Zef Mazi: Presidenti dhe Borchard-i i OSBE-së

Nga Zef Mazi

Ka ditë që mediat komentojnë, pro dhe kundër, dekretet apo vendimet e Presidentit të vendit. Nuk mund të mos shokohem ndërkohë me polarizimin e skajshëm, deri të frikshëm, të politikës dhe qëndrimeve të njerëzve në vendin tonë. Duket sikur vendi është i çarë në dy pjesë! Një mik, para pak vitesh, pas pyetjes sime se si janë punët, më pat thënë, “fare mirë janë, si na do armiku”! Atëherë këtë shprehje e mora disi lehtë, si me shaka. Sot ajo tingëllon mjaft e vërtetë. Në këtë derexhe e ka çuar vendin klasa politike që ne vetë kemi zgjedhur në krye prej tre dekadash. Mendime të ndryshme, spekulime, arsyetime lloj-lloji, nga burime që dinë diçka ose që nuk kanë njohuri nga fusha e diplomacisë, shprehen në mediat audio-vizuale apo të shkruara, veçanërisht rreth çështjes të Kryetarit të Prezencës të OSBE-se tek ne, Borchard-it.

Kam shënuar në disa artikuj se ai nuk është emëruar “ambasador”. OSBE-ia nuk emëron ambasadorë askund. Ajo është organizatë rajonale në kuadër të kapitullit VII të Kartës të OKB-së. Kaq. Ajo nuk ka statut të sajin si dokument themelor statuor ligjërisht i zbatueshëm (i detyrueshëm) për të gjithë shtete pjesëmarrëse. Borchard-in e ka emëruar në postin që mban Sekretari i Përgjithshëm së bashku me Kryetarin e Radhës të OSBE-së (pra, me dy firma, sipas rregullit), pasi janë shqyrtuar kandidaturat e paraqitura nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-se për këtë post.

Për arsyen e këtij shkrimi të shkurtër nuk po hyj nëse ka, apo duhet të ketë status dhe imunitet diplomatik stafi i huaj i OSBE-së në vendin tonë, pasi e di mjaft mirë si dhe përse janë bërë disa gjëra, nën presion, në situatat shumë të vështira të vendit në vitet 1996-’97, kur unë isha ambasador i Republikës së Shqipërisë në OSBE. Theksoj se sa thuhet në këtë artikull në Dita nuk ka asgjë personale, aspak. Intrigohem ndërkohë nga disa argumente, si është dëgjuar rëndom gjatë 30 viteve të fundit, të nxjerrin flamurtarë të mbrojtjes së veprimeve, edhe kur ato janë krejtësisht të gabuara, të papranueshme, të ndonjë përfaqësuesi të huaj nga ambasadat dypalëshe apo nga misionet shumëpalëshe në vendin tonë.

Për këtë, pa asnjë dyshim, fajin e kemi plotësisht vetë. Ne kemi shkuar deri në fetishizimin e tyre, ndonëse punët që ata bëjnë njihen pak, në sipërfaqe ose aspak. Respekti për punët e mira që shtetet e ndryshëm partnerë kanë bërë e bëjnë, përfshirë pjesën e madhe të përfaqësuesve të tyre te ne, nuk është ulur aspak, përkundrazi. Kaq, pa e tepruar dhe pa bërë gjëra që nuk bëhen në vende të tjera ndaj ambasadorëve tanë. Është e njohur se nga kriza në krizë, ku e kemi futur veten dhe vendin me edukatën e ulët demokratike dhe me punët e mbrapshta që bëhen, kanë qenë të huajt ata që, në fund të fundit, kanë ndërhyrë, herë fort e mirë, herë jo edhe aq mirë, dhe kanë arritur ta qetësojnë apo sistemojnë situatën.

Ky qetësim/sistemim ka qenë disi i thyeshëm, i mbështetur jo fort e në rrënjë të thella, por për të kaluar radhën. Është vendosur një stabilitet jo i qëndrueshëm dhe në kurriz të ecurisë demokratike, por të menaxhueshëm pa shumë mund dhe zor. Kam frikë se sot jemi pikërisht në një situatë mjaft të ngjashme. Nuk di sesi mund të dilet nga kjo situatë nëse nuk ka vullnet politik, nuk ka qartësi për të ardhmen por ka interesa partiake, përfituese apo korruptive, qëndrime dritëshkurtëra, përjashtuese, dhe aspak jo në interes kombëtar. Përvoja e gjatë në profesion më ka mësuar se cilido krah që ka qenë në pushtet është përpjekur të fshihet pas duke thënë, “ndërkombëtarët janë dakord, na mbështesin, këtë punë e kemi bërë me ndërkombëtarët”, etj., broçkulla. Këto fjalë dëgjohen edhe sot.

Ata ne pushtet kanë synuar ngaherë të arrijnë që ndërkombëtarët “të flasin mirë për ta, të raportojnë pozitivisht për ta te qendrat e tyre”. Kështu shtyhet qëndrimi në pushtet, fitohen pikë “duke qenë, duke u paraqitur, apo duke u komentuar, si bashkëpunues që e kanë mirë me ndërkombëtarët” etj. Nga ana e tyre, ndërkombëtarët bëjnë sikur nuk e kuptojnë dhe, nuk përjashtohet që i “pikturojnë dhe i raportojnë” gjithnjë e më të vështira situatat, i komentojnë ato dhe japin përshtypjet e tyre në ngjyra jopozitive, duke shënuar se bashkëpunimi me qeverinë është i ngushtë, i mirë, qeveria punon mirë”, etj.

Të dyja palët duket se kështu sikur “mbajnë njëra tjetrën”, janë të angazhuar, “punojnë më fort e ngushtë për të përmirësuar situatën e për ta çuar vendin përpara, duke forcuar demokracinë, shtetin ligjor, drejtësinë etj.” Ambasadat dhe organizatat ndërkombëtare, është parim e praktikë, gjithmonë dhe parësisht, e mbajnë mirë, kërkojnë ta mbajnë mirë me qeverinë! Në këtë kontekst duhen parë punët, duhen analizuar situatat. Kështu ndodh në realitet, nuk duhen pasur iluzione. Në këtë dritë duhet parë edhe bëma krejt e papranueshme dhe e dënueshme e Borchard-it me “gishtin” lart etj. Një gjest i tillë nuk është bërë, nuk ka ndodhur asnjëherë, ne asnjë rast apo vend, në kujtesën time mbi 30-vjeçare në politikën e jashtme e diplomatike për Shqipërinë dhe në poste të lartë drejtues në organizata ndërkombëtare jashtë shtetit. Për atë bëmë nuk ka dhe nuk duhet pranuar asnjë lloj justifikimi! Përkundrazi, ai duhet dënuar.

Justifikimet “për të larë gojën” me kapjen gafil, “të papërgatitur”, e bëjnë edhe më të papranueshëm faktin dhe më qesharak e të pabesueshëm vetë personin. Diplomatët, sidomos ata në nivele të larta, e kanë domosdoshmëri, kërkesë dhe obligim profesional dhe etik që, në asnjë rast, edhe në ata më të vështirët, më flagrantët dhe me të papritura, të mos e humbasin kontrollin, të mos thonë asnjë fjalë dhe të mos bëjnë asnjë gjest kompromentues, pa llogaritur këtu gjestet e rëndë, fyes, ekstremë, si rasti në fjalë. Mua nuk më takon dhe nuk mund të komentoj vendimet e Presidentit. Vendimet janë ekskluzivisht autoriteti e tij. Ai ka këshilltarë ekspertë në mjaft fusha. Ndërkohë shtoj se vendimi i Presidentit të Republikës për ta konsideruar të padëshiruar për takime në Presidencë Borchard-in duhet të ketë ardhur i mirëinformuar, pas shqyrtimit të mjaft rrethanave.

Edhe pse dikujt mund t’i duket i pazakontë vendimi, apo gjoja i justifikueshëm pas “autokritikës” që Borchard-i bëri, është e drejtë ekskluzive e Presidentit të marrë vendimet që ai i gjykon të arsyeshme e të sakta. Presidenti i vendit është i yni, është i vendit tonë, ai është një nga ne, ai është shqiptar. Në atë post të lartë, si simbol i unitetit dhe gardian i Kushtetutës te vendit, ai është zgjedhur. Ai nuk duhet të shitet te askush, as të shahet për arsye politike partiake, korruptive sot a nesër, apo të çastit. Nuk duhet të vihet kurrsesi në kandar dhe të krahasohet presidenti i vendit tënd me diplomatët e huaj në vendin tonë. Këta të fundit dërgohen për të mbrojtur dhe avancuar interesat e vendeve të tyre te ne, ata janë të përkohshem, me gjithë respektin, ashtu siç duhet ta kenë edhe ata për ne.

Theksoj më tej, në ekuilibër të plotë arsyetimi, se askurrë nuk mund të vlerësosh, lëre të ekzaltosh apo fetishizosh ambasadorët apo diplomatët e huaj më shumë sesa vlerëson diplomatët apo ambasadorët e tu, të vendit tënd. Kur të jetë vendosur ky ekuilibër i mirë, ky vlerësim e respekt, atëherë vendi do fillojë vërtetë të bëjë përpara, pa fetishizim, në respekt të ndërsjellë, me dinjitet e integritet. Borchard-i e ka humbur, do thoja krejtësisht, kredibilitetin për të vijuar punën në krye të Pranisë të OSBE-së në vendin tonë. Ai gradualisht është kthyer, saqë tashmë edhe shihet, në një figurë përçarëse në vendin tonë. Ai vetë duhet ta kuptojë se kjo gjë ka shkuar në zgrip, nuk mban më.

Edhe pse çfarë po them më në fund mund të mos i pëlqejë dikujt, politikanëve në pushtet ose jo, është e saktë: kur një i huaj, diplomat ose ish-diplomat, kur gjërat kanë shkuar deri në këtë pikë, kur situatat kanë evoluar kësisoj, ai do i bënte drejtësi dhe shërbim të mirë organizatës që e ka dërguar dhe vendit të tij të origjinës, duke mbyllur kapitullin e të pabesueshmit dhe përçarësit, duke paraqitur dorëheqjen nga posti (ai di të gjejë justifikime) dhe duke njoftuar përfundimisht largimin nga vendi, dhe jo të thotë “më lini të qetë”, çka lexohet të thotë: “mos më çani kokën”.

Asnjë shtet normal nuk do e duronte këtë!

Marrë nga gazeta /Dita/

SHKARKO APP