Zgjedhjet e 11 majit, nis trajnimi i specialistëve të Policisë! Proda: Garantojmë mbarëvajtjen

Policia e Shtetit ka filluar ciklin e trajnimeve në ambientet e Akademisë së Sigurisë për drejtuesit dhe specialistët e saj, të cilët do të angazhohen gjatë procesit zgjedhor.

Kryepolici Ilir Proda ishte i pranishëm në këtë takim, së bashku me Ambasadorin e Prezencës së OSCE-së në Shqipëri, Michel Tarran, Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, Zëvendësprokurorin e Përgjithshëm, Thoma Jano dhe me Shefin e Seksionit kundër Korrupsionit në SPAK, Klodian Braho.

Në fjalët e tyre përshëndetëse për çeljen e ciklit të trajnimeve, si dhe inkurajuese për drejtuesit dhe efektivët e Policisë, që t’i përdorin njohuritë e përfituara në këto trajnime, për të garantuar përmbushjen sa më efektive të detyrave të tyre, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.

”Policia e Shtetit, falë punës dhe angazhimit për përmbushjen maksimale të detyrave funksionale gjatë procesit zgjedhor, synon jo vetëm ruajtjen e standardeve të arrira, por dhe përmirësimin e tyre. Arritja e këtyre standardeve në proceset e fundit dhe avancimi i tyre, na bën të barabartë me homologët europianë, edhe në këtë aspekt.

Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar për të intensifikuar bashkëpunimin me qytetarët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, në mënyrë që çdo indicie, denoncim apo hetim për krime zgjedhore të trajtohet shpejt dhe me profesionalizëm, duke zbatuar me rigorozitet parashikimet ligjore. Secili punonjës policie, nga baza deri te drejtuesit më të lartë, krahas trajnimeve përkatëse, ka marrë porosi të qarta që përgjatë procesit zgjedhor të jetë i angazhuar për mbarëvajtjen e tij, me profesionalizëm, pa paragjykime dhe me dijeni të plotë për rolin asnjanës të uniformës së Policisë, e cila, në krah të kutisë së votimit, duhet të përfaqësojë vetëm një ngjyrë, atë të ligjit”, tha Proda.

SHKARKO APP