Zëvendëskryeministri: Zjarret nuk janë prej ndryshimit të klimës, por të qëllimshme! Krime ordinere e politike
Ka 12 ditë që një pjesë e mirë e vendit ka qënë e përfshirë nga flakët përvëleuse, të cilat kanë shkrumbur çdo gjë që u ka dalë përpara, toka, pyje, shkurre, dru frutore, vreshta, shtëpi. Madje para disa ditësh, fatkeqësisht, në Gjirokastër pati edhe një humbje jete. Për fat të mirë, ditën e sotme, situata me zjarret duket më e qetë.
Lidhur me këtë situatë ka reaguar zëvëndëskryeministri Erion Braçe.
Braçe shprehet se këto zjarre nuk kanë rënë si pasojë e ndryshimeve klimatike, por ato janë të shkaktuara nga vetë dora e njeriut. Braçe thotë se shkaktimi i zjarreve të tilla përbën krim dhe duhet hetim ligjor për përgjegjësit e qëllimishëm.
“Zjarret në Shqipëri nuk janë prej ndryshimit të klimës! Temperatura e re pooo! Zjarret jo! Zjarret janë të gjitha të qëllimshme! Hem si krime ordinere dhe hem si krime politike!
Të qëllimshme si krime ordinere nisur nga nevoja banale për kullota, troje ndërtimi apo shkundje deri në fund të inatit me pronën publike dhe pronën e komshiut. Të qëllimshme si krime politike me zjarr, materializim i politikës së imponimit të destabilizimit me zjarr e tokën e djegur, njohur, jetuar, provuar/faktuar publikisht në këtë vend e që në dimër rrëzon shtyllat e transmetimit të energjisë e në vere i vë zjarrin çdo fije bari e çdo gjethe peme kudo, në pyje e parqe.
Të dy qëllimet duhen “përvëluar” ligjërisht me hetim, gjykim, ndëshkim! Nëse nuk ndodh, zjarrvënia do bëhet kulturë. Kulturë mizerabël që do fshihet pas klimës e do legjitimohet pas mungesës se një helikopteri! Kjo duhet ndalur me çdo çmim. Deklaratat e cilitdo, veçanërisht të Policisë për “dyshim në zjarre të qëllimshme” pa gjetur autorët, janë ujë qe nuk e shuan zjarrvënien! Çdo gjë është çështje vullneti. Duhet vullnet për t’i ndëshkuar këto krime tani!
Po e përsëris! Në ketë vend zjarret nuk janë prej klimës e ndryshimeve të saj, por do ndikojnë edhe më keq në klimën e këtij vendi e jetën e njerëzve”, shkruan Braçe.