Zëri i Amerikës: Rriten viktimat nga koronavirusi në Shqipëri
Në Shqipëri, janë regjistruar 10 viktima nga koronavirusi në 10 ditët e fundit duke e çuar në 44 totalin e vdekjeve që nga fillimi i pandemisë. Autoritetet e Shëndetësisë njoftuan sot se në 24 orët e fundit ka humbur jetën një 62 vjeçar nga Tirana i cili ishte i shtruar në gjendje të rëndë.
Në spitalin Infektiv është shënuar një rritje e ndjeshme e pacientëve. Aktualisht ndodhen të shtruar 78 pacientë, nga të cilët 10 janë në terapi intensive dhe një tjetër është i intubuar. Bëhet fjalë për një nga shifrat më të larta të të shtruarve, ndërsa krahasuar me një ditë më parë janë 15 pacientë më shumë.
Në 24 orët e fundit numri i rasteve të reja kërceu sërish në 71 të infektuar, të cilët, sipas autoriteteve janë kryesisht raste të reja në proces hetimi si dhe kontakte të rasteve të konfirmuara më herët pozitive. Ata rezultojnë të shpërndarë në 11 qytete te ndryshme të vendit: 31 të prekur në Tiranë, 12 në Shkodër, 6 në Fier, nga 5 raste në Krujë dhe Vlorë, 4 në Pogradec, 3 në Durrës, 2 në Kamëz, dhe nga 1 rast në në Mirditë, Lezhë, Kukës.
Prej shumë ditësh tanimë, të prekurit e rinj, janë ndjeshëm në numër më të lartë se të shëruarit. Aktualisht janë 784 raste aktive, të përqëndruara në pjesën dërrmuese të tyre në Tiranë, Durrës dhe Shkodër.
Që prej 9 qershorit, kur u vu re një shpërthim i të prekurve, numri i tyre ka shkuar në afro 700 persona, ose mbi 35 përqind e totalit të të gjithë rasteve./VOA