Zgjedhjet brenda PD-së, Alibeaj: Të gjitha përgjegjësitë bien mbi Bashën
“Rregullat statutore janë të qarta.
Mund të aplikojë, kushdo që ka ambicie, por statuti thotë se e drejta e zgjedhjes i takon kryetarit.
Ai që merr faturën dhe privilegjin e sfidave elektorale është kryetari i partisë.
Ai do duhet të zgjedhë bashkëpunëtorët dhe ekipin e vet ta çojë drejt fitores ose, jo dhe kjo është përgjegjësia e tij.
Nuk mund të qortohet e drejta e tij në përzgjedhjen që bëri“ tha Alibeaj në emisionin “Ditë e re” në Ora News.
Vetë Alibeaj konkuroi për postin e sekretarit të përgjithshëm të PD-së, post të cilin e mori Arben Ristani.
Ai nuk pranon se ka humbur garën për sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, ku ai doli i dytë, pasi nuk e quan garë personale.
“Hyra në garë duke besuar se mbartja me vete një model politik dhe testova dhe veten dhe Këshillin Kombëtar. Nuk dola keq. Të marrësh 85 nga 264 vota nuk ishin pak.“
Sa i takon ligjit për dosjet, Alibeaj thotë se qeveria është vetëm në variantin e dosjes dhe jo lustracionit.
”Është tentativë e dështuar që të mjaftohesh vetëm me hapjen e dosjeve” thotë ai, duke shtuar se duhet të reagohet ndaj njerëzve me dosje dhe se postet e larta duhet të jenë të pastra.