Zbulimi i vatrave të reja në Krujë nga Basha në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Qeveria i mohoi
Qeveria nuk është transparente me pandeminë e Covid-19. Akuzave të opozitës se në vend ka vatra të reja dhe se shifrat e të infekturave janë të manipuluara, qeveria i përgjigjet me kërcënimet me burg. Zbulimi i 4 rasteve të reja me Covid-19 në një fasoneri në Krujë ka ndodhur që të hënën, por qeveria nuk i ka raportuar rastet. Ky përfundim faktohet nga zhvillimet e sotme në Krujë, të cilat u paraprinë nga një mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mërkurën.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, gjatë mbledhjes sipas ”Ballkan Web”, ka ngritur shqetësimin e infkesionit përmes fasonerive dhe ka kërkuar mbylljen e tyre. Kjo kërkesë, e përsëritur rregullisht në publik nga Basha që prej shpërthimit të epidemisë, u refuzua nga kryeministri Rama edhe në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare para dy ditësh. Nga ana tjetër, thuhet se Basha ka këmbëngulur duke iu referuar rasteve konkrete. Ai ka përmendur infektimin e disa personave nga punonjësja e fasonerisë në Shkodër, i bërë publik të premten e kaluar, si dhe ka folur për vatra të reja infektimi në Krujë.
“Sot kemi 3 raste në një fasoneri në Krujë, çka tregon se po kthehen në rrezik perhapjeje- mësohet të jetë shprehur Basha gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të mërkurën. Por informacioni që kreu i opozitës i dha Këshillit të Sigurisë u mohua nga qeveria. Kurse Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka ndërhyrë duke u shprehur se ”Nuk ka asnjë rast me Covid-19 në Krujë”.