Zef Mazi: BE nuk mund ta justifikojë bllokimin e Ballkanit me kaosin e saj

Intervistë me ish-Kryenegociatorin për integrimin në BE, Ambasador Zef Mazi

Pyetje: Ju keni një karrierë dhe eksperiencë të pasur diplomatike. Dëgjohen deklarata njera pas tjetrës ndaj Ballkanit. Si e shihni politikën aktuale të Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit?

Përgjigje: Bashkimi Evropian duket se është e ngërthyer me një numër jo të parëndësishëm sfidash. Uroj të mund t’iu jepja përgjigje të shkurtër, të thjeshtë, por e gjitha është më e komplikuar. Duhet naviguar me kujdes në një situatë lëmshi, siç më duket se është.

Politika e BE-së ndaj Ballkanit ka qenë në luhatje permanente për kohë mjaft të gjatë. Njëzet vjet pas Samitit të BE-së në Selanik, që deklaroi se Ballkani e ka vendin në BE, retorika dhe hapat konkrete të Unionit që nga ajo kohë nuk kanë konverguar mire. Ato shpesh kanë mbetur në vend, jo rastësisht, ndoshta qëllimshëm. Kjo pasqyron qartë pozicionet e ndryshme të shteteve anëtare, deficitin e unanimitetit dhe të kohezionit kur është puna për të pasur një vizioin strategjik në lidhje me Ballkanin – zotësinë, aftësinë për të parë larg në horizont!

BE-ja vazhdon të jetë në modus të përhershëm përsëritjeje, se rruga për në BE do të jetë e gjatë, bëni këtë, bëni atë – me një fjalë leksione! Nuk jemi as në 2003, as në 2014 dhe as në 2020. Duket se BE-së i ka ngecur “vala e radios” në një vend stacion. Ajo është mësuar të shohë dobësitë e të tjerëve duke harruar dhe mos parë të sajat! Disa gjëra mund të bëhen më mirë, më në kohezion dhe me shpejt ndaj Ballkanit. Duket diçka sikur filloi të lëvize disi më mirë nga mesi i vitit të kaluar. Vijon në retorikë dhe sot, por në forma të tërthorta, me propozime të diskutueshme, jo të qarta, sa kuptoj nga njohja me diskutimet në struktura të ndryshme të BE-së. Bashkimi Evropian nuk duket se ecën besimplotë përpara që ta integrojë Ballkanin me ritëm të përshpejtuar dhe hapa konkretë. Ajo po rrezikon ta humbase forcën thithëse, teksa vetë Ballkani kërkon që BE-ja të bëjë më shpejt dhe më shume, jo me më pak. Megjithatë, duhet mbajtur mirë parasysh se, pavaresisht nga këto, kjo rrugë është jo vetëm më e mira, por opsioni i vetëm për rajonin.

Pyetje: Pothuajse 10 vjet më parë Shqiperia u bë kandidate zyrtare për anëtarësim në BE. Cilat shihni se janë problemet kryesore të Shqipërisë në përmbushjen e kërkesave të BE-së?

Përgjigje: Termi “kërkesa” duhet definuar saktë, sepse ai mund të kete kuptim shumë të gjerë, ose shumë të ngushtë. Nga vitit 2014, Shqipëria mori statusin e kandididatit të plotë zyrtarisht në prill të vitit 2019. Konferenca e parë Ndërqeveritare u mbajt në 19 korrik 2022. Për të 35 kapitujt, në fakt për 34 prej tyre, kishte filluar më parë të bëhej nga ana jonë vlerësimi analitik i boshllëqeve institucionale dhe i atyre admjnistrative institucionale. Ka qenë e mundimshme të ecej përpara me “një grusht njerëzish” në ekip, në qendër dhe në ministritë e linjës, pa strukturë adeguate institucionale të dedikuar, me burime të vockëla. Bernard Shou ka thënë, “më jep veglat e punes që unë të bëj punën”. Pavarësisht kësaj, u arrit suksesi, u mbajt Konferenca e pare Ndër-qeveritare, filloi zyrtarisht procesi i “vleresimit analitik” në shtator 2022.

Disa probleme kryesore, nëse vërtetë e duam integrimin në BE: mbështetje e plotë, në nivelin më të lartë qeveritar, me vepra, për të shpejtuar procesin; unitet qëllimi në tërë spektrin; përvojë dhe profesionalizëm të lartë diplomatik-negociues; kualifikim, dedikim, seriozitet i krejt stafit, në qendër dhe në ministritë e linjës; struktura të mjaftueshme, të konsoliduara, me sigurinë e vijueshmërisë; burime të bollshme financiare për të mbështeur procesin; plane pune me objektiva të qarta, efektive, të arritshme; kuptim i thellë, ndërgjegjësim se 70% e korpusit ligjor të BE-së do të zbatohet në pushtetin lokal; staf dhe struktura efektive të dedikuara në qeverisjen lokale; marrëdhënie të përherëshme, të organizuara, me publikun, transparencë e plotë me të që ai të jetë në dijeni te ecurisë të procesit, të ndërgjegjësohet dhe të rrisë mbëshetjen; përdorim sa më i gjerë, i shpeshtë, i organizuar mirë i korpusit mediatik audio-vizual dhe të shkruar; përfshirje efektive e shoqërise civile, komunitetit të biznesit, akademikëve, gazetarëve, etj.

Pyetje: Mbi dy vjet ju punuat si Kryenegociator për integrimit e Shqipërisë në BE. Sa e fortë është ende e pranishme tek ju idea evropiane dhe zgjerimi i BE-së?

Përgjigje: Institucionet ndërkombëtare, si p.sh. BE, duket se po japin shenja krisje, jo kohezioni. Disa syresh duken disi të paralizuara për shkak të një burokracie shumë të madhe, ndoshta pak investime, rivalitete për pushtet, fenomene të tipit “violinë e pare”, probleme të buxhetit, kërkesa për rritje të kontributeve nga shtetet kontributore neto dhe reagime jo të favorshme prej tyre, aspekte të interpretimit të shtetit ligjor, etj. Disa anëtarë kanë udhëheqje që shikon vetëm nga vetja dhe që duket se injorojnë faktin se informacioni jo korrekt përhapet po aq shpejt sa e vërteta, dhe se një sëmundje infektive përhapet më shpejt sesa kurat për të.

Megjithatë, BE-ja përfaqëson projektin më të sukseshem politiko-ekonomik në Evrope. Fjala “alternativë” nuk bën pjesë në fjalorin tim. Parësia e pakundërshtueshme e BE-së nuk duhet të shërbejë si “jastek”, si amortizator, për gabimet e saj, as t’i zgjasë iluzionet. Ballkani do përfitojë, edhe BE-ia do përfitojë nga Ballkani në BE. Kjo është rrugë me dy kalime. Me Ballkanin në BE, ajo do jetë e plotë, më e fortë, më solide si Union dhe si shtete anëtare. BE do jetë lojtar më i dëgjuar dhe më i respektuar në politikat globale.

Pyetje: Mendoni se ndoshta duhet një përqasje e re, se paku përsa i takon vendeve të Ballkanit?

Përgjigje: Po, ashtu mendoj. Do ishte mirë nëse do flakej tej ndjenja e “interesit të iluminuar vetjak”, që fokusohet tek pjesa “ime”. Çështja është që misioni i futjes së shpejtë të Ballkanit në BE të shikohet strategjikisht, jo në terma afatshkurter. Vendet e Ballkanit e kanë filluar këtë proces të paktën dy dekada më parë. Ata nuk duhet të diziluzionohen. Janë të dukshme shenjat e lodhjes, ato duhen trajtuar dhe shëruar. Do ishte fatkeqësi e ndjeshme nëse integrimi i Ballkanit nuk shpejtohet konkretisht.

Ka propozime nga ky ose ai shtet apo aktor. Kërkohet analizë e thellë, bindëse, se çfarë duan të thonë ato propozime. Duhen shpjegime të qarta për objektivat kohore të arritshme nga kandidatët, pasi përdoren terma të papërdorura më parë, si “partner”, “gradualitet” etj. Edhe Koreia e Veriut mund te jetë teorikisht shtet partner. Gradualiteti mund të shtyje anëtarësimin ndërsa thuhet se po punohet shumë për të! Dhe vijohet me shtyrjen tjetër të përherëshme.

Mbetet për t’u parë nëse metodologjia e re e intregrimit do ta shpejtojë ritmin, do të pakësojë burokracinë, nese drejtimi politik do ta shpejtojë procesin e integrimit, apo do t’i verë frena. Rruga e integrimit është e njohur. Ajo mishërohet qartë në traktatet e BE-së. Inisiativa të reja, pavarësisht sa „hijshëm“ paketohen, nuk janë zëvëndësim për anëtarësimin e plotë të Ballkanit në BE. Duhet evituar rreziku i dukshëm që njeri nga „stacionet e autobuzit“ të gradualitetit të bëhet stacioni i fundit i autobuzit.

Pyetje: Ku duhet t’i rrisim përpjekjet diplomatike që të sigurojmë te rritet interesi i vendeve anëtare të BE-së për ne? Në Paris, Berlin, Romë, ku?

Përgjigje: Të gjithë vendet e BE-së janë të rëndësishëm. Disa janë primus inter pares (të parë ndër të barabartët) për arsye të historisë, traditës, forcës dhe peshës politike dhe ekonomike, etj. Ka rëndësi të ketë vëmendje të vazhdueshme dhe përpjekje diplomatike ndaj kryeqyteteve evropiane. Po aq e rëndësishme është të kujdesesh, të njohësh mirë cilin drejtim duan të ndjekin kryeqytetet. Do të ishte pikë kyce nëse do mund të tkurreshin disa interesa nacionale dhe ato t’i linin vendin perfitiimit shumë-dimensional strategjik!

Është domosdoshmëri të kihet një plan i qartë bisedimesh me synimin që të vijnë në anën tonë, përmes konsultimesh intensive, me një rreth sa më të gjerë shtetesh të BE-së. Kjo vetëm mund të jetë ndihmuese, ndonëse nuk duhet marrë i mirëqenë oreksi i shteteve anëtare për t’u angazhuar. Disa mund të kenë destinacione të tjerë! Pozicioni i tyre do ishte tregues i vullnetit për të shpejtuar procesin ose jo.

Presidenca suedeze përfundon për pak ditë. Presidenca spanjolle fillon më 1 korrik. Në katër prioritetet e publikuara të saj nuk shihet integrimi i Ballkanit Perëndimior. Nuk dihet a do jetë në prioritetet e Finlandës në 6-muorin e parë të 2024. E ashtuquajtura linjë “strikt dhe ndershëm” duket se tani është zëvendësuar me linjën “më strikt dhe më pak ndershëm”. Kjo nuk është ajo që dëshirohet.

Duhet kujtuar se një shteti anëtar i BE-së iu desh të priste 10 vjet për t’u pranuar në zonën Schengen; dy të tjerë janë ende në listën e pritjes!

Pyetje: Në ç‘masë e ka dobësuar lufta në Ukrainë interesin e BE-së për Ballkanin?

Përgjigje: Lufta në Ukrainë ka potencialin ta shpejtojë dhe ta ngadalësojë procesin, domethënë, ta dobësoje interesin e BE-së ndaj Ballkanit. Nuk shoh hapa konkrete që realisht ajo e ka përshpejtuar procesin. Une shoh se ajo e ka zbehur, dobësuar fokusin e BE-së ndaj Balllkanit. Diskutimet dhe propozimet e kohëve të fundit duken retorike, si hapa makiazhi, për të mbajtur „ngrohtë“. Disa shtete anëtare dhe Presidentja e Komisionit po përpiqen të bëjnë mjaft presion që të përshpejtohet hyrja e Ukrainës në BE. Kjo mund të jetë gjë e mirë. Por do ishte mirë që BE-ia t’i përmbahet strikt “librave”, procedurave të përcaktuara në dokumentacionin e BE-së, ashtu sic ka vepruar me Shqipërinë dhe me të tjerët kandidatë.

Nuk duhet nënvleftësuar rëndesia e dhënies të mesazhit të duhur në kohën e duhur. Nuk duhet nënvleftesuar, gjithashtu, rëndësia dhe koha e dhënies të mesazhit të gabuar ndaj vendeve të Ballkanit! Prandaj, të navigosh sot në mënyre të efektshme në labirinthet e BE-së është domosdoshëri me sensitivitet të lartë.

Pyetje: Ju keni kaluar shumicen e karrierës tuaj në diplomaci. A ju erdhi si shok kjo luftë dhe, vecanerisht, mungesa e diplomacisë për ta parandaluar këtë ndodhi?

Pergjigje: Po, u shokova! Nuk ka gjë më të ligë, të tmerrshme dhe më të keqe se lufta. Vriten njerez, shkatërrohet jeta, ekonomia, ambjenti, infrastruktura, etj. Unë e dënoj atë luftë dhe invazion, luftë që zgjatet, merr jetë njerëzish dhe shton shkatërrimin.

Ajo luftë ishte e evitueshme dhe e parandalueshme. Ajo duhej ndalur dje që të ndalej gjakderdhja! Diplomacia nuk u përdor si duhej, për të mos thënë fare. U injoruan propozime, në periudha të ndryshme, teksa luftimet intensifikoheshin.

Ajo që shoh se është dhe më keq është mungesa e plotë e komunikimit në nivelet më të lartë politik për më shumë se një vit! Sot besimi është në nivelin zero. Do duhen dekada për t’u rivendosur disi, nëse do mundet asnjëhere. Nuk flitet për paqe. Kjo nuk ndjell mire! Armët nuk sjellin paqe! Negociatat, bisedimet mund të sjellin paqe! Nëse diplomacia nuk u përdor, ose nëse ajo dështoi të parandalonte luftën, ajo duhet përdorur tani për ta ndalur luftën, për të shpëtuar jetë njerëzish dhe gjithëcka mund të shpëtohet.

Unë modestisht dij dicka nga bërthamorja. Ajo nuk është lojë, as llaf goje! Janë vënë në rrezik të madh arritjet në kuadër të regjimit të kontrollit të armëve se SHBA dhe Federata Ruse po ecin në drejtime diametralisht të kundërta. Ata janë tërhequr ose kanë suspenduar traktatet e kontrollit të armeve, i kanë hapur rrugën një gare të pakufizuar armatimi. Bota është në situatë jashtëzakonisht të pasigurtë, në zgrip të një dimri të tmerrshëm bërthamor që rrezikon t’i japë fund jetës në planetin Tokë.

Pyetje: Egziston mundesia që Ballkani, me rritjen e tensioneve nacionaliste, të bëhet zone krize tjetër në Evropë?

Përgjigje: Po, egziston, nëse tolerohet. Ka shenja dhe veprime në këtë drejtim, ndërkohë që ka edhe vëmëndje dhe reagim për të ulur tensionet. Mund të debatohet nëse reagimi është i butë, apo duhet të jetë me i forte, më i rreptë dhe më i shpejtë. Në këto reagime e propozime shoh një farë njëanësie.

Ballkani vazhdon të qëndroje me një këmbë në ajër në lidhje me ankorimin e të ardhmes të tij edhe pas mbi 20 vjetesh! Nuk do doja të shihja krizë të re në Ballkan që ai të futet më shpejt në BE! Vendet e Ballkanit kanë dëgjuar, në mënyrë të përsëritur, prej vitesh, se “vendi i Ballkanit është në Evrope”! Eufemizëm! Vendi i Ballkanit, së paku i vendit tim, ka qenë në Evropë që nga koha mijëravjecare e historisë të dokumentuar. Se ku është vendi i Shqipërisë nuk mund të përcaktohet nga drejtuesit e BE-së! Eshte krejt ndryshe të thuhet, sic ka filluar të dëgjohet vetëm kohët e fundit, se “vendi i Ballkanit është në BE”. Shpresoj jo në Kalendat greke! Sa më pare të hyjë Ballkani në BE, aq më mirë për të dhe për BE-në.

Pyetje: A është e efektshme që integrimi në BE të ecë vetëm duke mbyllur negociata për një kapitull? Mos ndoshta i meshohet fort kësaj pike, a mos i ka kaluar koha?

Përgjigje: Varet nga këndvështrimi. Metodologjia e re e BE-së u miratua edhe nga vendet kandidate. Ata nuk kishin rrugë tjetër. Bazuar në atë metodologji, një vend kandidat duhet që të mbyllë një kapitull negociatash për të hapur negociata për një kapitull të ri, të mbyllë një Grup kapitujsh për të kaluar tek një Grup kapitujsh tjetër. U fut edhe kthimi mbrapsht i procesit.

Metodologjia e re mund të ndihmojë, por ajo futi “në dhomë” edhe opsionet e shtyrjeve të përsëritura me justifikimin e “mospërmbushjes të plotë të kësaj apo asaj kërkese”! Kjo bart rrezikun e përdorimit, ose të keqpërdorimit, të metodologjise së re si mbulesë për të maskuar ndjekjen e një cështje të vecantë nacionale për të arritur një synim të caktuar ndaj një vendi kandidat, pavarësisht se ka një Direktivë të posacme të BE-së që flet për të kundërtën, se një cështje dypalëshe nuk duhet të bëhet cështje e 27-shes!

Ka ardhur koha, pas mbi tre vjetësh dhe në rrethanat e reja, që të rishqyrtohet aplikimi i metodologjisë të re dhe, eventualisht, të ripunohet ajo nëse BE-ia sinqerisht dëshiron që të përshpejtojë procesin për Ballkanin. Është më me perfitim që të kihet Ballkani në BE, të punohet me të nga Brenda, në mënyrë të efektshme, për të siguruar zbatueshmërinë e plotë të disa aspekteve, sesa të arrish, nëse mundesh, të njëjtën gjë duke e mbajtur jashte tek dera me shpresën se një ditë, dikur, vendet e Ballkanit do hyjnë!

Pyetje: A mund të punohej me një numër të vogël kapitujsh paralelisht?

Përgjigje: Pyetja i bie pikës! Definitivisht mendoj se po. Prandaj thashë se ka ardhur koha që të rimerret në dorë, të rishqyrtohet dhe, eventualisht, të ripunohet metodologjia e re. Puna njëkohesisht, parallel, me një numër kapitujsh, definitivisht do t’a stimulonte, do ta shpejtonte procesin, do të ofronte një shpresë “të prekshme”, do të inkurajonte vendet kandidate të punonin më fort, më efektshëm, t’I bënin detyrat e shtëpisë më mirë dhe më shpejt pasi BE-ia po demonstron dhe po punon seriozisht tani për ta shpejtuar procesin.

Pyetje: Si e shihni vendin tonë dhe rajonin pas pesë ose dhjetë vitesh, a do jetë e integruar në BE?

Përgjigje: Përgjigja kërkon një vizion si ai i Nostradamus-it! Unë nuk mund të spekuloj nga jashtë. Them se do varet, së pari, nga serioziteti dhe mbështetja totale nga lart-poshtë, me vepra, nga angazhimi, dedikimi, profesionalizmi, përgatitja dhe puna efektive e jona dhe e vendeve kandidate në gjithë rajonin. Së dyti, shumëcka do varet nga oreksi i vendeve anëtare të BE-së për zgjerimin, nëse ata do mendojnë strategjikisht apo do shohin vetëm nga vetevetja!

Së treti, do varet nëse shtetet anëtare të BE-së do shtyjne fort për integrim më të shpejtë të rajonit, duke hequr dorë nga disa pikëpamje nacionaliste dhe nga ide si më parë ristrukturimi (i BE-së), pastaj integrimi, pra nga shtyrja tjetër e përhershme, etj., duke vazhduar të gjenden një numër justifikimesh. BE-ia duhet të mbledhë forcën për të marrë vendime të guximshme dhe të përshpejtojë integrimin e Ballkanit. Është vetëm në interesin e BE-së që të veprojë kështu dhe në të mirën e vendeve tona që të jemi në BE sa më parë./marrë nga javnews.al/

SHKARKO APP