Nis paketimi i fletëve të votimit për diasporën, Celibashi: Ja kur nis shpërndarja në 85 shtete të botës

Ditën e sotme ka nisur vulosja dhe paketimi i fletëve të votimit për zgjedhjet e 11 majit për diasporën shqiptare, e cila këtë herë voton për herë të parë.

Në një komunikim për mediat, nga Parku Olimpik, ku ndodhen edhe fletët e votimit, Ilirjan Celibashi deklaroi se procesi i nisur sot pritet që të përfundojë deri nesër në mesnatë.

Ai tha se brenda kësaj jave nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve do të nisë edhe shpërndarja drejt vendeve ku jetojnë emigrantët.

Kemi filluar sot në mëngjes me futjen e fletëve të votimit në zarfin A. Kemi autorizuar 12 përfaqësues të KQZ, që do të vulosin çdo fletë votimit. Janë edhe dy anëtarë të tjerë që bëjnë vendosjen e fletës së votimit brenda zarfit. Janë edhe përfaqësues të disa subjekteve që kanë detyra procedurale, por janë edhe për ta monitoruar procesin.

Ne mendojmë që ta mbyllim brenda kësaj jave. Deri nesër në mesnatë do përfundojë procesi i vulosjes dhe shpresojmë të fillojmë me futjen e zarfit A në zarfin B dhe më pas tek zarfi i operatorit të postës.

Nëse ne përfundojmë këtë proces brenda fundit të kësaj jave, do të nisin procesin e shpërndarjes për atë sasi që ne do kemi bërë gati. Pra nuk do presim që ta bëjmë gati sasinë e dokumentacionit zgjedhor, por pjesë pjesë.

Nëse ne fillojmë shpërndarjen po themi të hënë që vjen, brenda një ditë për Greqinë apo Italinë do ta kenë zarfin në banesën e tyre”, tha Celibashi.

SHKARKO APP