Zgjedhja e Guvernatorit të ri/ PD: E drejtë ekskluzive e Presidentit, s’ka nevojë për negociata me Ramën

Kështu shprehet deputeti demokrat Edmond Spaho në lidhje me procesin e zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, , në një kohë që Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama kanë zhvilluar disa takime mes tyre për të gjetur konsensusin për kreun e bankës së shtetit, pas shkarkimit të Ardian Fullanit.

Ndërsa kundërshton gjithashtu idenë e hedhur nga Kryeministri për një guvernator të huaj në krye të Bankës së Shqipërisë, Spaho thekson se mungesa e Guvernatorit nuk ka ndikuar në parametrat makroekonomik të vendit, por megjithatë zgjedhja e tij duhet të jetë e menjëhershme.

“Banka e Shqipërisë, mbikëqyret nga institucione të tjera ndërkombëtare, ndërsa mungesa e guvernatorit mund të ketë ndikuar vetëm në menaxhimin e brendshëm te saj”, thekson Spaho.

Qëndrimi i deputetit demokrat vjen në një kohë kur pritet që Presidenti Nishani t’i propozojë Kuvendit emrin e Guvernatorit të ri.

Pak ditë më parë, Kreu i deputetëve të LSI në Petrit Vasili u shpreh në favor të zgjedhjes së emrit të guvernatorit me konsensus mes Kreut të Shtetit dhe Kryeministrit.

“Thelbi i qëndrimit, jo të LSI-së, po të mazhorancës në tërësi, ka qenë zgjidhja me dialog ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit, në mënyrë që të kemi një zgjidhje të qëndrueshme dhe solide në një institucion kaq delikat siç është Banka e Shqipërisë dhe pas historive që kanë përshkruar muajt e fundit, jetën e kësaj banke”, tha Vasili. 

SHKARKO APP