Zgjedhjet/Boçi për ”KJ”: Vetting për kandidatët. SHBA-BE i kanë vënë vizën Ramës, do të ndëshkohet

Ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi: Largimi i Ramës, emergjencë kombëtare. Uzurpator i shtetit dhe përfaqësuesi më famëkeq i botës së krimit, i degradimit politik dhe i korrupsionit masiv

Intervistoi: Redjon Shtylla

Partitë politike në vend, kanë nisur fushatën dhe përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet qëndrore dhe ato lokale. Partia Demokratike, do të kalojë çdo kandidat në sitën e 4 fazave. Në një intervistë për “Koha Jonë”, ish-deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, thotë se roli i anëtarësisë është përcaktues si në fazën e parë konsultuese ashtu dhe në fazën e tretë zgjedhëse, ku çdo anëtar ka të drejtën e propozimit si dhe të shprehjes së mendimit të tij nëpërmjet votës. Nga ana tjetër, ai thekson se Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve kërkon që në përbërjen e tij të ketë edhe figura historike të PD-së. Për deklaratën e kryeministrit Edi Rama për një bashkëqeverisje me Bashën, Boçi e quan propozim të karakterit jashtëtokësor. “Së pari me një lëvizje të tillë banale, ai kërkon të zhbëjë në opinion të gjitha arsyet pse ai duhet të largohet me domosdo nga qeverisja. Së dyti kërkon të zbehë sadopak rritjen e pandalshme në opinion të figurës së lidershipit të PD-së”.

Pak ditë më parë, kryesia e PD-së miratoi udhëzimin për përzgjedhjen e kandidatëve, përmes parimit një anëtar, një votë dhe do të kalojë në 4 faza. Si do të ndiqet konsultimi në bazë për kandidatët? Çfarë risi ka këtë herë? I hiqet përgjegjësia e kryetarit për kandidatë të ndryshëm dhe i jepet anëtarëve të kryesisë?

Udhëzimi është në përputhje të plotë me statutin e PD-së, neni 12, në të cilin cilësohet se zgjedhja e kandidaturave për përfaqësim qëndror dhe lokal, “bëhet në bashkëpunim me konsultim aktiv me anëtarët e PD-së”. Statuti njëherazi kufizon rolin e kryetarit në përzgjedhjen e kandidaturave, vota e të cilit është thjesht e barabartë me një anëtar të kryesisë dhe pas një procesi propozim-filtrimi nëpërmjet anëtarësisë, vendimi final i konsultuar nga kryesia i takon Këshillit kombëtar të Partisë.

Udhëzimi është një sanksionim i mëtejshëm i demokratizimit të brendshëm të PD-së dhe dhënies së pamjes së saj, të një partie me frymë, vizion e organizim tërësisht perëndimor. Udhëzimi parashikon katër faza. Në fazën e parë realizohet identifikimi dhe propozimi i kandidaturave, nga vetë anëtarët e partisë ose nëpërmjet vetëkandidimit. Në të dytën, bëhet seleksionimi i kandidaturave nga Komisioni i Vlerësimit. Në fazën e tretë, kalohet në konsultimin e kandidaturave me anëtarësinë, ku çdo anëtar konfirmon listën zgjedhore që fiton me anë të votës së tij kontestuese. Në fazën e katërt kryesia përzgjedh kandidatët nga Lista e kandidatëve të zgjedhur nga anëtarësia, e cila i kalon për miratim en block Këshillit Kombëtar.

Qartazi roli i anëtarësisë është përcaktues si në fazën e parë konsultuese ashtu dhe në fazën e tretë zgjedhëse, ku çdo anëtar ka të drejtën e propozimit si dhe të shprehjes së mendimit të tij nëpërmjet votës. Konsultimi është transparent, i hapur në nivel grup seksioni. Risitë janë disa. Përfshijnë si rritjen e drejtpërdrejtë të rolit parësor të anëtarësisë, ashtu dhe rritjen e distancës zgjedhëse e përzgjedhëse të Kryetarit të Partisë, duke ia kaluar këtë kompetencë vetë anëtareve dhe një organi kolegjial, siç është Kryesia e Partisë. Risi është dhe Komisioni i Vlerësimit, i cili do dominohet nga objektiviteti për shkak të mënyrës sesi është konceptuar.

Sikurse risi është dhe shkalla e lartë e garantimit të një procesi transparent, të ndershëm, të drejtë dhe të vërtetë, nëpërmjet mekanizmave efikase që shmangim lobimet e pista dhe ndikimet amorale e të paligjshme. Njëkohësisht, risi mund të konsiderohet dhe vota kontestuese, e cila është një lloj “Vetting-u” objektiv që kryhet nga masa e anëtarësisë nëpërmjet evidentimit të atyre kandidaturave që anëtari i thjeshtë i gjykon më pak përfaqësuese për të dhe më larg kritereve të vendosura.

Në Komisionin e Vlerësimit të Kandidatëve flitet që do të ketë figura që do t’i rikthehen Partisë Demokratike. Çfarë mund të themi për këtë? Po për figurat e reja, çfarë vendi do t’u lihet në PD?

Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve kërkon që në përbërjen e tij të jenë njerëz me kontribute historike në PD, që vijnë nga bota akademike dhe aktiviteti publik, që gëzojnë reputacion dhe zotërojnë një njohje të mirë të jetës së organizatës politike. Natyrshëm brenda tij do ketë figura historike të PD-së.

Figura ekzistuese aktive, por dhe ato që për një arsye apo tjetër kanë ruajtur gjatë këtyre viteve një lloj distance. Komisioni është vetëm një nga portat e shumta të hapura të PD-së, e cila mirëpret rikthimin e të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e historisë dhe e kontributeve në Partinë Demokratike. Çdo kontributor i rikthyer ka mundësinë absolute të jetë pjesë e ambicieve politike, nëpërmjet kandidimit nga anëtarët, apo nëpërmjet vetëkandidimit me mbështetjen e së paku 10 anëtarëve të PD-së.

Për figurat e reja, të cilat nuk kanë atë njohjen e duhur, por që përfaqësojnë vlera qytetare, profesionale e morale, ose që përfaqësojnë grupe interesi specifike, ka një zgjidhje tjetër adekuate. Kryesia ka të drejtën të shtojë në listën integrale 20% të kandidatëve, duke respektuar në mënyrë rigoroze kriteret, për të harmonizuar të gjithë përfaqësimet e çdo niveli.

Kryeministri Edi Rama, pak ditë më parë nxori një propozim ku tha që nuk e shikon si të çuditshme një bashkëqeverisje me Bashën. Si duhet ta kuptojmë këtë?

Në situatën e pashpresë që gjendet, Rama nuk është çudi të na sjellë dhe propozime të karakterit jashtëtokësor. Së pari me një lëvizje të tillë banale, ai kërkon të zhbëjë në opinion të gjitha arsyet pse ai duhet të largohet me domosdo nga qeverisja. Korrupsionit, katastrofës ekonomike, mjerimit arsimor dhe kolapsit shëndetësor ai kërkon ti vendos një tis politik për të deformuar përgjegjësinë direkte që ai mban për tetë vite qeverisje shkatërrimtare për qytetarët dhe për vendin.

Së dyti kërkon të zbehë sadopak rritjen e pandalshme në opinion të figurës së lidershipit të PD-së, duke imponuar me zor hije që nuk ekzistojnë. Basha ka qenë dhe është i prerë. “Nuk ka asnjë dilemë për marrëveshje me Ramën, asnjë. Rama jo vetëm do të largohet, por edhe do të ndëshkohet, për të gjitha bëmat tetëvjeçare të qeverisjes së tij të zezë”,-është shprehur ai. I vetmi person që nuk është i qartë në këtë histori, është ai i cili kërkon të shmangë pikërisht ndëshkimin. Largimi i Ramës është emergjencë kombëtare.

PD s’mund të bashkëjetojë e bashkëpunojë me fatkeqësinë e këtij vendi që është ky person, uzurpator i shtetit dhe përfaqësuesi më famëkeq i botës së krimit, i degradimit politik dhe i korrupsionit masiv. Pehlivanllëqet e Ramës të këtij tipi, që dalin në dritë sa herë e kupton fundin e pashmangshëm, nuk pinë më ujë.

Eurodeputetët e Parlamentit Evropian  nuk kursyen asgjë në deklaratat e tyre ndaj qeverisë shqiptare. Që nga krimi zgjedhor, ai i organizuar, korrupsioni, kthimi i Shqipërisë në “vasalitet” të Turqisë, e deri tek çështja e Teatrit. Në këto kushte, çfarë i mbetet opozitës për të bërë për të përmbysur Ramën dhe mazhorancën qeverisëse?

E pangjarë më parë. Skaneri i keqqeverisjes ka qenë i plotë dhe dëshmi e ndërgjegjësimit të faktorit ndërkombëtar. Një panoramë për të ulur kokën ndërkombtarisht por dhe për ta ngritur atë me revoltë ndaj Ramës&co. Opozitës i takon, siç po bën, të shpalosë rrugën e daljes nga kjo situatë e zymtë e gjithanshme. I takon të ngjallë besimin e shpresën e duhur, siç po e ndërton dhe ta hedhë Ramën nokdaun në betejën zgjedhore politike, e cila në horizont ka shënuar fitoren e padiskutueshme të opozitës, me një angazhim e organizim serioz, demokratik, qytetar siç dhe po ndodh.

Edhe SHBA-ja i kërkon Shqipërisë zbatimin e 15 kushteve me BE. Në një kohë që qeveria thoshte se kushte nuk ka, realiteti është ndryshe. Ju si opozitë, çfarë do të bëni që 15 kushtet të plotësohen? A janë këto kushte fundi i qeverisjes “Rama 2” dhe vështirësimi i rrugës evropiane?

Rama jo vetëm që nuk ka vullnet për ti plotësuar, por ai as formalisht nuk i njeh. Gjë që do të thotë saktë, se plotësimi i tyre nis me largimin nga drejtimi i vendit të atij që ka sabotuar e vazhdon të sabotojë në mënyrë konsekuente plotësimin e tyre dhe hapjen e portave të BE për vendin tonë. Opozita ka bërë gjithçka në rolin që i takon. E gjitha mbaron me një hap final. Largimin sa më shpejtë të penguesit të plotësimit të kushteve të BE-së. Largimin e fatkeqësisë Rama. Theksimi i tyre nga BE-ja dhe SHBA-ja dëshmon diskreditimin progresiv të qeverisë Rama para faktorit ndërkombëtar, i cili duket qartë që i kanë vënë vizën tashmë qeverisjes së tij të dështuar në mënyrë spektakolare.

SHKARKO APP