Zëri i Amerikës: Fjalimi i Presidentit Biden për politikën e jashtme, sinjalizon rikthimin e Amerikës në arenën botërore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden mbajti të enjten fjalimin e tij të parë në Departamentin e Shtetit që kur mori detyrën, duke e vënë theksin tek sfidat kryesore për diplomacinë amerikane, rikthimi tek aleancat dhe udhëheqja “nga një pozicion force” e Shteteve të Bashkuara në arenën globale.
Presidenti Biden e bëri të qartë se bota duhet të presë që Shtetet e Bashkuara të jenë më të angazhuara në arenën diplomatike me administratën e tij.
“Amerika u rikthye. Diplomacia është përsëri në qendër të politikës sonë të jashtme”, tha zoti Biden
Presidenti foli konkretisht për çështjet që kryesojnë programin e tij të politikës së jashtme: grushti i shtetit në Mianmar, bisedimet me Rusinë dhe marrëdhëniet me Kinën.
“Ushtria e Mianmarit duhet të heqë dorë nga pushteti që ka marrë me forcë”, tha zotit Biden.
“Ditët kur Shtetet e Bashkuara qendronin pasive përballë veprimeve agresive të Rusisë, përfshirë ndërhyrjen në zgjedhjet tona, sulmet kibernetike dhe helmimin e qytetarëve të saj, kanë marrë fund,” deklaroi presidenti.
Zoti Biden tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do t’u bëjnë ballë abuzimeve ekonomike të Kinës duke “ripërtërirë rolin tonë në institucionet ndërkombëtare dhe duke risjellë besueshmërinë dhe autoritetin tonë moral, një pjesë e mirë e të cilave kishte humbur.”
Presidenti Biden tha gjithashtu të enjten se ka kërkuar nga Pentagoni në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit një rivlerësim të vendosjes së trupave amerikane jashtë vendit dhe se ndërsa bëhet kjo analizë, ai do të ndalte tërheqjen e trupave amerikane nga Gjermania.
Ky vendim ishte një kthesë nga ai i ish-presidentit Trump vitin e kaluar, i cili megjithë kundërshtimin e Kongresit, njoftoi planet për ridislokimin e rreth 9,500 prej afro 34,500 trupave amerikane të stacionuara në Gjermani, ku ndodhen baza ajrore Ramstein dhe selia e komandës amerikane për Evropën dhe Afrikën.
Zoti Biden tha gjithashtu se do t’i jepte fund mbështetjes për ofensivën ushtarake të Arabisë Saudite në Jemen dhe se do ta bënte mbështetjen për të drejtat e komunitetit LGBTQ një gur themeli të diplomacisë.
Presidenti njoftoi se po nënshkruante një urdhër ekzekutiv për rritjen e kufirit të numrit të refugjatëve të lejuar në Shtetet e Bashkuara më shumë se tetëfishin e nivelit ku e kishte ulur administrata e ish-presidentit Trump.
Zoti Trump e kishte ulur në mënyrë drastike këtë kufi, në vetëm 15,000.
Plani i zotit Biden do ta rriste atë në 125,000, 15,000 më shumë nga maksimumi që kishte vendosur Presidenti Barack Obama para se të largohej nga detyra.
Fjalimi i zotit Biden, ishte një sinjalizim për botën se Amerika është rikthyer pas katër vjetësh të politikës së ish-Presidentit Trump “Amerika e Para”.
Momenti që zgjodhi Presidenti Biden për të folur në Departamentin e Shtetit, në fillim të mandatit, ishte sa simbolike aq edhe një sinjal i interesit të tij për politikën e jashtme, përfshirë vite të tëra si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Ish-Presidenti Trump e kishte vizituar Departamentin e Shtetit për herë të parë, pas më shumë se një viti në detyrë, duke e bërë një gjë të tillë vetëm për betimin e Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo në 2018, dhe në mënyrë të përsëritur e sulmoi diplomacinë si pjesë e një “shteti të fshehtë” që synonte të sabotonte administratën e tij. Zoti Trump denigroi dhe pushoi nga puna punonjës të Departamentit të Shtetit dhe u përpoq pa ia arritur qëllimit të ulte buxhetin e tij me deri 35%.
Vizita në Departamentin e Shtetit vjen pasi zoti Biden mori vendimin të mërkurën për të zgjatur afatin e traktatit të fundit të mbetur në fuqi me Rusinë, që kufizon rezervat e armëve bërthamore ruse dhe amerikane, vetëm dy ditë para skadimit të paktit./VOA