtimin për ndryshimin e pozicionit e saj të punës në institucionin e drejtuar prej tij.
  13. Si përfundim, Gjykata vlerëson se shkeljet që i janë ngarkuar kërkuesit Shukri Xhelili janë të rënda, në kuptim të nenit 115/1 të Kushtetutës, për pasojë kërkesa për shfuqizimin e vendimit nr.361, datë 13.05.2016 të Këshillit të Ministrave për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Dibër është e pabazuar.

 

 

 

PËR KËTO ARSYE,

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 115/ 2, të Kushtetutës, si dhe të nenit 72 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, njëzëri

 

V E N D O S I:

  • Rrëzimin e kërkesës.

Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

[1] Fletore Zyrtare nr.81, 17 Maj viti 2016.

[2] Në çështjen konkrete gjejnë zbatim dispozitat e ligjit nr.8485, datë 12.05.1999 “Kodi i Procedurave Administrative”. Kodi i ri i procedurave administrative, ligji 44/2015 ka hyrë në fuqi në datën 28.05.2016 dhe akti objekt gjykimi është i datës 13.05.2016.

[3] Gjyqtari S.Berberi mban qëndrimin se gjatë procedurave vendimmarrëse në KM nuk janë respektuar disa kërkesa që imponon procesi i rregullt ligjor, por këto shkelje janë korrigjuar gjatë gjykimit kushtetues. Për këtë arsye ka votuar kundër kërkesës së kërkuesit për shfuqizimin e vendimit të KM, objekt shqyrtimi.

[4] Ligji nr.8652, datë 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, i ndryshuar me ligjin nr. 9208, datë 18.03.2004 dhe nr. 30/2015, datë0 2.04.2015.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?